Agjencia Reuters ka cituar sot, të enjten, dy zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët thanë se presidenti amerikan Donald Trump do të shpallë një plan për rindërtimin e Gazës me miliarda dollarë dhe do të paraqesë plane lidhur me forcat e stabilizimit gjatë takimit të parë zyrtar të Këshillit të Paqes që ai ka propozuar, javën e ardhshme.
Dy zyrtarët, të cilët folën për Reuters dhe kërkuan të mbeten anonimë, thanë se pritet që delegacione nga të paktën 20 shtete, përfshirë shumë krerë shtetesh, të marrin pjesë në takimin që do të mbahet në kryeqytetin amerikan, Uashington, dhe që do të drejtohet nga Trump më 19 shkurt. Detajet e planeve të Trump për këtë takim të parë të Këshillit të Paqes për Gazën nuk janë publikuar më parë.
Zyrtarët amerikanë thanë për Reuters se takimi i javës së ardhshme do të përqendrohet ekskluzivisht në Gaza, duke sqaruar se një pjesë thelbësore e tij do të jetë shpallja nga Trump e një fondi prej miliarda dollarësh për Gazën, i cili do të përfshijë kontribute financiare nga anëtarët pjesëmarrës në këshill. Njëri prej zyrtarëve i përshkroi ofertat si “bujare” dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë donacione. Ai shtoi: “Disa palë na kanë kontaktuar duke ofruar ndihma. Presidenti do të shpallë shumën e fondeve që do të mblidhen”.
Zyrtarët konfirmuan gjithashtu se Trump do të njoftojë se disa shtete synojnë të dërgojnë mijëra ushtarë në forcën e stabilizimit që pritet të vendoset në Gaza gjatë muajve të ardhshëm. Ata shtuan se përditësimet e tjera do të lidhen me ndihmën humanitare për Gazën, si dhe me policinë e Gazës.
