-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Fjalimi i Myftiut të Shkodrës për Fitër Bajramin 1437/2016

Më të lexuarat

Të dashur e të shtrenjtë vëllezër dhe motra muslimanë

Falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të të Vetëm e të vërtetë të universit, galaktikave, detrave, maleve, njeriut dhe çdo krijese të zbuluar e të pazbuluar në historinë e gjatë të jetës mbi tokë dhe përtej saj.

Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo rrahje zemre të jetës sonë, brez pas brezi, zotërisë së bijve të Ademit, Ma të Mirit e Ma të Dashtunit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë për mbarë botët, udhëzues drejt rrugëve të Dritës së pastër të besimit, që dëbon errësirat e femohimit, politeizmit, afetarizmit dhe çdo devijimi tjetër nga burimi i origjinës njerëzore.

Të dashur e të shtrenjtë muslimanë të Shkodrës,

O taban i qytetarisë, o trashëgues të vlerave më të mira të besimit të gjyshërve dhe baballarëve të ndershëm, që për shekuj drite drejtuan botën me mëshirë, drejtësi e tolerancë, duke mos u tutur asnjëherë nga errësira dhe njerëzit e saj, as nga hipokrizia dhe qarqet e saj, as nga injoranca dhe moçalishtet e saj, as nga bartësit e frymërave përçarëse dhe denigruese të kombit shqiptar dhe aleatët e tyre të djallëzuar!

O muslimanë të Shkodrës, që i dhuroi ymmetit islam dijetarë e shehidë, vezirë e pashallarë, hoxhallarë në frontin e mbrojtjes së qytetit nga intrigat mesjetare dhe avoketërit e tyre frikacakë, intelektualë të kalibrit botëror, që asnjëherë nuk e mohuan krenarinë e të qenit musliman dhe shqiptar!

O muslimanë të Shkodrës, që deri dje mbushët xhamitë, ju dhe fëmijët tuaj, duke kërkuar mëshirën, faljen dhe bujarinë e All-llahut të Madhëruar, në lutje e përgjërime, agjërueshëm durimtar, lexues të Kur’anit plot meditim, bamirës fisnikë, atdhetarë të shkrirë në lutje për vendin tonë të shtrenjtë që fort lëngon, shpresues në bekimet e All-llahut Fuqiplotë dhe përkrahjes së Tij hyjnore, thirrës të sinqertë drejt fesë së Tij, Fjalës, urtisë dhe shembullit më të përsosur, që ndërton jetën me pastërti!

O muslimanë të Shkodërloces tonë të shtrenjtë, që vishet e zbukurohet çdo ditë, në pesë kohë të ndryshme me pelerinën e mëshirës dhe udhëzimit hyjnor, ezanin e teuhidit, ju uroj me zemër e me lutje të sinqerta për mrekullinë e Muajit Ramazan, që sapo u nis drejt të përtejmes për të dëshmuar për gjithësecilin prej nesh, dashuri e mall, përulje e nënshtrim për All-llahun Mëshirëplotë, që na dhuroi këtë mirësi të papërshkrueshme!

Ju uroj për sakrificën dhe besën e pathyer, për ruajtjen e amanetit dhe dëshmimin e vullnetit të shpirtrave të pastër, që na lidhin ndër shekuj me thirrjen e vetme të Zotit të vetëm; Islamin tonë të shtrenjtë, Islamin e lindjes dhe të perëndimit, Islamin e çdo cepi të globit, ku thirret emri All-llah, Islamin e çdo zemre të përmalluar me përmendjen dhe dëgjimin e emrit Muhammed (a.s), Islamin, fenë e të parëve tanë të ndershëm, që i hapën zemrat All-llahut, si për të dëshmuar botërisht, nga thellësia e shekujve e deri në përjetësi: Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos All-llahut dhe dëshmoj se Hz. Muhammedi (a.s) është robi i Tij, i Dërguari i Tij, në gjuhën tonë të bukur shqipe!

Të dashurit e mi,

Mbrëmjen që kaloi, kur hyra të fal namazin e jacisë në xhaminë e Parrucës, më mbuloi një emocion i madh, teksa shihja xhaminë e tejmbushur me djem të rinj muslimanë, djemtë e kësaj toke, bijtë e kësaj qytetarie, që nuk e lanë besën e Ramazanit, erdhën me kokë në sexhde për të dëshmuar vazhdimësinë e rrugëtimit të gjatë me besimin dhe moralet e tij!

Ishin aty, bri njëri-tjetrit, si për të dëshmuar se kjo fé dhe ky Kur’an, se kjo kible besimi dhe kjo pastërti shpirti, sa vjen e forcohet, merr formën më të bukur, plot virtyte e cilësi, për të cilat ka nevojë vendi ynë për të shpëtuar nga greminat e injorancës, afetarizmit ekstrem, imoralitetit femohues, shthurjes së pakufi, korrupsionit vrastar, shitjes së lirë të karakterit dhe dinjitetit kombëtar, në duar të palara, që vetëm të mirën nuk i duan vendit tonë dhe të ardhmes së tij!

Ishin aty, sup më sup, për të dëshmuar bashkarisht, me krejt forcën e shpirtit, ajetin 84 të sures Ali Imran: “Thuaj: “Ne i kemi besuar All-llahut, edhe asaj që na u zbrit neve, edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve të tij. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që i është zbritur të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar”!

Kjo është e vërteta e madhe e besimit dhe e fesë sonë islame, fesë së krejt të dëguarve të All-llahut, që ishin një familje e madhe, ku dominonte respekti dhe logjika, jo hilet dhe pafytyrësia për ta shkelur tjetrin, për ta cytur e për t’ia cënuar shenjtëritë e tij!

Ky është besimi ynë, për të cilin luftohemi sot, padrejtësisht, duke u etiketuar me atë çfarë nuk jemi as kemi qenë ndonjëherë, duke u cilësuar ashtu siç nuk mund të jemi kurrë, kudo qofshim, e sido qofshim, sepse ne jemi bartës të një amaneti të shenjtë shekullor, në të cilin shkruhet: “Ne u ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë, u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete…” – (Kur’ani, El-Ahzabë: 72)

Të dashur të pranishëm,

E përmenda edhe në mesazhin e Fitër Bajramit, se Bajrami i vërtetë është atëherë, kur vendi ynë jeton në mirëqenie, në siguri, në paqe dhe harmoni, në moral e dije, në kulturë të shëndoshë dhe politika ndërtuese për shoqërinë dhe kombin, në vlera tabani dhe krenari identitare, që na bëjnë të ndjehemi krenar me vendin tonë, me tokën tonë, me emrin Shqipëri, kudo që jemi e me këdo që të jemi!

Që do të thotë se ne si muslimanë jemi të thirrur të punojmë sa më shumë për të ruajtur vlerat tona fetare dhe kombëtare, pastërtinë dhe nderin, besimin dhe moralin, sinqeritetin dhe krenarinë, kufijtë e hallallit dhe distancimin nga haramet, neglizhimin dhe distancimin nga thirrjet shterpë të krakëllimave të atyre që nuk kanë turp të përmendin “islamizimin” e shqiptarëve, si një metodë sa e vjetër, aq e re, në shfaqjet dëshpëruese islamofobike, edhe me prapaskena politike, në vendin tonë, ku laicizmit selektiv i vjen erë e pështirë, sidomos në Shkodër!

Të dashur vëllezër të shtrenjtë muslimanë,

Sërish po e përsëris me të madhe: Jetojeni Islamin tuaj me krenari, dëshmojeni kudo shpirtin e tij, me bindje dhe forcë karakteri, me ndërgjegje të pastër, me mëshirë për krejt krijesat e Zotit, i Cili e dërgoi të fundin e profetëve të Tij, “mëshirë për mbarë botët”!

Ju, të shtrenjtë vëllezër muslimanë, dhe ju motra të nderuara, jeni mëshirë e dhuruar, jeni paqtim garant në shoqëri, jeni mbrojtës të vlerave të tolerancës dhe dëbues me përbuzje të cinizmit mesjetar, që vret, djeg e dhunon me maskën e pabesisë mbi fytyrën katran!

Shfaqeni kudo gëzimin e Fitër Bajramit, ndajeni mirësinë në mes vete, dëbojeni shejtanin nga jeta dhe forcojeni lidhjen me All-llahun Fuqiplotë, që na nxori nga errësira e femohimit në dritën e Kur’anit dhe të Islamit, nga injoranca dhe primitivizmi, në dije e kulturë, pastërti dhe ruajtje nderi, nga humbja pas thirrjeve mbytëse, në triumf e ngadhënim, duke e bekuar jetën tonë, tokën tonë, historinë tonë, të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen tonë, me këtë Islam të mrekullueshëm, që thërret me të madhe: “E tërë krenaria i takon All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë.” – ( Kur’ani, El-Munafikune: 8)

All-llahu ju dashtë dhe ju begatoftë jetën tuaj! Ju mbrojtë nga çdo e keqe dhe paudhësi! E begatoftë Shkodrën tonë dhe e forcoftë Islamin në zemrat e muslimanëve të saj! E begtoftë Shqipërinë tonë të shtrenjtë dhe na bëftë të respektueshëm ndaj hakut të saj në ndërgjegjen e gjithësecilit prej nesh!

All-llahu i Plotfuqishëm sjelltë paqe dhe bekime pa fund për mbarë muslimanët e botës, që kalojnë sot, ditë të vështira, në përballjen e tyre me terrorizmin, pushtimin barbar të tokave të tyre, zhvatjen e pasurive kombëtare, vrasjet masive, shpërthimet deri në vendet e shenjta, torturat dhe shkeljen e të drejtave, tamam si në errësirat e barbarizmave të mesjetës së errët evropiane!

Bajrami ynë i madh është kur të kthehemi si duhet tek feja e jonë, tek Kur’ani ynë, tek krenaria legjitime islame, që na bën të jetojmë me nder dhe dinjitet, kudo që të jemi, pa iu frikësuar askujt, përveç Zotit Një!

Gëzuar Fitër Bajramin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 5 korrik 2016

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit