Pse Trump e ka të pamundur t’u rikthehet sulmeve ndaj Iranit

Më të lexuarat

Me shumë pak municione dhe pa bazat saudite, SHBA-së i mbetet të rihapë Hormuzin vetëm përmes diplomacisë dhe jo me forcë.

Misioni “Project Freedom” u shpërbë brenda dy ditësh. Një kthesë e papritur në negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit e nxori atë jashtë loje, duke e bërë të qartë se Ngushtica e Hormuzit mund të rihapet vetëm përmes rrugëve diplomatike dhe jo me forcën e armëve.

Megjithatë, mediat e Gjirit pasqyrojnë një realitet tjetër. Atje spikasin të paktën tre faktorë që dëshmojnë të kundërtën: faktin që Uashingtoni u detyrua të tërhiqej.

Së pari, Arabia Saudite refuzoi kategorikisht përdorimin e bazave të saj ajrore. Ky lajm, i cili nisi të qarkullonte nga burime lokale, u konfirmua më pas edhe nga media amerikane si NBC.

Së dyti, kjo tërheqje lidhet me krisjen gjithnjë e më të thellë mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Analistët e rajonit janë përfshirë në një luftë akuzash të ndërsjella.

Emiratasit aludojnë për një sulm saudit në portin dhe rafinerinë e Fujeirah-s, të kryer nën petkun e një operacioni iranian. Nga ana tjetër, sauditët kundërpërgjigjen duke thënë se sulmet ndaj infrastrukturës së tyre energjetike në javët e para ishin operacione “false flag”, pra të inskenuara nga emiratasit për t’ua faturuar iranianëve.

Hendeku mes Riadit dhe Abu Dabit është zgjeruar aq shumë, saqë ka asfiksuar edhe hapësirat manovruese të SHBA-së. Arabia Saudite mbetet një gjigant gjeografik prej dy milionë kilometrash katrorë, ndërsa Emiratet janë thjesht një konfederatë qytet-shtetesh me një popullsi autoktone prej 800 mijë banorësh, të cilët gjenden të ekspozuar në një Gji, ku ligjin e bëjnë dronët dhe raketat iraniane.

Dështimi i Pentagonit për të thyer Gardën Revolucionare (Pasdaranët) ka shkaktuar një tërmet gjeopolitik. Siç vëren analisti Trita Parsi: “Pasojat do të jenë shumë më të rënda se ato të pushtimit të Irakut në vitin 2003”.

Në Luftën e Dytë të Gjirit, SHBA-ja korri një fitore ushtarake rrufe brenda tri javësh, edhe pse dështoi politikisht. Në konfliktin aktual, Uashingtoni nuk arriti dot as fitoren ushtarake. Përkundrazi, Irani i ka imponuar SHBA-së një disfatë strategjike duke shfrytëzuar mjeshtërisht teknologjinë dhe gjeografinë.

Së fundmi, arsyeja më pragmatike: Donald Trump nuk mund të rifillojë sulmet menjëherë sepse arsenali i tij është i ezauruar. Siç raporton veterani i gazetarisë, Georges Malbrunot, SHBA-ja i ka njoftuar aleatët se i mungojnë municionet për goditje të reja ndaj Iranit dhe se u nevojitet kohë për të rimbushur rezervat.

Pa municione dhe pa mbështetjen logjistike të sauditëve, një përballje finale me Teheranin është aktualisht e pamundur. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit