1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Në qershor dihet numri i luftëtarëve të UÇK-së

Më të lexuarat

Të mërkurën do të mblidhet Komisioni për verifikimin e veteranëve të UÇK-së për të caktuar kriteret e fundit para së të nisë puna në terren në fillim të nëntorit. Komisioni i formuar në janarin e këtij viti është takuar tri herë brenda muajit dhe ka formuar sekretariatin e tij, i cili do të merret me çështjet teknike. Procesi i nisur në janarin e sivjetmë më në fund ka gjetur rrugën e mbarë.
Pas nëntë muajsh ngecjeje të Komisionit për verifikimin e veteranëve të UÇK-së dhe ndërrimit të kreut të saj, më në fund ka nisur punën ky mekanizëm.

Madje është formuar edhe një sekretariat, i cili do të merret me punët teknike të Komisionit dhe do të udhëhiqet nga ish-kreu i veteranëve, Faik Fazliu.

Komisioni nën udhëheqjen e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, tashmë ministrit të FSK-së, Agim Çeku, është mbledhur tri herë për një muaj.

Puna në terren pritet të nisë në fillimin e nëntorit.

Kreu i veteranëve, Muharrem Xhemajli i ka thënë KTV-së se tashmë është vendosur për mënyrën e seleksionimit dhe çfarë aplikacionesh do të përdoren, si dhe për çështje të tjera teknike.

Muharrem Xhemajli, i cili ishte mjaft kritik ndaj kryetarit të parë të Komisionit, Azem Syla, duket të jetë i kënaqur me punën e Çekut.

Ai thotë se me dinamikën e nisur brenda pesë muajve do të dihet numri i saktë i atyre që luftuan.

Por, Xhevdet Qeriqi ndihet i lënë anash me shokët e tij, të cilët janë pjesë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së.

Ai thotë se megjithëse kryeministri Thaçi u kishte premtuar se do të jenë pjesë e këtij Komisioni, i cili udhëhiqet nga Çeku dhe përbëhet nga 12 ish-komandantët e zonave të UÇK-së, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Komisioni për seleksionimin e veteranëve të UÇK-së ishte themeluar nga institucionet e Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit për vlerat e luftës dhe ka për qëllim të kualifikojë dhe të nxjerrë numrin e saktë të veteranëve të UÇK-së.

Në krye të këtij Komisioni ishte vënë Azem Syla, por kishte dhënë dorëheqje pas 7 muajve dhe gjatë kësaj kohe kishte mbledhur vetëm një herë komisionin dhe atë në një takim njohës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit