Rikthehemi të flasim për atë që po ndodh nga ndarja dhe copëtimi në vendet e botës islame dhe të botës arabe. Rikthehemi ta trajtojmë këtë temë me rastin e ngjarjeve të fundit në Jemen dhe përpjekjeve për shkëputjen e një pjese të tij dhe bashkimin e saj me projekte të dyshimta, si dhe atë që po ndodh sot me përpjekjet për shkëputjen e rajonit të Kordofanit nga Sudani. Po ashtu, ajo që po ndodh në Libi, me ndarjen mes lindjes dhe perëndimit, dhe përpjekjet për të konsoliduar një lloj ndarjeje në Siri, nën justifikimin e pakicave ose të decentralizimit politik.
Ajo që po ndodh, edhe pse nxitet dhe mbështetet nga shtete të caktuara apo nga palë të jashtme, megjithatë pranohet edhe nga një pjesë e banorëve të këtyre vendeve, ose heshtja e tyre ndaj saj trajtohet sikur të ishte diçka normale. Ndoshta, nga pakujdesia dhe mungesa e vetëdijes për rëndësinë e bashkimit mbi të mirën e përbashkët dhe për rreziqet që sjell copëtimi i atdheut, ata thonë: “Le të shkëputen, janë të lirë”.
Nëse kthehemi në të kaluarën e afërt, do të na shfaqen qartë pasojat negative të ndarjeve që kanë ndodhur. Myslimanët në Indi vendosën të ndahen nga pjesa tjetër e popullsisë dhe u krijuan dy shtete: Pakistani Perëndimor dhe Pakistani Lindor. Më pas, Pakistani Lindor u shkëput dhe u quajt Bangladeshi, i cili sot është ndër vendet më të varfra në botë. Idetë e shkëputjes i kundërshtuan disa dijetarë, si Ebu’l-Hasen en-Nedvi, si dhe udhëheqësi mysliman Ebu’l-Kelam Azad, sepse ata mendonin se qëndrimi i myslimanëve në Indi do t’i bënte ata shumicë dhe do të krijonte hapësirë për thirrjen islame brenda shoqërisë hindu.
Marrëveshja e Sykes–Picot e ndau Levantin në katër shtete, por pas largimit të Britanisë dhe Francës, këto shtete nuk u rikthyen më në formën e tyre fillestare (Shami/Levant), por te disa u krijua një ndjenjë nacionalizmi të ngushtë, deri në atë pikë sa sot të thuhet: “Mirë se erdhe në vendin tënd të dytë”.
Iraku u nda mbi baza sektare dhe etnike njëkohësisht, gjë që është e çuditshme, dhe që prej asaj kohe situata politike dhe ekonomike atje ende nuk është stabilizuar.
Nëse kthehemi te dijetarët e mëparshëm dhe te ajo që kanë shkruar në fushën e politikës juridike islame rreth unitetit dhe shumëllojshmërisë, do të gjejmë një lloj konsensusi se ata nuk e shihnin të lejuar betimin për dy udhëheqës, përveç rasteve kur distanca mes dy vendeve ishte shumë e madhe. Kjo ndodhi, për shembull, kur u nda shteti në Andaluzí dhe dijetarët e pranuan realitetin dhe lejuan ekzistencën e dy shteteve. Para kësaj, ekzistonte një shtet i vetëm, me kryeqytet Damaskun, kufijtë e të cilit shtriheshin nga skajet e Kinës në lindje deri në jug të Francës në perëndim.
Imam el-Xhuvejni thotë:
“Por nëse distanca bëhet shumë e madhe dhe mes dy udhëheqësve ndërhyjnë largësi të thella, atëherë ekziston mundësia e tolerimit të këtij realiteti.”
Shkaku i këtij konsensusi për unitetin është ajo që ka ardhur në Kur’an dhe në hadithe, të cilat i thërrasin besimtarët drejt bashkimit dhe i ndalojnë nga përçarja dhe grindja:
“Mos u grindni, se do të dobësoheni dhe do t’ju humbasë forca”
dhe
“Mos u bëni si ata që u përçanë dhe u kundërshtuan mes vete”.
Mund të thuhet se sot uniteti në formën e një shteti të vetëm është i pamundur, madje afër së pamundurës. Por përgjigjja është: nëse shumëllojshmëria dhe pluraliteti janë një realitet faktik, atëherë të paktën duhet të realizohet uniteti i qëllimeve dhe i objektivave.
Në botën e sotme politike ekzistojnë forma dhe modele të ndryshme bashkëpunimi, solidariteti dhe organizimi politik që çojnë drejt këtij qëllimi. Këto janë shtete të mëdha që janë bashkuar mes tyre, si Franca, Gjermania dhe shumica e vendeve evropiane. Kur Britania doli nga ky bashkim, pas një kohe u bë e qartë se kishte gabuar në këtë vendim.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një shtet i madh si Kalifornia, edhe pse është shumë i pasur, mund të shkëputej, por nuk e ka bërë këtë, dhe përkundrazi mban barrë më të madhe taksash se të tjerët për hir të interesit të përgjithshëm. Kështu veprojnë njerëzit e mençur.
Po ashtu, kur një shtet si Finlanda ndjeu rrezikun rus pas pushtimit të Ukrainës, ajo dhe Suedia u ngutën të bashkohen me aleancën e NATO-s.
Dr. Muhamed El-Abdeh
