3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Sistemi Bankar, pengesë serioze karshi biznesit

Më të lexuarat

Normat e larta të interesit dhe qasja e ulët në financa për biznese janë duke penguar në mënyrë serioze zhvillimin e sektorit privat, rrjedhimisht zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kështu thuhet në një analizë të quajtur Sektori Privat – Ndihmesë apo Barrierë, publikuar mërkurën nga Instituti “Riinvest” dhe Fondacionit i Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Kjo analizë përfshin hulumtimin e shërbimeve bankare, në theks të veçantë normat e interesit, si dhe një anketë me 600 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, lidhur me kamatat e kredive.

Kreditë janë rritur nga viti në vit, vetëm në vitin 2011, kreditë kanë shënuar rritje vjetore prej 16.6 për qind, ndërkaq kamatat për kredi individuale ishin 14.2 për qind, kurse për biznese 16.65 për qind, duke shënuar kështu normat më të larta të kredive në rajon.

Alban Zogaj, nga instituti “Riinvest” tha se rezultatet në këtë hulumtim tregojnë se sistemi bankar në Kosovë karakterizohet me një prezencë të madhe të kapitalit të huaj, ku 89.2 për qind e aseteve totale janë të menaxhuara nga bankat e huaja.

“Të gjitha kreditë më mbi 10 mijë euro janë të garantuara me kolateral, dhe kolatarali në Kosovë është 263 % e vetë kredive të lëshuara nga bankat. Do të thotë, bankat në Kosovë garantohen me një kolateral që ka një vlerë shumë më të madhe, e që në rajon është 126 për qind të vlerës. Dhe në konsiderojmë që kjo i bën me risk më të ulët kreditë e lëshuara në Kosovë”, tha Zogaj.

Ai tha se për shkak të hipotekës dhe normës sw lartë të kredive, bizneset hezitojnë të aplikojnë për kredi në bankat komerciale në vend.

Mbi 70 për qind e ndërmarrjeve të anketuara, tha ai, kanë deklaruar se shërbimet në sistemin bankar janë të pafavorshme për zhvillimin e veprimtarive të tyre.

“Rezultate e anketës tregojnë se vetëm 12 për qind e bizneseve të anketuara, kanë marrë kredi nga bankat, dhe kjo përqindje me të vërtetë është shumë e ulët dhe meriton një vëmendje të shtuar”.

“74 për qind e firmave në Kosovë nuk kanë aplikuar për kredi në vitin 2010, arsyet kryesore janë normat e larta të interesit, disa kanë thënë që nuk kanë nevojë për kredi pasi nuk kanë ndonjë vizion zhvillues, nuk besojnë dhe kolaterali është i pamjaftueshëm”, theksoi Zogaj.

Instituti “Riinvest” rekomandon ekzekutivin e vendit që të ndërmarrë masa për përmirësimin e sistemit ligjor dhe instrumentet e tij lidhur për mbrojtjen e sigurimin e kolateralit kreditor dhe njëherësh të gjejë forma për uljen e normave të kredive.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se kanë punuar në krijimin e mundësive për hapjen e tregut bankar, kenë eliminuar disa pengesa në këtë fushë, dhe që do të bëjnë përpjekje për zvogëlimin e kamatave të kredive.

“Besoj që raporti i publikuar sot është një kontribut shtesë në drejtim të gjetjes se shkaqeve për këto norma të larta të interesit duke ofruar edhe rekomandimet konkrete që duhet të merren nga politikbërësit, Banka Qendrore e Kosovës, dhe në mënyrë që kostoja e financimit të jetë e pranueshme për bizneset dhe qytetarët”, u shpreh ministri Hamza.

Ndryshe, në Kosovë veprojnë tetë banka komerciale. Normat e kredisë i përcaktojnë vetë bankat në bazë të politikave të tyre ekonomike. Banka Qendrore e Kosovës, ndërkaq vetëm i menaxhon dhe nuk ka të drejtë të ndërhyjë në politikat afariste të tyre./BS/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit