Islamabadi kërkon kujdes ndaj spekulimeve mbi raundin e ardhshëm të negociatave
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Irani mbeten të gatshme për t’u angazhuar ndërsa dialogu po vazhdon, tha Ministria e Jashtme e Pakistanit, duke bërë thirrje për kujdes ndaj spekulimeve mbi një raund të mundshëm të dytë bisedimesh në Islamabad, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi Tahir Andrabi tha se detajet mbi delegacionet e mundshme amerikane dhe iraniane janë “çështje e brendshme e palëve përkatëse”, sipas transmetuesit lokal “Geo TV”.
Duke folur në një konferencë për media në Islamabad, Andrabi tha se programi bërthamor i Iranit ishte ndër çështjet e diskutuara në negociatat në vazhdim, të cilat ai i përshkroi si “serioze dhe konstruktive”.
“Nuk pati as përparim dhe as dështim” tha ai, duke shtuar se çështjet mbi programin bërthamor mbeten një temë kyçe.
Këto deklarata vijnë ndërsa Pakistani po intensifikon përpjekjet e ndërmjetësimit pas 16 orësh bisedimesh SHBA-Iran gjatë fundjavës, të cilat përfunduan pa marrëveshje.
Kryeministri Shehbaz Sharif ndodhet në një turne rajonal në Arabinë Saudite, Katar dhe Turqi, ndërsa shefi i ushtrisë së Pakistanit, gjeneral Asim Munir, po zhvillon vizitë në Iran për bisedime me udhëheqësit iranianë.
Pakistani i ka pritur negociatat pas ndërmjetësimit të një armëpushimi 14-ditor mes SHBA-së dhe Iranit më 8 prill.
Andrabi gjithashtu dënoi sulmet izraelite në Liban, duke thënë se situata atje është pjesë e negociatave më të gjera dhe procesit të paqes rajonale.
Ai tha se “shenjat e përmirësimit” në frontin Izrael-Liban janë inkurajuese.
“Depërshkallëzimi do të ndihmonte në krijimin e një mjedisi të favorshëm për dialog” tha Andrabi.
