-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Një lajm i mirë për ty

Më të lexuarat

Një lajm i mirë për ty

Allahu i Madhëruar thotë: “O robtë e Mi, që e keni ngarkuar veten tuaj me shumë mëkate, mos e humbisni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai fal shumë, Ai është Mëshirëplotë!” [Kurani-39:53]

Allahu i shndërron të gjitha të këqijat në të mira. Për këtë Ai thotë: “Vetëm në qoftë se pendohen e bëjnë vepra të mira, atëherë, Allahu ua shndërron të këqijat në të mira.” [Kurani-25:68-70]

Ç’ mirësi dhe fitim i madh! O Zot i madh! Këtë mirësi e fitim mund ta lërë pas dore vetëm një i paditur e mospërfillës. Prandaj pendohu i dashur vëlla dhe e dashur motër, nëse dëshiron këtë fitim të madh. Dëgjo çfarë ka thënë Profeti (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) për të na nxitur në pendim:

“Allahu është më i Gëzuari për pendimin e robit të vet…” (E përcjellin Buhariu dhe Muslimi)

Profeti (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë, gjithashtu:

“Allahu i Madhëruar thotë: “O robi im! Sa kohë të më lutesh Mua e të shpresosh tek Unë, Unë i fal të gjitha mëkatet e tua. O robi im! Sikur të arrinin mëkatet e tua deri në kupë të qiellit e pastaj të më kërkoje të falur, do të të falja!” dhe Allahu i Madhëruar thotë: “O robtë e mi! Ju bëni mëkate natën dhe ditën dhe Unë jua falë të gjitha mëkatet, prandaj më kërkoni falje Mua, që t’ju fal ju.” Dhe: “Padyshim, Allahu e shtrin Dorën e Tij natën që të pendohet mëkatari i ditës dhe e shtrin Dorën e Tij ditën që të pendohet mëkatari i natës, derisa dielli të lindë nga perëndimi ( deri në Ditën e Kiametit).”

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) pa një nënë e cila po kërkonte fëmijën e saj në moçal; kur e gjeti, nëna e shtrëngoi fëmijën në gji dhe i dha të pijë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) tha:

“A mund ta hedhë kjo nënë fëmijën e saj në zjarrë?” “Jo” thanë shokët e Profetit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) Atëherë, Profeti (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ua ktheu:”Allahu është më i Mëshirshëm me robtë e Tij se sa kjo nënë me fëmijën e saj.”

Allahu Ekber! Allahu është më i Madhi! E, pra, a mund të mos e kërkojmë pendesën pas kësaj mirësie? Pas kësaj bujarie a mund të vonohemi në pendesë?! O Zot! I Lartësuar je Ti! Sa i Mëshirshëm je! Sa i Butë e Bujar je!

Çfarë të ndalon ty të pendohesh e të ndjekësh rrugën e drejtë? Mbase thua familja, shoqëria , shokët! Kam frikë mos pendohem e më pas i kthehem përsëri mëkatit! Mëkatet e mia janë të shumta; e, si mund të më falen!

A mendon se ti do t’i thuash këto te Zoti yt Ditën kur ta takosh atë? Jo për Zotin! Familja, shoqëria, shokët janë pengesa të imagjinuara, që i shkatërron vetëm ai që i frikësohet Allahut.

O besimtar e besimtare! Jini krenar për fenë tuaj! Jini çiltërisht të vendosur për të mirën dhe ngulmoni në të, duke u mbështetur Allahut të Madhëruar. Pastaj, kujtoni mëshirën e Zotit tuaj dhe pafundësinë e Faljes së Tij.

Vëlla! Motër! Sikur të të vijë ty në këtë çast meleku i vdekjes, a je i kënaqur ta takosh Zotin tënd pa u penduar?

Vëlla! Motër! Mos i dredho vetes dhe gjykimit të saj, sepse, në qoftë se nuk i kërkon llogari sot, nesër vendosesh në varr e atëherë s’të bën dobi pendimi.

I dashur vëlla! E dashur motër! Vendos tani, para se të mbyllet dera, për rrugën që do të ndjekësh e që do të jetë rruga jote në këtë botë e në botën tjetër. Oh! Ç’lumturi do të ketë në atë botë! Zemra gëzohet e lumturohet, kur kthehet te Zoti e penduar, duke ndjekur varganin e besimtarëve të mirë.
Vëlla musliman! Motër muslimane! Në qoftë se ke vendosur të pendohesh e të kthehesh tek Allahu, dije se pendimi ka disa kushte që duhen plotësuar patjetër. Kushtet janë:

Të pendohesh dhe të të vijë keq për mëkatet e bëra.

Të largohesh nga mëkati.

Të vendosësh të mos kthehesh më tek mëkati e në qoftë se kthehesh, përsërite pendimin tek Allahu, por vendimi i dytë duhet të jetë i çiltër.

Të pendohesh para frymës së fundit (para vdekjes) dhe para lindjes së diellit nga perëndimi (para Kiametit).

Përgatiti: Erion Sula

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit