Kush po i fryn zjarrit të përçarjes në Kosovë?

Më të lexuarat

Në Gjakovë, në qytetin e traditës dhe bashkëjetesës shekullore, po tentohet të mbillet një helm që nuk i përket as historisë dhe as kulturës shqiptare. Pamjet e djegies së Kuranit nuk janë thjesht një fyerje ndaj një besimi të caktuar; ato përfaqësojnë një sulm frontal kundër unitetit kombëtar.

Interesi për të hapur një front të ri lufte të brendshme, pikërisht në këtë kohë tensionesh të larta politike, ngre pikëpyetje të mëdha mbi qëllimet e vërteta të aktorëve që fshihen pas këtyre akteve. Zgjedhja e Gjakovës për një provokim të tillë nuk duket aspak rastësore. Gjakova, si simbol i qëndresës dhe i masakrave serbe, ka qenë historikisht një bastion i vëllazërisë së pathyeshme.

Të djegësh një libër të shenjtë në këtë qytet do të thotë të tentosh të çash zemrën e harmonisë sonë kombëtare. Dhe fajore është dukshëm lëvizja e ashtuquajtur “për konvertim në fenë e të parëve”, e cila po përdor një gjuhë ekstremiste nën petkun e patriotizmit.

Ajo po shfaq një fytyrë që nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarizmin e vërtetë, i cili gjithmonë ka mbrojtur vëllanë pa pyetur për besimin. S’ka nevojë për shumë analiza për të parë se kush mund të jetë përfituesi i vërtetë nga këto skena.

Shërbimi sekret serb (BIA) e ka pasur gjithmonë në agjendë paraqitjen e Kosovës si një vend ku bashkëjetesa fetare është e pamundur. Historikisht, Beogradi ka ushqyer përçarjen fetare si mjetin më efikas për të dobësuar faktorin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Dyshimet janë të forta: a janë këta individë që fyejnë ndjenjat fetare thjesht marioneta të financuara nga “kuzhinat” e huaja? A po keqpërdoren ata për të krijuar një imazh radikal të Kosovës, saktësisht ashtu siç Beogradi ia servir çdo ditë Brukselit dhe Uashingtonit për të penguar njohjet e reja dhe integrimin?

Kur shqiptarët u dëbuan masivisht nga shtëpitë e tyre në vitin 1999, plumbat e agresorit nuk bënë dallim mes atyre që mbanin kryq apo atyre që mbanin gjysmëhënë. Persekutimi i vëllait mbi baza fetare sot, përbën një tradhti kombëtare dhe përdhosje të gjakut të dëshmorëve.

Duke i dhënë Serbisë dhuratën e një konflikti të brendshëm, këto grupe po dëshmojnë se janë në shërbim të axhendave që synojnë dështimin e shtetit të Kosovës. Ky nuk është një diskutim mbi teologjinë, por për sigurinë kombëtare. Institucionet e Kosovës duhet të hetojnë me urgjencë burimin e financimit dhe shtytësit realë të këtyre provokimeve që tentojnë të djegin urat e unitetit.

Populli i Kosovës duhet ta refuzojë këtë skenar me përbuzje, duke kuptuar se zjarri në Gjakovë nuk dogji vetëm një libër të shenjtë, por tentoi të ndezë një konflikt që i shërben vetëm atyre që nuk e duan Kosovën të lirë dhe të bashkuar./tesheshi. com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit