Trump rifillon sulmet mes presionit të Netanyahu-t dhe republikanëve radikalë
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të martën se arritja e një marrëveshjeje me Iranin mund të kërkojë “edhe disa ditë”, duke zbehur shpresat për një fund të shpejtë të konfliktit, vetëm një ditë pasi SHBA kreu sulme të reja në jug të Iranit, raportoi Reuters.
Rubio tha se sulmet kishin në shënjestër mjete që dyshohej se po vendosnin mina dhe baza raketore iraniane, ndërsa theksoi se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur “në një mënyrë ose në një tjetër”.
Megjithëse armëpushimi mes palëve është në fuqi që nga fillimi i prillit, Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se kishte kryer goditje të reja për “mbrojtjen e trupave amerikane nga kërcënimet iraniane”.
Nga ana tjetër, Irani deklaroi se kishte rrëzuar një dron “armik” me një sistem të ri të mbrojtjes ajrore.
Sulmet ndodhën ndërsa negociatori kryesor iranian dhe ministri i Jashtëm ndodheshin në Doha për bisedime me Katarin mbi një marrëveshje të mundshme me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës tremujore, sipas Reuters.
Më herët, Rubio deklaroi në Indi se Uashingtoni do t’i jepte diplomacisë çdo mundësi për sukses para se të shqyrtonte “opsione të tjera” ndaj Iranit. Ai tha se në tryezë ekzistonte një “propozim serioz” për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe negociata të kufizuara për çështjen bërthamore.
Nga ana e tij presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në Truth Social se bisedimet me Iranin “po ecin mirë”, por paralajmëroi për sulme të reja nëse negociatat dështonin. “Ose do të ketë një marrëveshje të madhe për të gjithë, ose nuk do të ketë fare marrëveshje”- shkroi ai.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi intensifikim të sulmeve ndaj Hezbollahut në Liban. Ushtria izraelite tha se kishte goditur objektiva të Hezbollahut në Luginën Bekaa dhe zona të tjera në lindje të Libanit.
Sipas Reuters, bisedimet në Doha janë fokusuar te Ngushtica e Hormuzit dhe rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar. Në takim mori pjesë edhe guvernatori i bankës qendrore iraniane për të diskutuar mundësinë e zhbllokimit të fondeve iraniane të ngrira.
Zëdhënësi i diplomacisë iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se çështjet bërthamore do të diskutohen vetëm pasi të arrihet një marrëveshje kornizë.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se synimi kryesor i SHBA-së është të pengojë Iranin të zhvillojë armë bërthamore, ndërsa Teherani mohon se ka një program të tillë.
Përshkallëzimi i tensioneve ka ndikuar edhe në tregjet globale. Që nga nisja e sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit është ulur ndjeshëm, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës, karburanteve dhe ushqimeve në tregjet ndërkombëtare. \tesheshi.com\
