Të gjithë ftohen të paguajnë për rindërtimin e Gazës, po Tel Avivi kur do të mbajë përgjegjësi?
Rendi i ri botëror, nën thundrën e një logjike thjesht tregtare dhe transaksionale, po na ofron një skenar sa absurd, aq edhe makabër: ftesën universale për të paguar faturën e shkatërrimit të Gazës, ndërsa autori i rrënimit qëndron duarkryq.
Këtë fillimiviti, diplomacia nuk flet më me gjuhën e konventave ndërkombëtare, por me atë të “Bordeve Ekzekutive” dhe tarifave të anëtarësimit, ku paqja shitet si një aksion biznesi me vlerë marramendëse.
Donald Trump ka prezantuar krijimin e të ashtuquajturit “Bord i Paqes” për Gazën, një strukturë që ngjan më shumë me një bord drejtuesish korporate sesa me një organizëm diplomatik.
Propozimi është sa fyes, aq edhe skandaloz: çdo shtet që dëshiron të ketë një zë në mbikëqyrjen e Gazës së pasluftës, duhet të paguajë plot 1 miliard dollarë për anëtarësim të përhershëm.
Ky “çmim hyrjeje”, e kthen tragjedinë njerëzore në një ankand fuqish globale, ku Trump mbetet kryetari me autoritet absolut për të miratuar ose refuzuar anëtarët. Në këtë tryezë miliarderësh dhe investitorësh, ku emra si Jared Kushner, Tony Blair dhe Elon Musk projektojnë resorte luksoze mbi gërmadha, është ftuar habitshëm që të bëhet pjesë edhe Shqipëria.
Shtëpia e Bardhë e ka përfshirë Tiranën zyrtare në listën e vendeve që ftohen të bashkohen me këtë bord, krahas fuqive si Turqia apo Argjentina. Përfshirja e Shqipërisë në një skemë ku “paqja” blihet me miliarda dollarë ngre një pikëpyetje serioze: Çfarë roli pritet të luajë një vend i vogël në këtë lojë të madhe transaksionale?
A po përdoret prania e vendeve si Shqipëria, thjesht për të krijuar një fasadë uniteti ndërkombëtar mbi një projekt që në thelb është një ndërmarrje private imobiliare? Ndërkohë që bota ftohet të derdhë miliarda, një heshtje e rëndë mbulon përgjegjësinë e Izraelit. Tel Avivi zyrtar ka zgjedhur rolin e spektatorit cinik, duke u distancuar nga bordi me pretekstin e ‘mungesës së koordinimit’.
Ky është një pozicionim strategjik i Netanyahut për t’i bishtnuar çdo detyrimi. Izraeli po qëndron mënjanë, i paprekur nga faturat e rindërtimit, ndërsa përgatit terrenin për sulmet e ardhshme.
Është një fyerje për drejtësinë, që shtetet e tjera ftohen të paguajnë për të mbuluar pasojat e një lufte që rrafshoi infrastrukturën civile, ndërsa agresori nuk jep asnjë llogari ligjore për krimet e luftës dhe asnjë cent për dëmet kolosale.
Ky “Bord Paqeje”, nuk është gjë tjetër veçse një mburojë financiare që legjitimon papërgjegjshmërinë. Ai përcjell mesazhin e rrezikshëm se bota duhet të paguajë për pasojat e dhunës, pa i kërkuar kurrë llogari atij që e ushtroi atë.
Nëse paqja kushton një miliard dollarë, ajo nuk është më një vlerë universale, por një transaksion i turpshëm që fshin parimin e përgjegjësisë. Drejtësia fillon kur ai që shkatërron mban peshën e rindërtimit, jo kur shtetet ftohen të bëhen aksionerë në një tragjedi të kthyer në biznes./tesheshi.com/
