| Këshilla e Subkiut për verifikimin e çështjeve shkencore |

Më të lexuarat

Imami, dijetari i madh dhe juristi, Tekijud-Din Ebu’l-Hasen Ali ibn Abdul-Kafi es-Subki esh-Shafi‘i (v. 756 h.), thotë në përfundim të librit të tij “Drita e llambave mbi namazin e teravive”:

❖ Dije o student se nëse dëshiron të verifikosh një çështje, pastroje qëllimin për hir të Allahut të Madhëruar, syno të vërtetën në vetvete, zbraz zemrën nga çdo gjë tjetër përveç saj, dhe dysho te vetja jote se mos në të ka ndonjë prapaskenë apo prirje që e pengon nga pranimi i së vërtetës në atë çështje.

❖ Kur kjo të jetë e saktë për ty, dhe punët të të barazohen të gjitha, atëherë kërko argumentet, shiko mendimet e dijetarëve dhe shterroje gjithë mundin tënd në këtë drejtim. Pesho çdo mendim që të paraqitet me peshoren e dijes, paraqite në provën e kritikës, thello shikimin në kuptimin e tij, dhe mos e refuzo për shkak të vështirësisë së tij derisa të mbledhësh sa të mundesh nga fjalët e atij personi, të kuptosh synimin e tij; pastaj paraqite atë sipas rregullave të tij, e më pas sipas rregullave të dijetarëve të tjerë, e në fund paraqiti të gjitha sipas rregullave të Sheriatit. Dhe në të gjitha këto, ji kërkues i drejtësisë, synues i së vërtetës kudo që ajo të jetë, qoftë për ty apo kundër teje.

❖ Nëse në zemrën tënde lind një kuptim dhe thua: “Ky është i saktë”, mos u ngut ta pranosh prerazi; por rishikoje mendimin tënd rreth tij dhe pasojat ku çon. Paraqite atë në mjetet e dijes, nga gjuha arabe dhe disiplinat transmetuese, si dhe në peshoren e shqyrtimit racional dhe rregullave mendore. Dhe thuaj:
“O Allah, Krijues i qiejve dhe i tokës, Njohës i së fshehtës dhe së dukshmes, Ti gjykon mes robërve të Tu për atë në të cilën ata kundërshtojnë. Më udhëzo në të vërtetën për atë që është kundërshtuar, me lejen Tënde. Vërtet Ti udhëzon kë të duash në rrugë të drejtë.”
Atëherë shpresoj që, nëse vepron kështu, Allahu të ta frymëzojë të vërtetën dhe të hedhë në zemrën tënde një dritë me të cilën do ta shohësh të saktën.

❖ Kur të ndalesh në të dhe zemra jote të qetësohet me të, falënderoje Allahun e Madhëruar për atë që të ka dhënë, dhe ruaje etikën me dijetarët që nuk kanë arritur në atë që ke arritur ti; mos ua atribuo atyre mangësinë, dhe thuaj: “Zoti im, më shto në dije.”

❖ Mos syno në asgjë as në fillim të shikimit tënd e as në fund të tij të rrëzosh dikë duke u grindur me të, apo të polemizosh për hir të polemikës; por le të jetë shikimi yt vetëm për veten tënde, ose për udhëzimin e atij që mund të ndalet te fjala jote nga ata që as ti nuk i njeh e as ata nuk të njohin; që të përfshihesh në fjalën e tij ﷺ:
“Që Allahu të udhëzojë përmes teje një njeri të vetëm, është më e mirë për ty se devetë e kuqe.”

❖ Sa i përket asaj që ndodh mes teje dhe një tjetri në debat, që të synosh ta kthesh atë me shkrim apo me thellim studimi, mos shpreso në këtë dhe bëhu i dëshpëruar prej saj; sepse shumica e njerëzve të kësaj kohe, kur thonë një mendim sidomos në prani të njerëzve dhe kërkojnë fitoren, nuk kthehen mbrapsht edhe sikur t’u vinin të gjitha argumentet. Ne e kemi parë në këtë çështje këmbënguljen e atij që polemizon, ndërkohë që tekstet i lexohen dhe argumentet i paraqiten, e ai në dukje nuk shtohet veçse në kokëfortësi. Përse vallë njeriu ta humbasë kohën e tij me një të tillë? Njeriu, në të vërtetë, shikon për veten e tij; dhe Allahu i Madhëruar na e dhëntë përfundimin e mirë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit