Kjo është një pyetje e rrezikshme.
Nuk shtrohet për të kuptuar, por për të futur dyshim në zemër, për të lëkundur besimin dhe për ta hutuar njeriun në kuptimin e urtësisë së Allahut.
Shejtani do të të thotë: “Ku është Allahu në gjithë atë që po u ndodh myslimanëve?”
Por Allahu nuk vepron sipas nxitimit të njerëzve.
Veprat e Tij nuk maten me çastin, por me urtësinë.
Çdo ngjarje ka kohën e vet, çdo vonesë ka një arsye
edhe nëse mendja jonë nuk arrin ta kuptojë.
Kohët e sprovës janë porta nga ku hyn shejtani te zemrat.
Ai e ndryshon këndvështrimin: të bën të shohësh dhimbjen, jo qëllimin; gjakun, jo mesazhin; humbjen e sotme, jo përfundimin e përjetshëm.
Dhe këtu fillon humbja e vërtetë: humbja e zemrës, para se të jetë humbje në realitet.
E vërteta e madhe është kjo:
Kjo botë nuk është krijuar për shpërblim, por për provë.
Njeriu nuk është krijuar për ta pyetur Allahun për vendimin e Tij, por që Allahu ta pyesë njeriun për qëndrimin e tij ndaj këtij vendimi.
Po të vinte ndihma menjëherë për çdo të shtypur,
prova do të merrte fund dhe besimi do të humbiste kuptimin.
Fitorja që vjen pa sakrificë nuk ndërton popuj dhe nuk mban amanet.
Është fitore e brishtë, sepse shpirtrat që nuk janë rritur në vështirësi nuk dinë ta mbajnë përgjegjësinë.
Prandaj ndodh që rruga të jetë e gjatë dhe e lodhshme,
që të pastrohen radhët, të provohen synimet dhe të mbeten vetëm ata që e kanë kuptuar se çështja është më e madhe se vetja dhe më e gjatë se jeta.
Fitorja mund të vonohet sepse ndërtimi nuk ka përfunduar ende, sepse zemrat nuk janë mbështetur plotësisht te Allahu, sepse ende lidhen me forcën, mjetet dhe llogaritë njerëzore.
Dhe kur çdo mbështetje tokësore bie, kur zemra mbështetet vetëm te Allahu, atëherë fillojnë shenjat e lehtësimit, edhe nëse ende nuk duken.
Fitorja mund të vonohet sepse e keqja nuk është zbuluar plotësisht.
Allahu e lë të zbulohet vetë, që të bjerë pa keqardhje
dhe pa mashtruar më askënd.
Në peshoren e Allahut, beteja nuk matet me tokë apo numra, por me qëndrueshmëri në besim, sinqeritet dhe pastërti qëllimi.
Ai që fiton në tokë e humb në qiell, është humbësi i vërtetë.
Ai që shtypet në tokë e fiton në qiell, është fituesi i vërtetë.
Sa njerëz u vranë të pafajshëm, por fituan përjetësinë.
Sa tiranë menduan se fituan, por ndërtuan humbjen e tyre të përhershme.
Historia ruan qëndrimet, jo britmat.
Qielli peshon përfundimin, jo momentin.
Po të ishe në fillimet e Islamit, do të shihje vetëm dhimbje, jo fitore.
Por sot ti sheh çlirimin e Mekës dhe harron sa shumë u sakrifikua për të arritur deri aty.
Popujt nuk lindin pa dhimbje, ashtu si njeriu nuk lind pa dhembje.
Çdo mesazh i madh sprovohet, jo për t’u thyer, por për t’u forcuar.
Prandaj qetësohu:
Premtimi i Allahut është i vërtetë.
Rruga e profetëve është e vështirë.
Vonesa nuk është harrim.
Allahu nuk e thyen premtimin e Tij, por zgjedh kohën më të duhur për fitoren, jo vetëm për ta lehtësuar zemrën, por për ta ruajtur mesazhin.
Nëse e kupton këtë, zemra jote do të qetësohet.
E nëse nuk arrin ta kuptosh, dorëzoju me besim…
Dhe fundi i mirë u takon të devotshmëve.
