Pse Inteligjenca Artificiale rrezikon jetën e mbi një miliardë njerëzve

Më të lexuarat

Brenda katër vitesh kjo teknologji do harxhojë ujin e konsumuar nga 1.3 miliardë njerëz, kryesisht në Afrikë

Deri në vitin 2030, konsumi i ujit i lidhur me inteligjencën artificiale (AI) mund të arrijë nivele të barabarta me atë të 1.3 miliardë njerëzve në Afrikën Subsahariane.

Ky është një nga paralajmërimet kryesore të raportit të publikuar nga United Nations University Institute for Water, Environment and Health (UNU-INWEH), i cili thekson se ndikimi mjedisor i kësaj teknologjie po nënvlerësohet ndjeshëm.

Sipas raportit, deri në fund të dekadës, infrastruktura që mbështet AI mund të kërkojë pothuajse trefishin e konsumit vjetor të energjisë së kombinuar të Pakistan, Bangladesh dhe Nigeria, vende me rreth 650 milionë banorë.

Elemetimet e karbonit në atmosfrë mund të arrijnë 400 milionë tonë CO₂ ekuivalent, një shifër e krahasueshme me emetimet totale të Britanisë së Madhe. Ndërkohë, infrastruktura fizike e AI – përfshirë qendrat e të dhënave, sistemet energjetike dhe zinxhirët e furnizimit – mund të zërë rreth 14.500 kilometra katrorë tokë, ose një sipërfaqe sa dyfishi i zonës metropolitane të Jakarta-s ose dhjetëfishi i Mexico City.

Aktualisht, qendrat e të dhënave që fuqizojnë AI konsumojnë rreth 448 teravat-orë energji elektrike në vit, një nivel i krahasueshëm me konsumin kombëtar të Francës. Përveç karbonit, raporti merr në konsideratë edhe ujin e përdorur për ftohjen e serverëve dhe për prodhimin e energjisë elektrike.

Çdo kilovator i përdorur për të trajnuar ose për të ekzekutuar një model AI ka një gjurmë të trefishtë: karbon, ujë dhe përdorim toke. Një aspekt i rëndësishëm që theksohet është se ndikimi mjedisor nuk lidhet vetëm me fazën e trajnimit të modeleve, siç është menduar më parë.

Sipas analizës, 80-90 për qind e konsumit total të energjisë lidhet me fazën e “inference”, pra me përpunimin e çdo kërkese që bëjnë përdoruesit. Një bisedë standarde me një chatbot si ChatGPT ose Gemini, kërkon shumë më tepër energji sesa funksione të thjeshta automatike, si filtrimi i postës së padëshiruar.

Gjenerimi i imazheve apo videove kërkon akoma më shumë burime, duke e rritur ndjeshëm gjurmën energjetike. Raporti vë në dukje edhe pabarazitë globale. 90 për qind e kapaciteteve të specializuara për AI ndodhen në SHBA dhe Kinë.

Ndërsa kostot mjedisore – përfshirë mbetjet elektronike, që pritet të arrijnë 2.5 milionë tonë në vit deri në 2030 – shpërndahen globalisht, shpesh në vende me burime të kufizuara. Për shembull, në Irlandë qendrat e të dhënave përbënin 21 për qind të konsumit kombëtar të energjisë në vitin 2023, duke çuar në vendosjen e kufizimeve për objekte të reja.

Autorët bëjnë thirrje për transparencë më të madhe, raportim të standardizuar të gjurmës mjedisore dhe “efikasitet me dizajn” – përdorimin e modeleve të përshtatshme për detyra specifike.

Mesazhi i tyre është i qartë: AI nuk është vetëm kod dhe algoritëm, por një infrastrukturë fizike me pasoja reale për planetin, që duhet zhvilluar brenda kufijve të qëndrueshmërisë. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit