Fatin tragjik të popullatës civile në Siri po e ndajnë edhe shqiptarët.
Në këtë vend aziatik jetojnë 10 mijë shqiptarë.
Pjesa dërmuese e tyre ka qenë e koncentruar në dy lagjet e Damaskut pesë milionësh, njëra në pjesën veriore dhe tjetra në atë jugore të kryeqytetit sirian.
Publicisti dhe aktivisti i shquar shqiptarë në këtë pjesë të botës, Muhamed Mufaku-Arnauti i ka konfirmuar Radio Dukagjinit se në mesin e shqiptarëve në Siri, pjesa dërmuese e tyre kosovar, ka të plagosur dhe të vdekur.
Sipas Mufakut, deri më tash dihen emrat e dy të vrarëve. Ata janë Munir Arnauti dhe Behlul Arnauti.
Mufaku ka thënë se lagja shqiptare në jug të Damaskut tash është e boshatisur si pasojë e bombardimeve të mëdha nga ana e regjimit sirian.
Për më shumë, largimi i atyre që kanë mbetur brenda në Siri është vështirësuar shumë, meqë autoritetet nuk lejojnë largimin nga vendi, kryesisht për në Jordani.
Muhamed Mufaku shtoi se nga sot është shtuar përkujdesja e shtetit të Kosovës për qytetarët sirian me origjinë nga Kosova.
Zv.ministri i jashtëm Petrit Selimi konfirmoi për radion tonë të dhënat e cekura nga Mufaku, përfshirë edhe dy të vdekurit.
Sipas Selimit, tërë këtë situatë e vështirëson fakti se personat e vdekur nuk kanë pasur shtetësinë e Kosovës, por vetëm atë të Sirisë. Sipas tji, ambasadat e Kosovës në vendet përreth do të jenë të angazhuara në përpjekjet që t’u dilet në ndihmë shqiptarëve që jetojnë në Siri, ndërsa Mufaku ka parashtruar nevojën e themelimit të një qendre ekskluzive ku do të vinin dhe merreshin informatat për fatin e shqiptarëve në këtë vend aziatik.kohaislame