3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Rektorati merr leje për regjistrimin e më shumë studentëve

Më të lexuarat

Rektorati i Universitetit të Prishtinës tashmë e ka marrë dritën jeshile nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) për shtimin e kuotës së regjistrimit të studentëve për vitin e ri akademik 2012-2013, në njësitë akademike ku kërkesat për regjistrim janë të mëdha dhe ku numri i studentëve është plotësuar që në afatin e parë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar, të dielën, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Universitetin e Prishtinës, Milaim Mazreku.

Madje ky e ka vlerësuar pozitivisht vendimin e MASHT-it, duke shtuar se me këtë po u mundësohet më shumë brezave të rinj për t’u shkolluar. Megjithëkëtë, Mazreku ka thënë se ende nuk është e qartë se sa studentë të rinj do të kenë mundësi të regjistrohen me këtë rritje të kuotës, pasi që, sipas tij, çështja duhet të studiohet mirë, në mënyrë që të shihet se çfarë kushtesh afrojnë njësitë akademike për një shtim të tillë, qoftë në kuptimin e pasjes së infrastrukturës e qoftë në mundësitë e tjera të plotësimit të kushteve të studentëve. Po ashtu, ai nuk e ka të qartë se cila do të jetë mënyra e përzgjedhjes së studentëve që do të shtohen: do të merren emrat e atyre që në afatin e parë nuk janë pranuar për mungesë të 0.025 poenëve, apo të testohen studentë të rinj. “Të gjitha këto gjëra do të vendosen në koordinim edhe me Ministrinë e Arsimit dhe me kërkesat që i paraqesin njësitë akademike të UP-së”, ka thënë Mazreku, teksa ka përmendur idenë se kuota për shtimin e numrit të studentëve të rinj do të rritet në veçanti në fakultetet ku mendohet se shoqëria kosovare ka nevojë më të madhe për kuadro. U.d. i sekretarit të përgjithshëm në UP, Mazreku, ka përmendur si drejtime më të rëndësishme për shtim të numrit të studentëve, arkitekturën, mjekësinë, edukimin, ekonominë etj. Një gjë të tillë e ka konfirmuar të dielën edhe vetë këshilltari i ministrit të MASHT-it, Ramë Buja, Ragip Gjoshi. Ky i fundit ka potencuar se rritja e kuotës do të bëhet për së paku 90 studentë të rinj, por kjo nuk do të thotë se shtimi do të bëhet në të gjitha fakultetet. Gjoshi ka thënë se shtimi i kuotës së pranimit të studentëve të rinj do të ndodhë sidomos në ato fakultete, ku kërkesat janë të mëdha dhe prej të cilave në të ardhmen do të ketë interes shoqëria kosovare. Ai, gjithashtu, ka përmendur dy fakultetet në të cilat do të mund të shtohet kuota, Arkitekturë dhe Mjekësi, porse nuk i ka përjashtuar edhe disa fakultete të tjera. “Shtimi i kuotës do të ndodhë vetëm në ato fakultete, për drejtimet e të cilave edhe tregu i përgjithshëm kosovar ka nevojë më shumë. Kosova ka nevojë për më shumë arkitektë dhe për mjekë, prandaj për këto fakultete lejohet regjistrimi i një numri më të madh të studentëve”, është shprehur Gjoshi, teksa ka shtuar se në këtë rritje nuk do të kenë ndikim numrat e studentëve që mund të regjistrohen eventualisht në drejtimet e shkencave matematiko natyrore, e ku interesimi për t’u regjistruar nga studentët është mjaft i vogël. Gjoshi ka theksuar se MASHT-i kishte angazhuar ekspertë që do të bënin analizë për nevojat e ekonomisë së tregut, dhe se pas punës në terren, i bie ministrit Buja që ta marrë vendimin përfundimtar. Sidoqoftë, sipas Gjoshit, afati i dytë për pranimin e studentëve do të bëhet në mesin e shtatorit, ani pse organet e Universitetit të Prishtinës, në fillim të gushtit kishin paralajmëruar se konkursi do të shpallet në fund të njëjtit muaj.Por, Mazreku i UP-së, ka thënë të dielën se shtyrja deri në mes të shtatorit e shpalljes së konkursit është bërë për shkak të zhvillimeve të reja rreth testit kombëtar të maturës.

“Më 31 gusht është mbajtur afati i dytë i provimit të testit të maturës shtetërore. Rezultatet për këtë test do të publikohen pas 3 ditësh, kurse menjëherë pas procedurave të nevojshme do të përgatitet konkursi për afatin e dytë të pranimit të studentëve në UP, i cili pritet të jetë gati nga mesi i shtatorit”, është shprehur Gjoshi. Nga afati i parë, në të gjitha njësitë akademike, vende të zbrazura për studentë, kanë mbetur 4 mijë e 330. Pas përfundimit të konkursit të afatit të parë për pranimin e studentëve në UP dhe pas shpalljes publike të rezultateve, Rektorati i UP-së kishte pranuar 2 mijë e 500 ankesa, 80 për qind e të cilave, sipas zyrtarëve, janë shqyrtuar.

Në konkursin e parë, sipas u.d. të sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Milaim Mazreku, kishin konkurruar mbi 18 mijë aplikues, derisa për të gjitha njësitë akademike janë paraparë të pranohen rreth 10 mijë studentë. Sipas propozimeve të Rektoratit dhe vendimit të ministrit të Arsimit, në vitin akademik 2012-2013 do të regjistrohen afër 10 mijë studentë në Universitetin e Prishtinës, 2 mijë e 90 në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, dhe 1 mijë e 214 në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, ose afërsisht 14 mijë veta. Në lidhje me numrin e vogël deri sivjet të kandidatëve studentë për t’u regjistruar në drejtimet e shkencave matematiko-natyrore, ani pse në disa nga këto drejtime semestrat janë falas, Mazreku ka shfaqur shpresën se edhe në këto drejtime do të plotësohen vendet./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit