Parlamenti Evropian është njohur së fundmi me një sërë dokumentesh dhe materialesh që, sipas burimeve parlamentare dhe mediatike, hedhin dritë mbi dyshime serioze për përfshirjen e Emiratet e Bashkuara Arabe në financimin e fushatave të fshehta dhe të koordinuara në disa vende evropiane.
Sipas këtyre dokumenteve, fondet dyshohet se janë kanalizuar përmes një kompanie zvicerane, e cila ka shërbyer si ndërmjetëse në zbatimin e fushatave të ashtuquajtura “të zeza”. Qëllimi i tyre, sipas pretendimeve, ka qenë ndikimi negativ mbi perceptimin publik ndaj Islamit dhe komuniteteve myslimane, përfshirë shënjestrimin e xhamive dhe njollosjen e imazhit të myslimanëve në 18 shtete evropiane.
Materialet e paraqitura flasin për strategji komunikimi të fshehta, përdorim të rrjeteve lobuese dhe fushata mediatike që synonin nxitjen e frikës, stereotipeve dhe polarizimit shoqëror. Disa deputetë evropianë kanë kërkuar hetim të pavarur dhe transparent, duke theksuar se çdo ndërhyrje e huaj që cenon bashkëjetesën fetare dhe shoqërore në Evropë përbën rrezik serioz për demokracinë dhe sigurinë shoqërore.
Në reagimet publike që kanë pasuar, është theksuar se shtrirja dhe intensiteti i këtyre fushatave, nëse vërtetohen, do të ishin të paprecedenta. Disa komentues kanë shkuar edhe më tej, duke krahasuar ndikimin e tyre me praktika të njohura të konflikteve ideologjike, madje duke pohuar se as Izraeli nuk ka ndjekur një qasje të tillë sistematike kundër Islamit në hapësirën evropiane një vlerësim që mbetet opinion dhe jo konstatim zyrtar.
Nga ana tjetër, autoritetet e Emirateve nuk kanë pranuar zyrtarisht këto akuza, ndërsa kërkohet që çdo pretendim të trajtohet përmes kanaleve ligjore dhe standardeve të provës. Çështja pritet të jetë pjesë e diskutimeve të mëtejshme në institucionet evropiane, në kuadër të mbrojtjes së lirisë fetare, transparencës së financimeve politike dhe parandalimit të ndikimeve të huaja në hapësirën publike evropiane.

