8.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Gjykata në veri të Mitrovicës pritet të rihapet në vjeshtë

Më të lexuarat

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha për Radion Evropa e Lirë se deri në fillim të muajit shtator pritet të funksionalizohet Gjykata në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila do të punojë, sipas tij, me ligjet e Kosovës.

Ai tha se tashmë është hapur konkursi dhe janë krijuar komisionet që do të bëjnë përzgjedhjen e punonjësve të Gjykatës, por theksoi se punëtorë të saj do të jenë kryesisht ata që kanë punuar deri sot në Gjykatat, e ashtuquajtura paralele, që u shuan pas arritjes së Marrëveshjes në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013.

“Meqë janë shumicë në atë pjesë të vendit, pjesa dërrmuese do të jenë pjesëtarë punëtorë të komunitetit serb dhe të tjerëve. Por, nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të ketë strukturë të përzier”, tha Nehat Idrizi për Radio Evropa e Lirë.

Gjykatat në veri të Kosovës u riaktualizuan gjatë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe një marrëveshje me të cilën shuhen gjykatat paralele serbe në veri të vendit, e cila u arrit në Bruksel më 2015. Gjykatat u bllokuan në vitin 2008, pas një sulmi nga një grup protestuesish serbë, që kundërshtuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kalimin e Gjykatave nga kontrolli i administratës ndërkombëtare, UNMIK, tek autoritetet e reja të Kosovës.

Gjykatësit shqiptarë u detyruan të punojnë në Gjykatën e Vushtrrisë për vite të tëra. Por, me Marrëveshjen e Prillit të vitit 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, gjykatat e veriut të Mitrovicës u tha se po kthehen në sistemin e drejtësisë së vendit.

Me marrëveshje është paraparë që një Gjykatë Themelore dhe një Prokurori Themelore të funksionojnë për rajonin e Mitrovicës. Lëndët penale do të shqyrtoheshin në veri, kurse ato civile në jug të qytetit. Kryetari i Gjykatës do të jetë serb, kurse kryeprokurori shqiptar.

Megjithatë, në veri të Kosovës qytetarët thonë se nuk e kanë të qartë se çfarë përmbajnë marrëveshjet dhe se janë të bindur se ato nuk do të mund të zbatohen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit