E falënderoj Allahun, Zotin e botëve, të Gjithëmëshirshmin, Mëshirëplotin, Falësin e Madh, të Butin, të Durueshmin, Atë që pranon pendimin e robërve të Tij edhe kur ata përsërisin gabimet.
E falënderoj Allahun që i mbulon të metat e mia edhe kur unë i zbuloj me mëkate.
E falënderoj Allahun që më furnizon edhe kur unë e zemëroj.
Atij i përket lavdia në fillim dhe në fund, në dukje dhe në fshehtësi.
Pastaj… o Zoti im… çfarë jam unë? Ti e di më mirë se gjithkush tjetër.
Po do të tregoj atë që dëshiron të dëgjosh nga unë.
Jam një rob i dobët që flet për Ty, por shpesh jeton larg Teje.
Jam një njeri që e njeh të vërtetën, por shpesh nuk e ndjek.
Jam dikush që e di çfarë është harami, por jo gjithmonë largohet prej tij.
Jam një zemër që këshillon të tjerët, por e tradhton veten.
O Zoti im, unë ankohem për veten time para Teje.
Ankohem për zemrën time të fortë.
Për syrin tim që sheh ndalesën.
Për gjuhën time që premton e nuk mban.
Për pendimin tim që shpesh është vetëm fjalë.
Për lotët e mi që thahen shpejt dhe për frikën time prej Teje që nuk është siç duhet.
Gjendja ime nuk është e mirë, o Zoti im.
Imazhi im para njerëzve është më i bukur se realiteti im para Teje.
Jam i kujdesshëm me pamjen time, por i pakujdesshëm me zemrën time.
I ndjeshëm ndaj fjalëve të njerëzve, por i ftohtë ndaj thirrjes Sate.
Sa herë më ke thirrur dhe unë kam vonuar.
Sa herë më ke dhënë dhe unë kam harruar.
O Zoti im, Ti je Krijuesi im, Mbajtësi im, Mbrojtësi im dhe streha ime e vetme.
Tek Ti vij jo si i drejtë, por si i thyer.
Jo si i pastër, por si i ndotur.
Jo si i fortë, por si i varfër.
Tek Ti vij sepse nuk kam ku tjetër të shkoj.
O Zoti im, nëse mëkatet e mia janë shtuar,
nëse janë bërë barrë për shpirtin tim,
nëse janë grumbulluar mbi zemrën time,
falja Jote është më e madhe.
Mëshira Jote është më e gjerë.
Nëse unë jam i dobët, Ti je i Fortë.
Nëse unë jam fajtor, Ti je Falës.
Ti e sheh gjendjen time edhe kur unë e fsheh nga njerëzit.
Ti i njeh turpet e mia, rëniet e mia, prapësitë e mia dhe kthimet e mia të dobëta.
Ti e di sa herë jam penduar dhe sa herë jam kthyer përsëri.
Asgjë nga unë nuk është e fshehtë për Ty.
Ti i di edhe ato mëkate që i kam harruar.
O Zoti im, më mbro nga dënimi Yt,
sepse nëse më trajton me drejtësinë Tënde, unë jam i humbur.
Unë nuk kam vepra që të më shpëtojnë.
Nuk kam fytyrë të dal para Teje përveçse me turp dhe shpresë.
Jam rob i dobët, i thyer, i pasigurt dhe i mbushur me mangësi.
O Zoti im, mos më privo nga falja Jote atë Ditë kur do të dal para Teje i vetëm.
Atë Ditë kur do të më tradhtojë çdo gjë përveç mëshirës Sate.
Atë Ditë kur do ta shoh veten time ashtu siç është vërtet.
O Zoti im, mëkatet e mia janë të shumta, të rënda dhe të përsëritura…
por unë nuk shoh asgjë më të madhe se falja Jote
dhe nuk njoh asgjë më të gjerë se mëshira Jote.
Prandaj po qëndroj te dera Jote.
Prandaj nuk po iki.
Prandaj po kthehem përsëri.
Tek Ti dorëzohem.
Tek Ti ankohem.
Tek Ti e lidh shpresën time.
Sepse unë jam rob që ka nevojë për faljen Tënde…
dhe Ti je Allahu që nuk ka nevojë për askënd.
Fitim Gërguri
18.01.2026
