Nuk mendoj se kam lexuar ndonjëherë në jetën time një përshkrim më të thellë për idenë e faljes në kohën e saj, pa e shtyrë apo vonuar nga koha e caktuar, sesa atë që kam lexuar nga ky gjeni, dr. Mustafa Mahmud.
Ai shkroi:
Ideja që më bën të ndihem në siklet kur e vonoj namazin nga koha e tij qëndron në faktin se nuk jam unë ai që ka caktuar këtë orar, as nuk jam unë ai që ka zgjedhur kohën!
Krijuesi i Lartësuar është Ai që e ka përcaktuar… Zoti, që e krijoi këtë univers me madhështinë, gjerësinë, bukurinë dhe përsosmërinë e tij, me krijesat e shumta, me mirësitë dhe mrekullitë e Tij, është Ai që dëshiron që unë të qëndroj para Tij, ta flas dhe ta lutem.
Dhe çfarë bëj unë?
Shpeshherë e vendos këtë takim në fund të listës së përparësive të mia, derisa koha e tij gati mbaron, duke i dhënë përparësi çdo gjëje të parëndësishme, çdo gjëje të vogël!
Allahu i Lartësuar më fton mua një grimcë pa peshë në këtë univers madhështor që të qëndroj para Tij, ndërsa unë jam i zhytur në marrëzitë dhe zbukurimet e kota të kësaj bote.
Ai më kërkon vetëm për disa minuta, e unë shmangem, vonoj, zvarritem, e më pas vij tek Ai me vonesë si zakonisht!
Cila mjerim mund të jetë më i madh se ky?
Më thërret Zoti, që është i Pasuri dhe Dhuruesi, për një takim të mbyllur mes nesh unë, që kam nevojë, dhe Ai që s’ka nevojë për askënd ndërsa unë e kthej këtë takim në një mbledhje të hapur për çdo mendim të shpërqendruar.
Trupi im është i pranishëm, por mendja ime endet gjetkë!
Ai dëshiron që unë të largohem për pak çaste nga çdo gjë, të pushoj trupin dhe mendjen, të shkëputem nga zhurma dhe ngutja e jetës, dhe t’ia derdh Atij – jo dikujt tjetër – ankesat dhe shqetësimet e mia.
Ai, Krijuesi i madh, i pasuri që nuk ka nevojë për mua, për adhurimin apo kohën time, më fton vetëm që të dëgjojë zërin tim, ndërsa unë jam ai që vonohem!
Pastaj vij – ose me përtesë, ose me ngut – sikur të isha i detyruar ta bëja.
Jam i pranishëm me trup, por mungoj me zemër!
Ai i Lartësuar e dëshiron këtë si një takim të veçantë,
ndërsa unë e kthej në një ushtrim të thatë, një lexim të ftohtë, e një përkulje pa shpirt!
Cila mund të jetë mjerim më i madh se ky?
O Zot, na fal për çdo namaz që nuk i është i denjë madhështisë së Fytyrës Tënde dhe fuqisë së Mbretërisë Tënde.
O Zot, na bëj të qëndrueshëm në falje nga dashuria për Ty dhe bëje atë më të dashur për ne se kjo botë dhe gjithçka që ajo përmban.
Zoti im, më bëj mua dhe pasardhësit e mi të përkushtuar në falje, dhe pranoje lutjen time.
