Myftinia e Shkodrës këtë vit nuk do të zhvillojë pritje zyrtare me përfaqësues politikë dhe autoritete vendore në festën e Kurban Bajramit, siç ka ndodhur prej vitesh me radhë.
Paraditen e 27 majit, në oborrin e xhamisë së Parrucës do të organizohet një aktivitet festiv me fëmijët, duke e vendosur fokusin tek atmosfera e festës dhe gëzimi i tyre.
Për shkak të pjesëmarrjes së madhe të fëmijëve, Myftinia ka vendosur të mos zhvillojë vizita apo pritje nga politika, duke i dhënë kështu prioritet aktivitetit të organizuar për më të vegjlit.
Ky është një ndryshim nga tradita e viteve të fundit, ku në ditën e Kurban Bajramit zhvilloheshin vizita urimi nga drejtues vendorë, deputetë, përfaqësues politikë dhe figura të tjera publike.
