Pejgamberi ﷺ e ka quajtur Muharremin “Muaji i Allahut”.
Përmendja e tij në lidhje me Allahun tregon për nderin dhe vlerën e veçantë të këtij muaji, sepse Allahu i Lartësuar ia atribuon Vetes vetëm krijesat e Tij më të veçanta.
Agjërimi i Ditës së Ashurasë
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Agjërimi i ditës së Ashurasë, shpresoj tek Allahu që t’i shlyejë gjynahet e vitit të kaluar.”
(Transmeton Muslimi)
Vlera e Muharremit
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Agjërimi më i vlefshëm pas Ramazanit është agjërimi në Muajin e Allahut, Muharrem. Dhe namazi më i vlefshëm pas namazeve të detyrueshme është namazi i natës.”
(Transmeton Muslimi, nr. 1163)
Urtësia e agjërimit të Ashurasë
Kjo ditë agjërohet sepse:
* Allahu e shpëtoi Musain (alejhi selam) dhe popullin e tij.
* E shkatërroi Faraonin dhe ushtrinë e tij.
Prandaj është e pëlqyeshme që çdo musliman e muslimane ta agjërojë këtë ditë si falënderim ndaj Allahut.
Ashuraja është dita e dhjetë e muajit Muharrem.
Kujdesi i Pejgamberit ﷺ për Ashuranë
Ibën Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë:
“Nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ të kujdesej për agjërimin e ndonjë dite, duke i dhënë përparësi ndaj ditëve të tjera, përveç kësaj dite – ditës së Ashurasë – dhe këtij muaji, domethënë muajit të Ramazanit.”
(Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Nga jeta e Imam Zuhriut
Imam Zuhriu (Allahu e mëshiroftë) ishte në udhëtim dhe agjëronte ditën e Ashurasë. Dikush i tha:
“Po agjëron, ndërsa në Ramazan, kur je në udhëtim, e prish agjërimin?”
Ai u përgjigj:
“Ramazani ka ditë të tjera që mund të kompensohen, ndërsa Ashuraja kalon dhe nuk kthehet.”
Hoxhë Bekir Halimi
