Mesazh për Ramën e shoqërinë në përgjithësi: Ne nuk jemi antihebrenj, vërtetuar me vepra e jo vetëm me fjalë!

Më të lexuarat

Një qartësim në kohë të turbullta mbi një spekullim të paskrupullt

Aspak i nderuar Kryeministër,

Ju nuk dini pak nga Islami, ashtu siç i njihni deri fort mirë muslimanët, pasi një urtësi e Zotit jua ka çuar t’i keni shumë pranë punëve tuaja në vite. Kësisoj, e dini që në etikën islame, para kritikës tjetrit i renditen të mirat, anët pozitive, më pas vjen kritika ose evidentimi i së keqes te tjetri. Po ashtu, e dini fort mirë se muslimani e ka për obligim moral të jetë mirënjohjes ndaj çdo të mire nga njerëzit, si shprehje e mirënjohjes ndaj Zotit.

Ndaj, le ta nisim nga e mira juaj, rrjedhimisht nga mirënjohja:

Në aspekt të ngushtë komunitar, është e vërtetë se ju keni bërë diferencën në shumëçka kundrejt muslimanëve, nga të gjithë pushtetet para teje. Me ty në qeverisje, debate si “shamia” pothuajse u shuan dhe administrata juaj, deri në nivele të larta afër jush, u mbush me muslimanë. Po ashtu dhe sajdisja juaj ndaj muslimanëve ka qenë deri diku shembullore. E keni bërë për interes politik apo ndjenjë empatie, kjo pak rëndësi ka. E keni bërë dhe u jemi mirënjohës.

Në aspekt më të gjerë, atë qeverisës, po, me ju Shqipëria nuk qenë kurrë më estetike, përfshirë dhe ritmin e zhvillimit infrastuktor, por substancialisht, sëmundjet e saj e kanë shndërruar në një pacient gati në koma. Sot me ju, Shqipëria ka në pikëpyetje vetë ekzistencën e saj. Metaforkisht, Shqipëria nën ju është si ato shkollat e ngjyrosura që sa vijnë e boshatisen. Ashtu si qytetet nën Rilindje Urbane.

Sepse, siç njeriut do i peshohen veprat e punët në ditën kur do japë llogari para Zotit – e beson apo nuk e beson, kjo do të ndodhë – peshorja e asaj dite se nga do rëndojë ajo, vlen dhe në këtë botë e mund të merret si kriter dhe për një qeverisje; që do të thotë se shumatorja e dështimeve tuaja apo e keqqeverisjes prevalon shumë më tepër se sa ato pak të mira. Ja, kjo është e vërteta që e di por nuk do ta pranosh. Sepse dështimi yt më i madh është se nuk arrite ta pranosh të vërtetën në kushte pushteti; në kushte jo pushteti kjo është farë e lehtë. Ashtu siç tradhëtia juaj më e madhe nuk është ndaj vendit dhe njerëzve që të besuan, por ndaj vetes tuaj në radhë të parë. Drama juaj është pikërisht kjo: ti sot, nuk ke asnjë lidhje me Edi Ramën e dikurshëm dhe kjo inkoherencë e juaj po e çon vendin në katastrofë. Shih protestat: aty në fakt je ti, edhe në spektaklin e memeve, që proteston kundër vetes tënde. Ata mijëra shqiptarë që ti i shpotit dhe i përtall turpshëm, që janë amaneti yt qeverisës, ku shumë prej tyre mund të të kenë dhënë dhe votën, të kanë për inspirim dhe ty dikur. E kupton kaq gjë? E kupton paradoksin ku e ka futur veten dhe vendin?

Dhe tani dalim te aspekti më i shëmtuar i yti këto ditë, atë që të kujton dhe një ndër aspektet më të shëmtuara të Berishës në ’97-ën kur tentonte të fuste spicat e ndarjeve krahinore, përçarjes ndër shqiptarë. Me gjuhën e Netanyahut, ti dhe ca figura të pështira mediatike afër teje, po aludoni turpshëm për një nxitje urrejtje kundër hebrenjve nga ana e muslimanëve. Në këtë pikë, o je i padijshëm o je i lig. Më e mundshme është kjo e dyta. Ndaj, jo aq për dijeninë tënde, por me shumë për dijeninë e publikut, një ndër krenaritë e muslimanëve është fakti i mirëtrajtimit e madje shpëtimit të hebrenjve sa herë ata janë persekutuar nga ata me besimin fetar që ti u takon, apo që i përkasin atij kinse qytetërimi që ti thua se aspiron. Në këtë pikë, superioriteti ynë moral ndaj teje është shumë i madh. Shih dhe se kush i shpëtoi hebrenjtë në Shqipëri: ishte zemërgjerësi muslimane para se të ishte shqiptare, e trashëguar nga një traditë muslimane shekullore. Atë tokë sot të larë në gjak nga kafshëria sioniste, muslimanët e kanë sunduar me shekuj, përfshirë dhe pesëqind vitet osmane. Dhe ne jemi krenarë të themi se kurrë, asnjë padrejtësi nuk iu është bërë hebrenjve të atyshëm. Kanë jetuar me dinjitet e paqe, siç e kanë gëzuar dinjitet vetëm nën muslimanë, historikisht. Tani, je i sfiduar: po pate një shembull të ngjashëm nga besimi dhe qytetërimi të cilit i përket, bujrum, na e thuaj. Ndaj, duhet të të vijë turp të na quash antihebrenj. Po, ne jemi antisonistë, jemi kundër një skote gjakatarësh e zulluqarësh, të cilët nën ty dhe me nxitjen tënde po i aviten dhe Shqipërisë, atdheun tonë, mu në kohën e një kasaphane ndaj një populli tjetër. Dhe ky popull, po ashtu musliman, ishte ai që u hapi krahët në ditët e tyre të vështira, për ta pësuar siç e po pëson. Ndaj ne sot refuzojmë të kemi të njëjtin fat, diktuar prej jush. Jeni votuar për të qeverisur Shqipërinë e shqiptarët e jo për t’u shndërruar në guvernator të Izraelit në shërbim të planeve të tyre diabolike e antinjerëzore, hapur fare, siç po e bëni. Ku është patriotizmi këtu?! Jo, kjo është tradhëti, më e rënda që i ka ndodhur këtij vendi.

Dhe nëse ju do thoshit se jeni antinazist e jo antigjerman, ne ju themi se jemi antisionistë e jo antihebrenj! E vërtetuar kjo.

E dini kryeministër, ka ca kohë që në Kosovë po gëlon një farë Lëvizja e Deçanit. Nuk janë tmerr për atë ku ftojnë, kthimin e muslimanëve në të krishterë; janë tmerr në injorancën dhe ligësinë e tyre. Janë injorantë në fe, histori e çdo fushë socialogjike, në aspekt debati. Ftojnë në Krishtërim duke qenë idiotë katastrofalë dhe në njohjen e këtij besimi, të doktrinës së krishterë. Por kullojnë dhe ligësi njëkohësisht. Kanë bashkëjetuar me shekuj me muslimanë, bashkëjetojnë ende me ta: janë bashkëqyetarë, bashkëfshatarë, janë fqinj me ta, janë kolegë, marrin e japin me ta, ndajnë të njëjtat hapësira, të njëjtën rrugë, janë përballë çdo ditë me parë, me gjasë dhe përshëndeten me ta, nuk kanë asnjë ankesë ndaj tyre, nuk artikulojnë dot qoftë dhe një padrejtësi që u është bërë, një pasuri a nder që mund t’u jetë cenuar, aq më pak ndonjë krim që muslimanët kanë bërë ndaj tyre, dhe në fund bëjnë atë qw bëjnë, duke cenuar e rrezikuar të zhbëjnë ndër vlerat më të mëdha shqiptare, aspak mitike, bashkëjetesën. E pra, a nuk është kjo tradhëti kombëtare?! Mirëpo po t’i pyesësh ata, rrahin gjoksin për patriotizëm. Po ti si ata je?

Dhe në fund, mos harroni se ky mesazh po ju vjen nga një media që jua ka bërë avokatinë deri dje për shumëçka, derisa keni shkelur vijat e kuqe. Ashtu si nuk duhet të harroni dhe mbështetjen e shumë muslimanëve ndaj jush, nisur nga besimi që kanë patur te ju.

Po ashtu nuk duhet të harroni se dhe në aspekt të atdhedashurisë kemi një superioritet moral. Do a po nuk do, të pëlqen apo jo, së paku si shtet, Shqipëria është nga ata burra muslimanë në ballë të saj në kohën kur nuk llogaritej të ekzistonte. Dhe këtë trashëgimi të vyer ti po e zhbën sot, tradhëtisht, duke e shkruar emrin te kuislingët e të nesërmes.

E ke vënë re: e gjithë qeverisja juaj është një boomerang. Për çfarë ke akuzuar të tjerët para teje, për çfarë i ke përtallur e ironizuar, tashmë të gjithë po të kthehen në fytyrë. Kështu është kur ardhuron veten. Dhe tani prite kur të jesh viktimë tragjike e këtij adhurimi të vetes, drejt asaj po shkon dhe nuk ka rëndësi nëse e pranon apo jo.

Zoti s’mund të ta bekojë një qeverisje kur vendos veten në vend të Tij. Harroje!

E nise qeverisjen si shpëtimtar i Shqipërisë, po e përfundon si makth i saj! Si Berisha…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit