Pse Clinton-ët janë në prag të arrestimit?

Më të lexuarat

Refuzojnë të dëshmojnë personalisht mbi çështjen “Epstein”, duke akuzuar Trump për hakmarrje politike

Ish-presidenti i SHBA-së Bill Cliton dhe ish-Zonja e Parë, Hillary Clinton, përballen me mundësinë e arrestimit pasi refuzojnë të dëshmojnë para Kongresit në lidhje me Jeffrey Epstein. Çifti u urdhërua të dëshmonte që më 5 gusht para komitetit mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, të udhëhequr nga republikanët, në lidhje me marrëdhënien e ish-presidentit me pedofilin e dënuar.

Por përmes një letre dërguar James Comer, kryetarit republikan të komitetit, çifti e bëri të qartë të martën se nuk ka ndërmend që të paraqiten personalisht në Capitol Hill. “Jemi të bindur se çdo person i arsyeshëm, brenda ose jashtë Kongresit, do të shohë, bazuar në gjithçka që po publikojmë, se ajo që po bëni është të përpiqeni të ndëshkoni ata që i shihni si armiqtë tuaj dhe të mbroni ata që mendoni se janë miqtë tuaj”- thuhet në letër.

Zoti dhe zonja Clinton deklaruan se në vend të dëshmisë fizike, i kishin dorëzuar zotit Comer deklarata me shkrim, të ngjashme me ato që ai kishte pranuar nga individë të tjerë të thirrur në gjyq, të cilët ishin liruar nga detyrimi për t’u paraqitur personalisht.

Megjithatë, një zëdhënës i zotit Comer tha më parë se ai do të fillonte procedurat për “përçmim të Kongresit” (contempt of Congress) nëse Clintonët nuk do të paraqiten.

“Ata janë të detyruar sipas ligjit të paraqiten dhe ne presim që ta bëjnë këtë”- tha zëdhënësi në një deklaratë për Politico. “Nëse familja Clinton nuk paraqitet për dëshmitë e tyre, komisioni mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve do të fillojë procedurat për kundërshtim të urdhrit të Kongresit.”

Kjo do të thotë që zoti dhe zonja Clinton mund të përballen me një hetim penal dhe me burgim të mundshëm. Komiteti “do të ndërmarrë veprime javën tjetër” për të ngritur akuzën ndaj zotit Clinton për përçmim të autoritetit të Kongresit, tha një burim për Fox News të martën.

Nuk është ende e qartë nëse e njëjta gjë është planifikuar edhe për zonjën Clinton. Kongresi rrallë dënon individë për shkak të shpërfilljes, por kjo mund të çojë në pasoja të rënda. Këshilltari i Trump, Steve Bannon, u burgos për katër muaj në vitin 2022 për kundërshtimin e një urdhri të Kongresit gjatë hetimit për trazirat e 6 janarit.

Po ashtu, Peter Navarro u burgos në vitin 2024 për të njëjtën arsye. Ky hetim është pjesë e mbikëqyrjes ndaj rastit “Epstein”, që nisi përpara se Akti i Transparencës së Dosjeve Epstein të hynte në fuqi në nëntor. Akti i dha Departamentit të Drejtësisë të Donald Trump 30 ditë kohë për të publikuar të gjitha dokumentet mbi Epstein.  Deri më tani, 100.000 faqe janë bërë publike, ndërsa mijëra të tjera mbeten në pritje për t’u publikuar.

Midis dokumenteve të publikuara ishin foto të Bill Clinton duke u relaksuar në një vaskë të nxehtë me një grua të paidentifikuar. Një tjetër fotografi e tregonte atë në një pishinë me Ghislaine Maxwell, personazhin e njohur publik në Britani që po vuan një dënim me 20 vjet burg për trafikim fëmijësh.

Në fletëthirrje vihet në dukje se Bill Clinton kishte udhëtuar katër herë me avionin e Epstein midis viteve 2002-2003. Gjatë një udhëtimi, ai u fotografua duke marrë një masazh nga Chauntae Davies, një nga viktimat e abuzimeve të Epstein.

Ish-presidenti amerikan nuk është akuzuar kurrë për ndonjë shkelje ligjore. Duke reaguar ndaj fotografive, Bill Clinton kërkoi publikimin e plotë të gjithë dokumenteve dhe akuzoi qeverinë e Trump se ka kryer një publikim të përzgjedhur enkas me qëllim mbrojtjen e “dikujt ose diçkaje”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit