0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Si të arrihet tek të paprekshmit e Bosnës?

Më të lexuarat

Operacionet policore “Lutka” dhe “Bos” cilësohen si “fillimi i përfundimit të krimit të organizuar në Bosnje.” Ekspertët mendojnë që ato tek e fundit duhet të rezultojnë me arrestimin e zyrtarëve të lartë politikë.
Meqë krimi i organizuar në shumicën e rasteve lidhet me zyrtarët në qeveri, kryetari i bordit të drejtorëve të Transparency International në Bosnjë dhe Hercegovinë, Emir Dikiç, druhet se kjo mund të rrezikojë aksionet aktuale të policisë, apo të dëmtojë rezultatet e tyre përfundimtare. “Kjo do të thotë se ekziston mundësia që lidhjet politike, nëse nuk ato zbulohen dhe personat arrestohen, mund të pezullojnë këto veprime në nivelin e prokurorisë ose gjykatës”, paralajmëron Dikiç.

Praktika e deritanishme ka treguar se shumë ish zyrtarë aktualë, apo të mëparshëm, kundër të cilëve janë kryer hetime, kanë mbetur të “paprekshëm”. Gazetari Senad Pećanin thotë se forma më e rëndë e kriminalitetit të organizuar është ajo, që lidhet me vetë majat e pushtetit.
Senad Pećanin: „Aksioni për qëllime fushate të partive në pushtet“
„E kam fjalën për kryetarin e partisë socialdemokrate të Bosnje- Hercegovinës, Zlatko Lagumdxhija dhe aferën ‘reket’, për akuzat e dokumentuara për kriminalitet ndaj presidentit të Republikës Srpska (RS), Milorad Dodik, në lidhje me ngritjen e ndërtesës së qeverisë të Republikës Srpska dhe aferat e shumta dhe dëshmitë lidhur me kryetarin e Bashkimit Demokratik kroat të Bosnjë-Hercegovinës, Dragan Čovi“, thotë Pećanin.
Për sa kohë udhëheqësit më të lartë politikë të jenë të paprekshëm, lufta kundër krimit të organizuar nuk ka asnjë shans për sukses, thotë Pećanin. Ai mendon se aksionet aktuale të policisë bëhen për qëllime fushate të partive në pushtet, që të krijohet përshtypja se qeveria po bën diçka për të luftuar kriminalitetin.”
Nermin Pećanac: „Jemi larg luftës kundër kriminalitetit“
Në vendin, ku në dallim nga kriminaliteti shumë gjëra të tjera janë të paorganizuara, është e vështirë të luftohet kundër shkeljeve të ligjit, thotë ish ministri i Brendshëm i kantonit të Sarajevës dhe kryetar i unionit socialdemokrat (SDU), Nermin Pećanac.
„Për sa kohë nuk arrijmë tek njerëzit në krye, të cilët krijojnë ambjent të favorshëm për veprimtaritë kriminale, nuk mund të flasim për fundin e krimit të organizuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ky është një veprim i mirë i policisë, që duhet lavdëruar dhe mbështetur. Ky është një fillim i mirë, që jep guxim, por ne jemi larg nga përfundimi i luftës kundër kriminalitetit të organizuar”, thotë Pećanac.
Merret vesh se një nga synimet e aksionit policor „Lutka“ është edhe arrestimi i biznesmenit kontrovers, Naser Kelmendi, i cili para dy muajsh hyri në „listën e zezë“ të administratës amerikane. Sipas informacioneve jozyrtare, Kelmendi ka gjetur strehim në qytetin e tij të lindjes Pejë, në Kosovë dhe ministri i Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës, Sadik Ahmetović, ka njoftuar lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit