Trump për somalezët: “Ata kanë qeveri, ushtri, polici, dhe gjithçka që bëjnë është të vrasin njëri-tjetrin. Pastaj vijnë në vendin tonë për të na dhënë mësime se si duhet t’i drejtojmë vendet tona; ne nuk e duam këtë prej tyre!”
/Nga Ahmed Mansour/
Ilhan Omar, anëtarja e Kongresit amerikan me prejardhje somaleze, është bërë e denjë të hyjë në Librin e Rekordeve Guinness për numrin e komenteve dhe cicërimave — të përditshme, të drejtpërdrejta e të tërthorta — që presidenti Trump bën për të. Mendoj se studiuesit e shkencave politike dhe sociologët po shqyrtojnë sot mundësinë e futjes së një termi të ri në “trampizëm”, që do të përmbledhte këto dukuri nën titullin “Kompleksi i Ilhan Omarit”.
Çështja, për presidentin Trump, ka kaluar tashmë nga opinioni e kritika në një kompleks dhe në një gjendje patologjike.
Ilhan Omar ka fituar një volum të jashtëzakonshëm reklame, vëmendjeje dhe autoriteti; ajo madje duhet ta falënderojë Trumpin për atë që ai bën rreth saj. Ndoshta disa anëtarë të tjerë të Kongresit do të dëshironin që Trumpi t’u kushtonte të njëjtin interes dhe t’i përmendte me po atë shpeshtësi.
Ajo është shndërruar në një figurë të spikatur politike, të pranishme në konferencat për shtyp dhe në deklaratat e përditshme të presidentit. Edhe sikur të kishte shpenzuar miliarda për të arritur një pozitë të tillë, nuk do ta kishte mundur. Kjo çështje, me të vërtetë, meriton studim.
