Sprova e parimit në kohën e interesit – Nga Alban Gorishti

Më të lexuarat

Në teologjinë islame ekziston një parim themelor që nuk është thjesht një çështje kulture apo tradite, por një vijë e kuqe e besimit: Allahu nuk përfytyrohet dhe nuk paraqitet në imazh. Ky parim lidhet drejtpërdrejt me thelbin e teuhidit, me bindjen se Zoti është absolutisht i pakrahasueshëm dhe jashtë çdo përfytyrimi njerëzor. Kurani e shpreh këtë me një formulim përfundimtar: “Shikimet nuk e përfshijnë Atë, ndërsa Ai i përfshin të gjitha shikimet” dhe “Asgjë nuk i përngjan Atij”. Për këtë arsye, në traditën islame çdo përpjekje për ta paraqitur Zotin në formë pamore është konsideruar një shkelje e rëndë e këtij parimi, një devijim që bie ndesh me vetë themelin e besimit.

Në këtë dritë duhet parë edhe imazhi i vendosur në kopertinën e librit të fundit të kryeministrit, ku Zoti paraqitet në një formë të ilustruar antropomorfike. Nuk është thjesht një lojë artistike apo një provokim simbolik, është një paraqitje që bie ndesh me një parim themelor të teologjisë islame dhe për këtë arsye është përjetuar nga shumë besimtarë si blasfemi vizuale. Megjithatë, nëse do të ishte vetëm kjo çështja, debati do të ishte më i thjeshtë. Problemi më i thellë nuk është vetëm akti i provokimit simbolik, por mënyra se si reagimi ndaj tij ka ekspozuar një fenomen shumë më të vjetër dhe më të rrezikshëm, transformimin e ndërgjegjes morale në dekor të pushtetit. Këtu nuk kam parasysh vetëm atë qeveritar, por çdo pushtet që përpiqet të filtrojë parimet e panegociueshme, duke i tretur ato në korpusin e lëkundshëm të ADN-së njerëzore, aty ku interesat, frika dhe dobësitë përpiqen ta korruptojnë të vërtetën.

Kjo situatë nuk erdhi papritur. Përkundrazi, është një zhvillim shpesh e kam paralajmëruar prej kohësh. Kam shkruar dhe kam folur më parë për rrezikun që vjen kur parimet nuk mbrohen në gjenezë, kur njerëzit e dijes dhe figurat fetare fillojnë të afrohen gradualisht me pushtetin pa vendosur kufij të qartë moralë. Sepse historia na mëson se kompromiset nuk fillojnë me ngjarje të mëdh, ato fillojnë me lëshime të vogla, me heshtje të vogla, me një prani simbolike këtu dhe një justifikim të vogël atje. Dhe kur kjo bëhet zakon, në fund krijohet një atmosferë ku pushteti nuk kundërshtohet më, por dekorohet.

Në këtë pikë tradita islame ka qenë jashtëzakonisht e qartë. Një hadith i njohur tregon për një sahabi që i tha Profetit Muhammed alejhi selam: “O i Dërguari i Allahut, unë të dua”. Profeti a.s iu përgjigj: “Shiko mirë çfarë thua”. Ai e përsëriti tri herë, dhe atëherë Profeti a.s i tha: “Nëse je i sinqertë në dashurinë ndaj meje, përgatit mburojë për varfërinë, sepse varfëria vjen më shpejt tek ai që më do mua sesa rrjedh uji nga maja e kodrës drejt luginës”. Ky hadith nuk është një romantizim i varfërisë, por një paralajmërim për çmimin që kërkon integriteti moral. Kush zgjedh rrugën e Profetit a.s zgjedh një rrugë që shpesh e vendos njeriun në konflikt me interesin, me privilegjin dhe me pushtetin. E siç e thashë më parë, me çdo pushtet apo autoritet që imponohet.

Pikërisht për këtë arsye dijetarët e hershëm të Islamit e kanë paralajmëruar vazhdimisht rrezikun që i kanoset dijetarit, mendimtarit, fetarit kur afrohet me pushtetin. Arsyeja është e thjeshtë, pushteti nuk kërkon gjithmonë mbështetje ideologjike; shpesh ai kërkon vetëm legjitimitet moral. Dhe mënyra më e lehtë për ta marrë këtë është duke vendosur pranë vetes figura fetare, intelektuale apo kulturore që i japin pushtetit një pamje të pranueshme. Në këtë mënyrë lind një fenomen i vjetër sa vetë politika, dekorimi moral i pushtetit. Ai që dikur duhej të ishte zëri i ndërgjegjes bëhet gradualisht pjesë e skenografisë së saj. Në fillim është një ftesë, pastaj një fotografi, pastaj një heshtje, pastaj një justifikim. Dhe në fund, kur ndodh një provokim i madh , siç është paraqitja blasfemike e Zotit në një imazh publik, reagimi (për disa) vjen i vonuar dhe i vakët, sepse lidhjet e krijuara më parë e bëjnë të vështirë një qëndrim të qartë.

Kjo është arsyeja pse reagimet e sotme të disa zërave duken të pamjaftueshme dhe në disa raste edhe të pasinqerta. Sepse një parim nuk mbrohet vetëm kur shfaqet skandali, ai mbrohet që në fillim të rrugës. Kush hesht përballë devijimeve të vogla, e humbet autoritetin moral për të protestuar kur devijimi bëhet spektakël. Në fund të fundit, Islami nuk e dënon pasurinë në vetvete. Por ai e paralajmëron rrezikun që vjen kur pasuria dhe interesat fillojnë të filtrojnë me ndërgjegjen e njeriut. Në atë moment lind një pyetje e brendshme që shumë njerëz përpiqen ta shmangin: a jam ende i lirë të them të vërtetën nëse ajo më kushton diçka? Sepse pikërisht këtu qëndron prova e vërtetë e integritetit.

Profeti a.s kishte frikë nga një varfëri që është më e rrezikshme se çdo varfëri materiale, varfëria e ahiretit. Në Ditën e Gjykimit njerëzit nuk do të kërkojnë para nga njëri-tjetri, ata do të kërkojnë vepra të mira. Dhe kush i ka shpenzuar ato për të mbuluar padrejtësitë e kësaj bote do të mbetet i varfër në ditën kur varfëria është fatale. Ngjarja e fundit nuk është thjesht një debat për një kopertinë libri. Ajo është një pasqyrë e një krize më të thellë, kriza e ndërgjegjes morale në raport me pushtetin (çdo pozitë). Dhe pikërisht këtu qëndron mesazhi i hadithit profetik, kush pretendon dashuri për rrugën e Profetit a.s duhet të jetë i gatshëm për çmimin e saj. Sepse siç tha ai vetë, kush është i sinqertë në këtë dashuri duhet të përgatisë mburojë për varfërinë. Sepse kush nuk është gati të humbasë interesin për hir të së vërtetës, shumë shpejt do ta humbasë edhe të vërtetën për hir të interesit.

/Burimi: Alban Gorishti fb/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit