Dëgjuam dhe zbatuam: Muslimani në dritën e sures Bekare

Më të lexuarat

O besimtarë!

Ka sure në Kur’an që nuk lexohen vetëm me gjuhë, por me zemër. Ka ajete që nuk ndriçojnë vetëm mendjen, por e qetësojnë shpirtin. E tillë është Surja El-Bekare.

Prej vitesh e kam lexuar këtë sure dhe sa herë që e lexoj, ndiej një qetësi të veçantë që mbush zemrën. Por bashkë me këtë qetësi, dy pyetje më kanë shoqëruar vazhdimisht:

  1. Pse surja më e madhe e Kur’anit quhet “El-Bekare” – Lopa?

  2. Si është e mundur që kjo sure, me 286 ajete, të përfshijë besimin, historinë, ligjin, bamirësinë dhe gjykimin, e megjithatë të jetë një trup i vetëm, i lidhur dhe i plotë?

Disa orientalistë e shfrytëzuan këtë pyetje për të sulmuar Kur’anin. Ata thanë me përbuzje: “Një sure e gjatë që kalon nga një temë në tjetrën pa rregull. Fillon me besimin, vazhdon me histori, pastaj rregulla, pastaj bamirësi dhe gjykim. Ku është lidhja?”. Madje edhe disa komentues ranë në këtë gabim, duke e quajtur suren El-Bekare një grumbull rregullash pa rend.

Por, o vëllezër, a mund të ketë çrregullim në fjalën e Allahut?
Kur’ani nuk është fjalë njeriu.Nuk është gazetë. Nuk është filozofi njerëzore.
Ai është fjala e Zotit të Urtë, ku çdo shkronjë ka vendin e saj dhe çdo ajet ka misionin e tij.

Pse quhet “Surja El-Bekare”?

Historia duket e thjeshtë, por mësimi i saj është tronditës për zemrat.
Një njeri nga Beni Israil u vra dhe askush nuk e dinte kush ishte vrasësi. Ata shkuan tek Musa alejhis-selam dhe kërkuan drejtësi. Por Allahu u përgjigj: “Allahu ju urdhëron të flijoni një lopë”. Reagimi i tyre ishte: “Ne po pyesim për vrasësin… dhe Ti na urdhëron të flijojmë një lopë?!”. Ata nuk thanë: “Dëgjuam dhe zbatuam”.
Ata pyetën, diskutuan, e komplikuan dhe e shtynë urdhrin derisa më në fund e zbatuan. Vetëm atëherë ndodhi mrekullia: i vdekuri u ringjall për një çast, tregoi vrasësin dhe vdiq përsëri.

O besimtarë!
Surja u quajt “El-Bekare” për të na thënë një të vërtetë të madhe:

  • Bindja ndaj Allahut nuk negociohet.

  • Urdhri i Tij nuk shtyhet.

  • E mira është në nënshtrim, jo në kundërshtim.

    Cila është lidhja e ajeteve të kësaj sureje?

Surja El-Bekare nuk është thjesht sure rregullash; ajo është surja e halifatit të njeriut në tokë. Është surja që na pyet drejtpërdrejt: “A je i denjë të mbash amanetin e Allahut?”.

Në pjesën e parë, Allahu na paraqet tre modele kalifësh:

  1. Ademi alejhis-selam: Gaboi, por u pendua menjëherë. فَتَلَقَّىٰٓ ءَادَمُ مِن رَّبِّهِۦ كَلِمَـٰتٍۢ فَتَابَ عَلَيْهِ ۚ “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi…”(El Bekare, 37).
    Ai na mëson se dera e pendimit është gjithmonë e hapur.
  2. Beni Israil: U bekuan, por kundërshtuan, mashtruan dhe u rebeluan. ثُمَّ قَسَتْ قُلُوبُكُم مِّنۢ بَعْدِ ذَٰلِكَ فَهِىَ كَٱلْحِجَارَةِ أَوْ أَشَدُّ قَسْوَةًۭ ۚ  “Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta…”(El Bekare, 34).
    Ata na mësojnë se refuzimi i bindjes çon në humbje.

  3. Ibrahimi alejhis-selam: Çdo urdhër e pranoi pa hezitim.
    Ai na mëson se bindja e plotë sjell sukses të plotë.

    O besimtarë!
    Pastaj… vjen radha jonë… Pas këtyre shembujve, Allahu sjell rregullat e jetës: agjërimin, gjykimin, bamirësinë, kamatën, martesën dhe divorcin, tregtinë dhe borxhin

Pas këtyre shembujve, Allahu sjell rregullat e jetës: agjërimin, gjykimin, bamirësinë, kamatën, martesën, divorcin, tregtinë dhe borxhin.
Dhe është sikur Allahu na thotë:
“Tani je ti në provë. Cilën rrugë do të zgjedhësh?”
• A do të jesh prej atyre që e komplikojnë çdo urdhër?
• A do të jesh prej atyre që gabojnë, por pendohen?
• Apo prej atyre që thonë: “Dëgjuam dhe zbatuam”?

Mesazhi i madh për jetën tonë

Surja El-Bekare është kushtetuta e jetës së besimtarit. Ajo na mëson se:

– Bindja ndaj Allahut është çelësi i suksesit.
– Përgjegjësia është amanet.
– Etika hyjnore duhet të udhëheqë çdo aspekt të jetës sonë.

Thirrje direkte për zemrat tona
O robër të Allahut!
Surja El-Bekare nuk është vetëm për t’u lexuar ajo është për t’u jetuar.
Ajo nuk na pyet sa dimë, por sa zbatojmë.
Nuk na pyet sa flasim për fenë, por sa i nënshtrohemi Allahut.
Mos e shty bindjen.
Mos e justifiko neglizhencën.
Mos e kompliko atë që Allahu e ka bërë të qartë.
Sot, para se të largohesh nga kjo xhami, pyete veten:
Kur Allahu më thërret, a them “pse?”
Apo them: “Dëgjuam dhe zbatuam”?
O Allah!
Na bëj prej atyre që e dëgjojnë Fjalën Tënde dhe e zbatojnë më të mirën prej saj.
Na bëj prej atyre që nuk e kundërshtojnë urdhrin Tënd, por i dorëzohen me zemra të
qeta.
Na bëj prej halifëve të denjë në tokë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit