Të ndjekësh Botërorin mes rrënojave

Më të lexuarat

Lufta ua shkatërroi palestinezëve stadiumet dhe shtëpitë, por jo pasionin për futbollin

Fadi al-Arawi, futbollist në Ligën Premier të Rripit të Gazës, nuk ka mundur të zbresë në fushë që kur sportet profesionale u pezulluan me shpërthimin e luftës më shumë se dy vjet më parë. Ashtu si shumica e banorëve të Gazës, ai nuk ka më as një shtëpi ku mund të ndjekë Kupën e Botës në televizor.

Ndërsa po bëhej gati të fillonte ndeshja e së shtunës mes Katarit dhe Zvicrës, ai veshi uniformën e tij të vjetër të Klubit Sportiv të Gazës dhe medaljet që kishte fituar në gara ndërkombëtare.

Në errësirë, përpara një laptopi me ekran që dridhej, ai përpiqej të kapte një sinjal interneti për të parë ndeshjen me një grup miqsh në një dhomë të një shkolle të shndërruar në strehë për palestinezët e zhvendosur nga fushata ushtarake e Izraelit.

“Shihni, ky është interneti. Po fillon të ndërpritet dhe ndeshja ende nuk ka nisur…”- i tha al-Arawi, 38 vjeç, agjencisë Reuters në Khan Yunis, ndërsa sipër dëgjoheshin dronët izraelitë. “A i dëgjoni dronët? Mund të jetojmë ose të vdesim, mund të bombardohemi”-shton ai.

Pjesa më e madhe e Gazës u shkatërrua dhe infrastruktura e saj u dëmtua rëndë gjatë ofensivës ushtarake dyvjeçare të Izraelit në territor, e nisur pas sulmeve të Hamasit në tetor 2023. Megjithëse në tetor 2025 u arrit një armëpushim, Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme në Gaza, ndërsa Hamasi deri më tani ka refuzuar thirrjet për të dorëzuar armët në këmbim të tërheqjes së trupave izraelite.

“Pavarësisht gjithçkaje, ne do t’i shohim ndeshjet”

Pothuajse e gjithë popullsia prej më shumë se 2 milionë palestinezësh jeton në një brez të ngushtë territori të kontrolluar nga Hamasi përgjatë bregdetit, kryesisht në tenda dhe ndërtesa të dëmtuara.

Alaa Babli, i cili drejton kafenenë Royal në Qytetin e Gazës, ka instaluar dy linja alternative energjie dhe një bateri rezervë për të siguruar që ndeshjet e vona të natës të mund të transmetohen edhe pasi gjeneratorët me karburant të ndalen pas mesnate.

Hani Abu Rizq, i cili kishte ardhur për të parë një ndeshje nën flamujt e Egjiptit dhe Marokut të varur në murin e kafenesë, tha se banorët e Gazës nuk janë kurrë të lirë nga frika kur ndodhen në vende publike.

“Kafeneja mund të jetë objektiv sulmi. Diçka pranë meje mund të goditet dhe unë mund të humbas jetën… Por pavarësisht gjithçkaje që po vuajmë, ne vazhdojmë dhe do t’i shohim ndeshjet”- tha ai.

Sipas Federatës Palestineze të Futbollit, 1.000 sportistë janë mes 73.000 palestinezëve të vrarë nga Izraeli gjatë luftës që nga viti 2023. Mes tyre ka pasur fëmijë, sportistë amatorë në të gjitha disiplinat, arbitra dhe profesionistë.

Izraeli ka shkatërruar gjithashtu rreth 285 objekte sportive. Disa janë rrafshuar plotësisht me buldozerë, ndërsa të tjera janë bombarduar. Forcat izraelite kanë shndërruar stadiumet në kampe ndalimi, disa prej të cilave u bënë të njohura për akuzat mbi keqtrajtimin e të burgosurve.

Stadiumi Al-Yarmouk në Qytetin e Gazës, arena më e rëndësishme sportive e enklavës, ku al-Arawi dhe futbollistë të tjerë profesionistë dikur luanin para mijëra spektatorëve, është kthyer tani në një qytet tendash për familjet e zhvendosura.

“Që nga lufta shkatërrimtare izraelite e vitit 2023, sporti palestinez ka qenë një nga objektivat kryesore të makinerisë ushtarake izraelite”- shprehet Mustafa Siam nga Federata Palestineze e Futbollit. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit