Teherani po e shndërron Hormuzin në armën e tij kryesore diplomatike
Funerali i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, nuk ishte thjesht një ceremoni shtetërore, por një demonstrim force politike dhe strategjike.
Sipas një analize të Reuters, pjesëmarrja masive në ceremoninë mortore në Teheran dërgoi një mesazh të qartë drejt Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit: përpjekja për të gjunjëzuar Republikën Islamike pas luftës së nisur me sulmet amerikano-izraelite të 28 shkurtit nuk ia arriti qëllimit.
Në vend që të shfaqej e dobësuar, Irani u paraqit si një shtet i bashkuar, sfidues dhe i vendosur të ndikojë në arkitekturën e re të Lindjes së Mesme.
Sipas diplomatëve, zyrtarëve rajonalë dhe analistëve të cituar nga Reuters, Teherani po përpiqet ta shndërrojë mbijetesën në luftë në kapital politik dhe diplomatik.
Në qendër të strategjisë së re nuk ndodhet më programi bërthamor, por Ngushtica e Hormuzit, korridori përmes të cilit kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm që tregtohet në botë.
Irani synon që çdo marrëveshje e ardhshme me Perëndimin të nisë nga pranimi i rolit të tij dominues mbi këtë pikë strategjike.
Armëpushimi 60-ditor i propozuar nga Uashingtoni synonte rikthimin e negociatave për programin bërthamor iranian, por sipas Reuters ai ka hapur një betejë të re diplomatike.
Në vend të pasurimit të uraniumit, tani pesha kryesore negociuese e Teheranit është pozita e tij gjeografike.
Analisti Alex Vatanka nga Middle East Institute shpjegon se për Iranin Hormuzi ka më shumë rëndësi simbolike sesa ekonomike. Sipas tij, Teherani kërkon që bota të pranojë rolin e tij sovran mbi ngushticën.
Duke cituar një fjalë të urtë perse, ai thotë: “Pse të japësh një diamant për një karamele?” Për Iranin, “diamanti” është Hormuzi, ndërsa lehtësimi i sanksioneve dhe zhbllokimi i aseteve të ngrira janë “karamelja”.
Edhe drejtuesit iranianë e kanë bërë të qartë këtë qasje. Kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, e cilësoi Ngushticën e Hormuzit si “bekimin më të madh hyjnor” të vendit dhe deklaroi se Irani nuk do të heqë dorë në asnjë rrethanë nga të drejtat e tij mbi këtë zonë.
Burime diplomatike rajonale thonë se Teherani po i zvarrit me qëllim negociatat për të konsoliduar përfitimet strategjike të luftës, përpara se të rikthehet seriozisht te dosja bërthamore.
Ish-diplomati amerikan Alan Eyre vlerëson se Irani nuk ka nxitim, sepse beson se koha punon në favor të tij. Sipas tij, Teherani synon ta institucionalizojë ndikimin e tij në Hormuz përmes marrëveshjeve mbi tranzitin, koordinimin dhe shërbimet përgjatë korridorit detar.
Reuters thekson gjithashtu se Irani beson se presidenti amerikan Donald Trump ndodhet nën presion politik të brendshëm dhe dëshiron të shmangë një tjetër përshkallëzim ushtarak përpara zgjedhjeve afatmesme të Kongresit.
Kjo, sipas analistëve, i jep Teheranit më shumë hapësirë për të shtyrë negociatat dhe për të kërkuar kushte më të favorshme.
Edhe Aaron David Miller, ish-negociator amerikan për Lindjen e Mesme, argumenton se fushata ushtarake nuk arriti t’ia heqë Iranit avantazhin strategjik në Hormuz. Sipas tij, afati 60-ditor për një marrëveshje përfundimtare ishte jorealist dhe Irani nuk do të rikthehet seriozisht te programi bërthamor derisa të sigurohet se realiteti i ri në Hormuz është pranuar nga SHBA-ja dhe partnerët ndërkombëtarë.
Shqetësime të ngjashme shprehin edhe vendet e Gjirit Persik. Presidentja e Emirates Policy Center, Ebtesam Al-Ketbi, vlerëson se ndërprerja e luftës pa zgjidhur shkaqet e saj e ka shndërruar Hormuzin nga një pikë presioni në burimin kryesor të ndikimit afatgjatë të Iranit.
Sipas saj, Teherani nuk do ta braktisë këtë avantazh as në këmbim të heqjes së sanksioneve. Përfundimi i analizës së Reuters është se pas luftës po merr formë një rend i ri rajonal, ku kontrolli i Hormuzit është bërë elementi qendror i ekuilibrit strategjik.
Në këtë realitet të ri, Irani nuk konsiderohet fitues absolut, por sipas analistëve ai ka dalë nga konflikti me më pak humbje se Shtetet e Bashkuara dhe me një pozicion negociues më të fortë se më parë. \tesheshi.com\
