Gaza – Fjalim i mbajtur në protestën e mbajtur për Palestinën në Shkup

Më të lexuarat

Gaza

Nuk ka fjalë në konstelacionin gjeopolitik të dy viteve të fundit që të jetë përdorur, përmendur, humanizuar, dehumanizuar, vendosur e zhvendosur më shumë se fjala “Gaza”.
Një fjalë e lidhur me numra: numra të të vrarëve, të uriturve, të mbeturve nën rrënoja, numra pengjesh, burgjesh, numra raketash të lëshuara, fëmijësh të vrarë, grash të goditura, shtëpish të rrafshuara, spitalesh, shkollash, familjesh të shkatërruara, vuajtjesh të panumërta, lotësh, humbjesh, tragjedish…

Gazën e mbaj në zemër për dy arsye:
Për tezen time, e cila me familjen e saj jetoi më shumë se tridhjetë vjet në Gaza; dhe për Gazën që e vizitova, e pashë, e përjetova, e kuptova Gazën në të cilën u dashurova dhe që e mora me vete përgjithmonë.

Çdo ditë e shoh imazhin e saj të rrënuar: duar të holla që kërkojnë një vakt të paarritshëm, sy të mbushur me zbrazëti ku janë shuar edhe dëshpërimi, edhe shpresa. Pluhur, hi, pa dalje dhe komenti i tyre vetë-ironik se ajo që u ndodh është “aksion”.
Në të njëjtën kohë më del përpara Gaza e vitit 2011 ajo e kujtimeve të mia, që më rrëmbeu dhe më magjepsi. Në ato dy javë e gjysmë që qëndrova atje, pamja e shtrembëruar e “fundit të botës” u shndërrua në pamjen e “fillimit të botës” sinonim i qëndresës mbi-njerëzore dhe një durimi thuajse hyjnor.

Bregdeti Mesdhetar me tavernat dhe kafenetë e tij, arkitektura autentike, dritaret plot me produkte e specialitete vendase; një popull i hapur dhe i ngrohtë që na mori në përqafim.
Të rinj intelektualë nëpër kafene, secili me ëndrrën e vet për një rrugë të qetë dhe të ndritur; kontakt me një prej popujve më të arsimuar në botë, me vetëdije se dijenia mund t’i ngrejë mbi padrejtësitë, përbuzjen dhe fatkeqësinë.

Fjalët e para pas hyrjes në territorin palestinez dhe takimit me të afërmit e mi ishin:
“Ju nuk e dini çfarë do të thotë ardhja juaj për ne.”

Një ëndërr e lidhur me rrezik të madh, pasiguri dhe frikë, një hap guximi dhe dashurie të pakushtëzuar një kalim në një botë tjetër, me kulturë, zakone dhe tradita të veta.
Një botë e mbushur me shpirt, dritë dhe dinjitet. Një botë ku historia tragjike i ka ngritur njerëzit në një popull fisnik e të durueshëm; ku vuajtja është kthyer në pajtim, e dhimbja në përditshmëri.
Një botë që ka të drejtën për një qiell të kaltër në vend të bombarduesve prej plumbi; për tinguj valësh në vend të shpërthimeve; për drita të ndezura në vend të errësirës; për ujë të pastër në vend të cisternave; për det të kthjellët në vend të ujërave të ndotura; për kufij të hapur në vend të burgut nën qiell të hapur; për të drejtën për një jetë njerëzore.

Për këtë popull ne ishim një “mrekulli botërore”: njerëz që guxuan të hynin në hapësirën e tyre të mbyllur dhe të padepërtueshme, e që përjetuam mirënjohjen e tyre të heshtur dhe të thellë.

Gaza, këto dy vjet e më shumë, ka paguar çmimin e krimit dhe marrëzisë së së kaluarës, të tashmes dhe të së ardhmes.
Por Gaza do të ngrihet nga hiri.
Këtë e di!
Gaza do ta tregojë përsëri fytyrën e saj paqësore dhe të ngrohtë.
Edhe këtë e di!
Gaza do t’i mbijetojë të gjitha fatkeqësive dhe vuajtjeve.
Ajo do të rindërtohet, do të rritet dhe do të ngrihet mbi të gjitha rrënojat, tragjeditë dhe dhimbjen.
Gaza do ta jetojë dhe do ta përjetojë ëndrrën e saj për paqe dhe liri.
Gaza e meriton këtë

Veronika Osmanli
Fjalim i mbajtur në protestën e mbajtur sot për Palestinën në Shkup

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit