Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur nisjen e fazës së dytë të armëpushimit në Gaza, si dhe krijimin e strukturave të reja për menaxhimin e fazës pas luftës, të cilat bazohen në pikat e mëposhtme:
• Krijimi i një “Këshilli të Paqes”, nën kryesimin e vetë Trumpit.
• Formimi i një Këshilli Ekzekutiv Themelues, i ngarkuar me mobilizimin e burimeve dhe koordinimin e shtigjeve politike, ekonomike dhe të sigurisë të planit.
• Krijimi i një Këshilli Ekzekutiv për Administrimin e Gazës, i cili do të mbikëqyrë rindërtimin dhe do të sigurojë koordinimin mes komponentëve civilë dhe atyre të sigurisë.
• Formimi i një Komisioni Kombëtar për Administrimin e Gazës, nën drejtimin e Dr. Ali Shaath, si një trup palestinez teknokratik që synon rikthimin e shërbimeve publike, rindërtimin e institucioneve civile dhe stabilizimin e kushteve të jetesës.
• Emërimi i Nikolay Mladenov si përfaqësues i lartë për Gazën, për të shërbyer si lidhje në terren mes Këshillit të Paqes dhe Komisionit Kombëtar për Administrimin e Gazës.
• Emërimi i gjeneralit Jasper Jeffers, komandant i operacioneve speciale të Komandës Qendrore Amerikane, si drejtues i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, e ngarkuar me menaxhimin e çështjes së sigurisë, mbështetjen e çarmatimit dhe garantimin e dërgimit të ndihmave.
🔹 Shpallja e Trumpit tregon një qasje për menaxhimin e Gazës të bazuar në vendosjen e një kujdestarie ndërkombëtare, me theks të veçantë në çarmatimin e Hamas. Gaza paraqitet gjithashtu si një portë për krijimin e një Këshilli Paqeje alternativ ndaj OKB-së, me synim zgjerimin e rolit të tij në zgjidhjen e konflikteve të tjera ndërkombëtare, si Ukraina dhe Venezuela, pa kufizime reale që do të frenonin administratën Trump dhe me mundësi për të përjashtuar shtete të varfra ose ato që nuk shihen si të dobishme në këtë strukturë.
🔹 Nga ana tjetër, qëndrimi i Izraelit është më i qartë. Deklaratat zyrtare nga Tel Avivi tregojnë se çarmatimi i Hamasit është kusht themelor për zbatimin e planit të Trumpit. Po ashtu, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpreh rezervë ndaj përfshirjes së ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan dhe këshilltarit të kryeministrit të Katarit Ali al-Zawadi në këshillin ekzekutiv për Gazën, me arsyetimin se prania e tyre i jep Hamasit mbështetje morale dhe mundëson forcimin e ndikimit të tij në sektor, si dhe mund të kufizojë lirinë e veprimit të forcave izraelite.
🔹 Izraeli i trajton këto këshilla të shpallura nga Trump si instrumente për riformësimin e mjedisit të Gazës, me synim realizimin e objektivave që nuk arriti t’i përmbushë përmes luftës. Në krye të këtyre objektivave është lidhja e rindërtimit me çarmatimin e rezistencës, si dhe rindërtimi i sektorit sipas kërkesave të sigurisë izraelite, në përputhje me vizionin e Jared Kushner, i cili parashikon krijimin e zonave industriale në veri dhe lindje të Gazës për të ndarë vendbanimet izraelite nga popullsia palestineze, si dhe për të fragmentuar qytetet Rafah, Khan Younis dhe Gaza përmes hapësirave të gjelbra ndarëse.
🔹 Ndërkohë, Hamasi ka shpallur gatishmërinë për të lehtësuar punën e komisionit të përkohshëm tranzitor për administrimin e Gazës, duke bërë thirrje për forcimin e rolit të tij dhe për pengimin e përpjekjeve të Netanyahut për ta sabotuar funksionimin e tij. Qëllimi i Hamasit është sigurimi i një hapësire manovrimi që do të ndihmonte në lehtësimin e kushteve të vështira humanitare dhe jetësore të banorëve të sektorit, si dhe në parandalimin e rifillimit të luftës.
🔹 Strukturat e shpallura nga Trump karakterizohen nga mbivendosje kompetencash dhe nuk ofrojnë një zgjidhje politike që do të frenonte pushtimin apo do t’u përgjigjej aspiratave palestineze. Për më tepër, administrata amerikane është e angazhuar në disa dosje globale, çka rrezikon që interesi për Gazën të zbehet me kalimin e kohës. Në të njëjtën kohë, Izraeli ka mundësi reale të zbrazë vendimet e këtyre këshillave nga përmbajtja e tyre dhe të pengojë zbatimin praktik të tyre, për shkak të kontrollit të plotë ushtarak dhe të sigurisë mbi Gazën dhe kufijtë e saj.
/Qasyoun për Studime/
