3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Problemi i Sirisë dhe Birmania (krahinës Arakan)

Më të lexuarat

Problemi i Sirisë dhe Birmania (krahinës Arakan) nuk janë probleme që shqetësojnë vetëm për faktin pse kundër njerëzimit po kryhen masakra, por edhe për shkak të politizimit të këtyre dy çështjeve. Për të intervenuar në Irak e në Libi nuk u deshtë kaq shumë kohë dhe kaq shumë takime e konferenca, ndërsa, përkundër faktit se gjendja vetëm sa përkeqësohet nga dita në ditë në Siri dhe e këtillë vazhdon edhe në Burma, ende nuk ka asgjë konkrete.

Qëndrimi i zymtë i palës ndërkombëtare lë shumë pikëpyetje: Përse nuk intervenohet në Siri? Athua bilanci i viktimave nuk është mbushur ende për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare për veprim?! Përse nuk intervenohet në Birmani kur lufta është në baza fetare? A nuk duhen mbrojtur pakicat fetare?! A nuk kanë të drejtë ata që të ushtrojnë fenë e tyre lirshëm, ashtu siç garantohet në të drejtën ndërkombëtare?!

Për keqardhje është dhe fakti se as mediet nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje, sidomos Birmanisë. Edhe pse çdo ditë kryhen masakra dhe vriten me dhjetëra njerëz, në mediet tona, me përjashtim të disa portaleve islamistike, nuk mund të gjesh pothuajse asgjë që trajton këtë krim kundër njerëzimit.

Deri më tani, përveç Turqisë, e cila ditëve të fundit ka filluar që ta thyejë këtë heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe problemin ta ngrit erdhe në instancat më të larta shtetërore, nuk kemi parë veprim tjetër konkret që ka të bëjë me myslimanët e Birmanisë. Qeveria budiste ushtron terror të paparë ndaj tyre, ndërsa vazhdon të largojë me dhunë nga shtëpitë e tyre me pretekstin se kinse nuk janë banorë porse janë emigrantë. Pra, bëhet fjalë për pastrim etnik dhe fetar. Dhe krejt kjo mund të thuhet, në një farë forme, me bekimin e Kinës, e cila vazhdon ta mbështesë qeverinë e këtij shteti.

Çështja, sinqerisht, është edhe më shqetësuese, kur merr vesh se Bangladeshi, vend me shumicë myslimane dhe në kufi me të cilin janë këta myslimanë, luan një rol jashtëzakonisht destruktiv, pasi që nuk shpreh as mbështetjen më të vogël për ta ndërsa vazhdon të keqtrajtojë refugjatët në llogore, duke i privuar nga e drejta e punës, etj.

Për hir të së vërtetës dhe sensibilizimit të opinionit, që të paktën të mos i harrojmë në lutjet tona, sidomos tash kur jemi në prag të muajit të madhërishëm të Ramazanit, do të doja ta sjelli një historik të shkurtër të myslimanëve në Birmani.

Ata jetojnë në pjesën perëndimore, në shtetin e Arakanës, i cili kufizohet me Bangladeshin. Prejardhja e tyre lidhet me arabët, maurët, persianët, turqit dhe bengalët. Ata besojnë të jenë pasardhës të popullit autokton, vendas, të cilët në Islam kishin kaluar para disa shekujsh. Megjithatë, qeveria e Birmanisë këtë asnjëherë nuk ka dashur që ta pranojë, andaj dhe nuk i ka njohur ata si një grup etnik të veçantë, porse për to ka shfrytëzuar shprehje të tjera, duke i quajtur si “myslimanë bengalë.”

Përhapja e islamit në Arakan (dhe në krahinat jugore bregdetare të Bangladeshit) ka ndodhur përmes detarëve sufi dhe tregtarëve, në shekullin e IX-të. Në përgjithësi janë popull i devotshëm dhe tek ta është normale që meshkujt të kenë mjekra, kurse gratë të mbajnë hixhabin.

Gjenocidin më të madh e kanë përjetuar në vitin 1942, kur regjimi i atëhershëm vrau mbi 100 mijë njerëz. Vetëm në vitin 1997 ushtria ka shkatërruar më shumë se 40 xhami. Gjithashtu, ushtria shkatërroi gjithçka të shenjtë tek rohingjenasit dhe këtë e bënë për të shembur të gjithë trashëgiminë kulturore të këtij populli myslimanë.

Myslimanët janë të njohur si popullata më e madhe pa nënshtetësi, ndërsa gati se 30 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës së Arakanës janë bengalët dhe numri i tyre është në rritje.

Në Birmani jetojnë diku rreth 1.5 milionë myslimanë të Rohingjenit, ndërsa 1.5 milionë të tjerë jetojnë në vende si Bangladeshi, Emiratet dhe në Arabinë Saudite, pikërisht për shkak të shtypjes dhe persekutimit. Myslimanët kryesisht merren me bujqësi. Pra, janë të privuar nga funksionet shtetërore.

Konsideroj se fati ynë është i ngjashëm me këta njerëz. Edhe neve na u mohuan të drejtat siç iu mohuan atyre, e dhe ne u detyruam ta lëshojmë vendin siç detyrohen ata. Andaj, të mos themi se çfarë kanë bërë të tjerët, por çka po bëjmë ne për ta. Ajo që kemi mundësi tash për ta është lutja e sinqertë, ndërsa kjo nuk është pak.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit