O vëllai im musliman, i sinqertë dhe i mençur!
Dije Allahu të ruajttë se muslimani është vëlla i muslimanit dhe se besimtarët janë vëllezër sipas gjykimit dhe ligjit të Allahut. Allahu i lidhi ata me lidhjen e imanit dhe e bëri atë mbi lidhjet e epshit dhe fanatizmit. Allahu i Lartësuar thotë:
﴿ Vërtet, besimtarët janë vëllezër. ﴾
Por shejtani, armiku i përhershëm i njeriut, nuk kënaqet që kjo vëllazëri të mbetet e pastër dhe e sinqertë. Ai e di se bashkimi i zemrave mbi të vërtetën është forcë, se pastërtia e zemrës është adhurim dhe se pajtimi mes njerëzve është prej shkaqeve më të mëdha të mëshirës.
Prandaj ai përpiqet të këpusë lidhjet e dashurisë, të mbjellë dyshime dhe ta zhvendosë vëllazërinë nga këshilla dhe mëshira në fushën e akuzave dhe armiqësisë. Allahu na paralajmëroi për këtë kur tha:
﴿ Mos ndiqni hapat e shejtanit. ﴾
Një nga hapat më të rrezikshëm të shejtanit është prishja e marrëdhënieve mes besimtarëve. Ai hyn në zemra nga dyert më të ngushta: një keqkuptim, një dyshim i vogël, zmadhimi i një gabimi apo interpretimi i gabuar i një fjale… derisa ta kthejë figurën e vëllait në sytë e tjetrit nga ndihmues në armik.
Prandaj besimtari i mençur nuk ia hap shejtanit derën e vëllait të tij. Ai e mbyll atë me mendim të mirë, me verifikim para gjykimit, me këshillë të sinqertë para armiqësisë dhe me zemër të pastër para se t’i përgjigjet vesveseve.
Kur gjen për vëllanë e tij një kuptim të mirë, e merr me të mirën. Kur diçka i bëhet e paqartë, e pyet me butësi. Nuk e bën dyshimin gjykatës dhe as shejtanin dëshmitar.
Shejtani nuk gëzohet për asgjë pas shirkut më shumë sesa për prishjen e zemrave të bashkuara, sepse kështu dobëson forcën e xhematit, hap dyert e urrejtjes dhe e shndërron vëllazërinë nga një begati në një fushë akuzash dhe dyshimesh.
Prandaj, prej kuptimit të vërtetë të imanit është që t’i thuash vetes në çastin e parë të një mendimi të keq:
“Unë jam me vëllanë tim kundër shejtanit, jo me shejtanin kundër vëllait tim.”
Domethënë:
Unë e ndihmoj vëllanë tim kundër vesveseve, ia interpretoj fjalët në mënyrën më të mirë, ia mbuloj gabimet, e këshilloj me mëshirë dhe i kërkoj arsyetim sa të mundem. Nuk bëhem ndihmës i shejtanit kundër tij duke besuar çdo mendim të keq dhe duke ushqyer çdo dyshim.
Disa nga selefët kanë thënë:
“Kur të arrijë për vëllanë tënd diçka që nuk të pëlqen, kërkoji një arsyetim. Nëse nuk gjen, thuaj: ndoshta ai ka një arsye që unë nuk e di.”
Vëllazëria nuk do të thotë që vëllai yt të mos gabojë apo të pajtohet me ty në çdo gjë. Vëllazëria është ta njohësh thelbin e tij kur rrëzohet, t’ia kujtosh të mirat kur gabon dhe ta mbash derën e këshillës të hapur, pa i dhënë shejtanit mundësi të shkatërrojë dashurinë e ndërtuar me bindje ndaj Allahut.
Dyshimi i keq është si një zjarr i vogël: fillon me një mendim, bëhet bisedë e brendshme, pastaj qëndrim, ftohje dhe në fund shkëputje. I mençuri e shuan në fillim, para se të bëhet zjarr në zemrën dhe marrëdhëniet e tij.
– Kur dëgjon diçka për vëllanë tënd: verifikoje.
– Kur sheh prej tij një veprim: kërkoji arsyetim.
– Kur të bëhet diçka e paqartë: pyete me butësi.
– Kur gabimi i tij vërtetohet: këshilloje fshehurazi dhe me mëshirë.
– Kur kërkon falje: pranoja arsyetimin.
– Dhe kur shejtani të hedh dyshime: kërko mbrojtje tek Allahu dhe thuaj:
“Ky është vëllai im, ndërsa shejtani është armiku im.”
Mos e bëj vëllanë armik dhe shejtanin këshilltar. Shejtani nuk këshillon — ai zbukuron të keqen; nuk përmirëson — ai prish.
Besimtari i sinqertë, kur sheh gabim te vëllai i tij, thotë:
“Si ta shpëtoj vëllanë tim nga kjo?”
dhe jo:
“Si ta rrëzoj me këtë?”
Vëllazëria për hir të Allahut është amanet. Pastërtia e zemrës është adhurim. Pajtimi mes njerëzve është afrim tek Allahu. Ndërsa frenimi i vetes nga dyshimet është një xhihad i fshehtë.
Prandaj bëje rregull në jetën tënde:
“Kur shejtani të më vijë nga dera e vëllait tim, unë do ta mbyll derën me besim, verifikim, mendim të mirë dhe këshillë të qetë.”
O Allah! Përmirëso marrëdhëniet tona, pastroji zemrat tona nga urrejtja dhe dyshimi i keq, dhe na bëj ndihmues të vëllezërve tanë kundër shejtanit, e jo ndihmues të shejtanit kundër tyre. Amin.
Dr. Abdullah El-Etherij
