Si të qëndrojmë të fortë në kohë krizash? (Udhëzime nga Kurani dhe Suneti)

Më të lexuarat

Në kohë krizash, luftërash dhe pasigurie, njeriu shpesh përballet me frikë, ankth dhe paqartësi për të ardhmen. Megjithatë, në traditën islame këto momente nuk shihen thjesht si ngjarje të rastësishme, por si pjesë e një urtësie hyjnore që synon të sprovojë dhe të forcojë besimin.

Allahu i Madhëruar e bën të qartë këtë realitet kur thotë:
﴿ أَحَسِبَ النَّاسُ أَن يُتْرَكُوا أَن يَقُولُوا آمَنَّا وَهُمْ لَا يُفْتَنُونَ ﴾
“A menduan njerëzit se do të lihen të thonë ‘besuam’ pa u sprovuar?” (El-Ankebut: 2)

Kjo tregon se sprovat janë pjesë e pandashme e jetës dhe një mjet për të dalluar të sinqertët nga të tjerët.

1- Durimi – themeli i qëndrueshmërisë

Në zemër të çdo qëndrueshmërie qëndron durimi. Kurani na kujton:
﴿ وَلَنَبْلُوَنَّكُم بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ… وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ ﴾
“Ne do t’ju sprovojmë me frikë, uri… dhe përgëzoji durimtarët.” (El-Bekare: 155)

Ndërsa Muhamedi ﷺ ka thënë:
«عجبًا لأمر المؤمن… إن أصابته ضراء صبر فكان خيرًا له» (Muslim)
“Çudi është çështja e besimtarit… nëse e godet vështirësi, ai duron dhe kjo është mirë për të.”

Durimi nuk është dorëzim, por një qëndrim aktiv besimi dhe besnikërie ndaj Zotit në çdo rrethanë.

2- Mbështetja tek Allahu (tevekuli)– forca e vërtetë

Në momente kur shkaqet materiale duken të dobëta, besimtari mbështetet tek Krijuesi i tyre. Kurani thotë:
﴿ وَمَن يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ ﴾
“Kush mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton.” (Et-Talak: 3)

Kjo mbështetje nuk përjashton përpjekjen, por e shoqëron atë me besim të plotë në rezultatin që vjen nga Allahu.

3- Pendimi – kthim drejt burimit të qetësisë

Krizat janë gjithashtu momente reflektimi dhe kthimi tek Zoti. Allahu thotë:
﴿ وَمَا أَصَابَكُم مِّن مُّصِيبَةٍ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ ﴾
“Çdo fatkeqësi që ju godet është për shkak të veprave tuaja.” (Esh-Shura: 30)

Megjithatë, dera e pendimit mbetet gjithmonë e hapur. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«إن الله يبسط يده بالليل ليتوب مسيء النهار…» (Muslim)
“Allahu e shtrin dorën natën që të pendohet mëkatari i ditës…”

4- Bashkimi – mburojë në kohë të vështira

Një nga rreziqet më të mëdha në kohë krizash është përçarja. Kurani urdhëron qartë:
﴿ وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّهِ جَمِيعًا وَلَا تَفَرَّقُوا ﴾
“Kapuni fort pas litarit të Allahut të gjithë dhe mos u përçani.” (Ali Imran: 103)

Ndërsa Pejgamberi ﷺ ka theksuar:
«يد الله مع الجماعة» (Tirmidhi)
“Dora e Allahut është me xhematin.”

Uniteti është burim force, ndërsa përçarja dobëson shoqëritë dhe i ekspozon ndaj rreziqeve.

5- Adhurimi në kohë trazirash – një vlerë e shtuar

Në kohë fitnesh dhe trazirash, adhurimi merr një vlerë të veçantë. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«العبادة في الهرج كهجرة إليّ» (Muslim)
“Adhurimi në kohë trazirash është si hixhre tek unë.”

Kjo tregon se lidhja me Allahun në momente të vështira është një nga mënyrat më të fuqishme për të ruajtur stabilitetin shpirtëror.

6- Lutja – arma më e fortë e besimtarit

Në kohë dobësie, lutja bëhet streha kryesore. Allahu premton:
﴿ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ ﴾
“Më thirrni Mua, Unë do t’ju përgjigjem.” (Gafir: 60)

Dhe gjithashtu:
﴿ أَمَّن يُجِيبُ الْمُضْطَرَّ إِذَا دَعَاهُ ﴾
“Kush i përgjigjet atij që është në nevojë kur e thërret?” (En-Neml: 62)

Lutja nuk është vetëm kërkesë, por shprehje e përulësisë dhe besimit të plotë tek Allahu.

7- Kujdes nga lajmet e rreme

Në epokën e informacionit, një rrezik i madh është përhapja e lajmeve të pavërteta. Kurani paralajmëron:
﴿ إِن جَاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَإٍ فَتَبَيَّنُوا ﴾
“Nëse ju vjen një i pabesë me lajm, verifikojeni.” (El-Huxhurat: 6)

Pejgamberi ﷺ ka shtuar:
«كفى بالمرء كذبًا أن يحدث بكل ما سمع» (Muslim)
“Mjafton si gënjeshtër që njeriu të tregojë çdo gjë që dëgjon.”

Përfundim

Qëndrueshmëria në kohë krizash nuk është vetëm çështje force fizike apo strategjie, por mbi të gjitha një gjendje shpirtërore. Ajo ndërtohet mbi durimin, mbështetjen tek Allahu, pendimin, unitetin, adhurimin dhe lutjen, si dhe mbi përgjegjësinë në fjalë dhe informacion.

Në një botë të trazuar, këto parime mbeten busulla që e udhëheq besimtarin drejt qetësisë dhe qëndrueshmërisë së vërtetë.

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit