-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Rënia e remitencave zvogëlon konsumin

Më të lexuarat

Rënia e dërgesave të emigrantëve do të ketë pasoja në ekonominë kosovare, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas një raporti të UNDP-së dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, thuhet se në tre mujorin e parë të këtij viti, remitencat kanë rënë për 6 milionë euro, ndërsa në vitin 2011 këto dërgesa kanë rënë për 14 për qind, krahasuar me vitin 2010.

Lekë Musa, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë për “Radio Evropa e Lirë” se ndër financuesit kryesorë të kësaj ekonomie dhe konsumit vendor janë remitencat nga jashtë.

“Mos harroni se gjatë këtyre viteve, pas luftës, dy burimet kryesore të financimit kanë qenë remitencat dhe donacionet nga jashtë. Tani, meqenëse kemi një tkurrje të donacioneve që kanë ardhur nga jashtë, mirëpo nga ana tjetër një rënie të remitencave, të dy këto shkurtime do të kenë pasojë për ekonominë e Kosovës”, tha Musa.

Shumica e emigrantëve që investojnë në Kosovë nuk i kanalizojnë mjetet në aktivitete produktive për gjenerim të të ardhurave, apo punësimit. Sipas raportit të fundit, rreth 90 për qind e këtyre mjeteve financiare shfrytëzohen për konsum bazik nga pranuesit.

“Emigrantët kosovarë kanë financuar konsumin në shumë familje. Ky zvogëlim do të ketë pasoja në uljen e kërkesës brenda në Kosovë. Ulja e kërkesës brenda në Kosovë do të ndihet në mënyrë indirekte edhe te biznesi, pasi do të ketë ulje të kërkesave për mallra dhe shërbime, si nga importi ashtu edhe prodhimit vendor. Kjo reflekton edhe në shkurtimin e vendeve të punës”, thekson Musa.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Muhamet Sadiku, konsideron se ulja e dërgesave nga jashtë duhet të trajtohet si problem. Ai konsideron se arsyeja e rënies se remitencave është kriza ekonomike në eurozonë.

“Kriza po merr përmasa serioze dhe të parët që do të goditën në Bashkimin Evropian janë të punësuarit, sepse kompanitë multinacionale, kompanitë tjera, vazhdojnë të reduktojnë numrin dhe kjo do të sjellë probleme edhe te kosovarët të cilët janë duke punuar në perëndim”, shprehet Sadiku.

Dërgesat e mjeteve financiare nga familjarët e tyre që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, në vitin 2011 kanë qenë 379 milionë euro, përderisa në vitin 2010 këto dërgesa kanë qenë 442 milionë euro. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit