9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Srebrenica – ndërgjegjja e martirizuar e Europës

Më të lexuarat

DORIAN KOÇI

Bllokimi nga ana e Rusisë në Këshillin e Sigurimit në OKB të një rezolute që do të dënonte Serbinë dhe serbët e Bosnjës për gjenocid të ushtruar ndaj boshnjakëve myslimanë më 11 korrik 1995, në masakrën më të madhe njerëzore të Pasluftës së Dytë Botërore mund të jetë shembulli më i mirë për të kuptuar se gjeopolitika në rajon nuk ka ndryshuar shumë që prej një shekulli. Ballkanit perëndimor i është kërkuar për më se 20 vjet të vazhdojë të demokratizohet, të mos shikojë pas nga e kaluara por në fakt kjo gjë ka tingëlluar si paradoks, për të vetmen arsye se njerëzit që organizuan Srebrenicën vazhduan të mbijetojnë në kulturën politike të rajonit. Si dihet liria politike për të siguruar drejtësi dhe mirëqenie duhet të jetë e amnistuar nga e shkuara, ndërsa ajo që i garantohet Ballkanit është e ndotur nga fantazmat e së shkuarës. Gjithsesi, bllokimi i rezolutës nga ana e Rusisë mund të kuptohet dhe të jetë një rrjedhim logjik i politikës ruse në rajon, sidomos pas ngjarjeve në Ukrainë, por për Bashkimin Europian, që ende nuk ka ushtruar presionin e duhur që klasa politike serbe të njohë përgjegjësitë e veta hapur dhe pa ekuivokë për Srebrenicën, është një dështim i ushtrimit të vullnetit të drejtësisë.

Në paraskenat e diplomacisë botërore ndihet një simpati e heshtur për Serbinë e konkretizuar në politikën e ashtuquajtur të “shkopit dhe karotës”, e cila synon integrimin e Serbisë brenda strukturave europiane pa i dhënë rëndësinë e duhur katarsisit nga ana e Serbisë, që me fjalë të tjera do të thotë se Serbia pa e dënuar politikën e saj të vjetër, e cila për fat të keq vazhdon të mbetet dhe e re, mund të integrohet në Bashkimin Europian, me qëllim që të inkurajohen forcat demokratike në Serbi! Ekzistenca e forcave demokratike në Serbi është një rebus më vete, madje as më entuziastët e intregistëve europianë nuk mund t’i zbulojnë lehtë, pasi pothuajse të gjitha forcat politike serbe, jo vetëm që nuk ndihen fajtorë për politikat e shkuara, por kërkojnë të mbajnë me thonj e dhëmbë çdo përfitim që kanë fituar në emër të tyre. Në këtë kontekst, rehabilitimi i Serbisë, duke i afruar anëtarësi të shpejtë në institucionet ndërkombëtare si Bashkimi Europian dhe NATO, mund të japë një shembull të keq në rajon, sesa më ashpër dhe keq mund të sillesh në arenën rajonale po kaq shpejt mund të fitosh predispozitat e standardeve, për të cilat vende të tjera janë përpjekur shumë për t’i arritur. “Mosdënimi i krimit, çon në përsëritjen e tij.” Kjo është një sentencë e njohur që mund të nxjerrësh nga bota shekspiriane e tragjedive të mëdha, e cila jep shembuj të shumtë sesi njerëz e madje dhe shtete degjenerojnë në kasaphana të vërteta kur krimi fshihet dhe nuk dënohet. Asnjë kërkim faljeje, asnjë distancim nga e kaluara deri tani nuk kemi dëgjuar nga klasa politike serbe, akoma më keq kemi dëgjuar deklarime ultranacionaliste se “bombardimet ndaj Serbisë kanë qenë një gabim i madh dhe se Europa nuk duhej të ngatërrohej për shkakun e dy milionë shqiptarëve”. Akoma ka të humbur që nuk u dihet nami e nishani, akoma ka familje të viktimave, të cilat nuk kanë dëgjuar një falje publike nga ata të cilët jo më pak se 20 vjet më parë ushtruan një gjenocid të pashembullt në zemër të Europës. Serbia nuk ndihmohet aspak duke i falur asaj të kaluarën e afërt, por dhe të renë e sotme, e cila në shume aspekte reflekton të vjetrën.

Rehabilitimi i Gjermanisë në skenën politike europiane, nisi vetëm pasi ajo i njohu dhe dënoi krimet e nazizmit. Akoma tani, pas më shumë se 70 vjetësh, intelektualët dhe kombi gjerman kërkojnë falje për Holokaustin dhe krimet e pashembullta kundër njerëzimit, duke shprehur kështu jo vetëm kulturën e tyre të thellë, por dhe rrjedhojat e një procesi të gjatë denazistifikimi që u zbatua në Gjermani nga qeveritë gjermane dhe nga aleatët. E njëjta praktikë duhet të ndiqet dhe me Serbinë për ta shpëtuar njëherë e mirë nga ethet e nacionalizmit agresiv dhe për të nisur me të vërtetë procesin e demokratizimit dhe integrimit europian të saj. Vetëm kështu, diplomacia europiane do të mund me të vërtetë të ndihmojë Serbinë, për të cilën qëndrimi dhe kontributi i saj i masakrës së Srebenicës dhe Kosovës do të mund të kthehet në një provë të vërtetë ontologjike, të paperceptueshme për momentin nga qytetarët e vet, robër të politikës së përditshme të nacionalizmit etnik, por ekzistuese e shpirtit të ri të çliruar nga demonët e Naçertanias, projekteve shpërngulëse të Vasa Cubriloviqit dhe spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviçit. Në epokën e dixhitalizuar nuk mund të pranohen ikona të urrejtjeve etnike dhe Serbia, si një shtet europian përpara se të bëjë “new look”-un e vet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian duhet të realizojë katarsisin nga e kaluara e mbrapshtë ultranacionaliste.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit