Një Millosheviç në variantin grua: ministrja serbe që do kishe spastruar etnikisht Kosovën

Më të lexuarat

Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale Snezhana Paunoviç tronditi publikun rajonal me një deklaratë në lidhje me spastrimin etnik të Kosovës.

Me origjinë nga Peja, ajo tha në një intervistë të transmetuar në TV Kurir të shtunën, më 11 korrik, se në vitin 1998, nëse do të kishte qenë në vendin e Presidentit të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, Slobodan Millosheviç, ajo do ta kishte pastruar etnikisht Kosovën.

“Dhe tani, për mangësitë dhe budallallëkun tonë: nëse do të isha Slobodan Milosheviç, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që kam thënë ndonjëherë në jetën time”, tha Paunoviç, raportoi N1.

Ajo shtoi se nuk do t’i “likuidonte shqiptarët në mënyrën se si po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën deri më sot, por në një mënyrë që të gjithë ata që ndihen më pak si banor i Republikës Federale të Jugosllavisë ta lënë atë dhe të shkojnë në vendin e tyre”.

“Dhe ata që zgjodhën veprime terroriste duhet të likuidohen në mënyrën që zakonisht trajtohen terroristët sot, e lëre më në atë kohë”, tha Paunoviç, duke të kujtuar kësisoj tezat izraelite me palestinezët, që ndërsa ushtrojnë vetë terror e gjenocid, mbrojtjen e viktimës e quajnë terrorizëm.

Megjithatë, ajo shtoi se Milosheviç dhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS) nuk kanë pasur kurrë të njëjtin qëndrim ndaj kësaj teme si ajo.

“Sot, në vitet e mia të pjekura, po flas nga trishtimi, zemërimi, zhgënjimi dhe çfarëdo që të doni. Dhe mund ta them këtë lehtësisht, në fund të fundit. Është shumë më e lehtë për mua ta them sesa për dikë ta bëjë në vitin 1998. Megjithatë, fati i Slobodan Millosheviçit nuk do të kishte ndryshuar ndjeshëm edhe nëse ai do ta kishte bërë një gjë të tillë. Ata e kishin shpallur tashmë kasap”, deklaroi ajo.

Snezhana Paunoviç ka qenë anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992 dhe nënkryetare e saj që nga viti 2024, sipas biografisë së saj zyrtare. Ajo u zgjodh për herë të parë në pozicionin e deputetes në vitin 2013 dhe shërbeu si nënkryetare e Kuvendit për dy mandate.

Le të kujtojmë se ish-Presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Slobodan Millosheviç, u gjykua gjithashtu para Tribunalit të Hagës për krime lufte në Kosovë.

Sipas aktakuzës së Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, Millosheviç udhëhoqi një komplot në Kosovë për të dëbuar një pjesë të konsiderueshme të popullsisë shqiptare të Kosovës me qëllim sigurimin e kontrollit serb mbi rajonin.

Aktakuza thotë se forcat nën kontrollin e tij dëbuan rreth 800,000 civilë shqiptarë të Kosovës, vranë qindra burra, gra dhe fëmijë shqiptarë të Kosovës, abuzuan seksualisht me shumë gra dhe shkatërruan e plaçkitën pronën e shqiptarëve të Kosovës. Aktakuza thoshte se forcat nën kontrollin e Millosheviçit kryen sistematikisht këto krime në të gjithë Kosovën.

Gjyqi i Millosheviçit nuk përfundoi me një vendim pasi ish-presidenti i Serbisë dhe RFJ-së vdiq në njësinë e paraburgimit të Tribunalit në mars 2006, nga një atak në zemër.

Dhe ndër reagimet e shumta për deklarimet e ministres serbe, ishte dhe ai i diplomacisë shqiptare, më saktë ministrit Hoxha:

“Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës”,- thuhet në reagimin e Hoxhës.

Por çështja është se pse mos kishte dhe një deklaratë nga vetë qeveria shqiptare, pra nga vetë Rama(?!). /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit