3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Kontejnerët e partive

Më të lexuarat

Muhedin BRAVA

Praktika ka treguar se në kohët e fushatave zgjedhore, shtohet oreksi për pushtet. Është kjo kohë kur i madh e i vogël, fëmijë e pleq, të gjithë, pa dallim moshe e gjinie, gjuhen në ujërat e politikës, pavarësisht se shumica as që dine të notojnë. Në anën tjetër të bregut të politikës dalin vetëm ata të pangopurit.

Mujo, duhet të aktivizohemi, se koha është, më thotë një mik i Çarshisë së Shkupit.

T’ua lëmë politikën më të rinjve, i them unë.

Jo bre, Mujë, hala s’e kemi thënë fjalën e fundit.

Hë bre, burrë, t’ua hapim rrugën të rinjve e të rejave. Atyre që politikën e kuptojnë si diçka përmes të cilave realizohen dhe mbrohen çështjet më vitale të kombit tonë.

Na duhen njerëz me përvojë, shprehet ai.

Shiko, i them mikut, përvoja e deritanishme ka treguar se para selive të partive duhet të vëmë kontejnerë?

Kontejnerë?, shprehë habinë miku.

Po ku duhet të përfundojnë mbetjet e partive?

Natyrisht, nuk i erdhi mirë kjo që i thashë për kontejnerët, sikur nuk do t’u vijë mirë as edhe shumë të tjerëve që ende veten e shohin ndryshe në pasqyrë.

Tani kur atmosfera ka filluar “të nxehet” në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, e para gjë që duhet të bëjë secila parti është gjahu i njerëzve të rinj ose siç thonë ndryshe, i gjakut të ri, që kanë kapacitete të mjaftueshme intelektuale e morale për t’u bërë ballë sfidave të reja mjaft komplekse, sidomos të atyre që lidhen ngushte me indin e çështjes kombëtare. Kjo është e para, kurse e dyta është porositja e kontejnerëve për mbetjet e partive, që duhet të hidhen diku në skutat e të kaluarës, për të mos e penguar më të ardhmen e brezave të reja, të cilat dukshëm i ka mbuluar dëshpërimi.

Nevoja për kontejnerë është domosdoshmëri për çdo parti politike, qoftë e vjetër apo e re, sepse të gjitha kanë nevojë që ta ndajnë shapin prej sheqerit. Duhet të ndahen individët e sinqertë nga ata që kanë vetëm një qëllim: interesin. Dhe pikërisht këta të fundit janë ata që njollosin partitë, sepse nuk mund ta kontrollojnë oreksin në realizimin e qëllimeve materiale.

Kontejnerët simbolikë duhet të kuptohen edhe si një pastrim nga hipotekat që i kanë, pa përjashtim, të gjitha partitë. Po nuk e bënë këtë pastrim, atëherë nuk kanë të drejtë morale që t’i drejtohen elektoratit shqiptar, sepse në vazhdimësi, pa ndërprerë, ky elektorat e ka ndjerë hidhësinë e mashtrimit.

Kontejnerët së pari duhet të mbushen dhe pastaj të ftohen ata që ruajnë ambientin dhe higjienën për t’i dërguar atje ku përfundojnë të gjitha hedhurinat. Në të kundërtën, ndotjen e mëtejshme të shoqërisë shqiptare nuk do të mund ta lajë as Vardari.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit