Përgatitja dhe kodifikimi i prirjes kryqtare
Një fushatë urrejtjeje që i parapriu raportit mbi “infiltrimin islamik” dhe ndalimin e Vëllazërisë Myslimane në Francë, të paraqitur nga ministri francez i Brendshëm Bruno Retailleau, përfshiu shumë media franceze. Papritur dolën në sipërfaqe ngjarje të tilla si:
• “Një shofer autobusi (linja 108) mes komunave Joinville-le-Pont dhe Champigny-sur-Marne, ndaloi një vajzë të hipte, sepse ajo mbante fund të shkurtër. Shoferi i tha pasagjeres së habitur, që mbeti në trotuar: Nëse do të ngjitesh, zbulo pak më shumë rrobat. Shoferi u pezullua nga puna pas incidentit.”
• “Në disa lagje periferike me prani të fortë islame, norma ishte që vajzat që vishnin rroba shumë të ngushta, ose që refuzonin të vishnin shami, të ofendoheshin.”
• “Në lagjen e 19-të të Parisit, në vitin 2019, punonjësit refuzonin t’u jepnin dorën grave.”
• “Në prill të kaluar, Shamsuddin, 15 vjeç, u rrah deri në vdekje jashtë shkollës së tij të mesme në Viry-Châtillon, për shkak të një ‘çështjeje nderi’.”
• “Dy ditë më pas, një nxënëse 13-vjeçare, e quajtur Samara, u var jashtë shkollës së saj të mesme në Montpellier, sepse nuk ishte mjaftueshëm fetare.”
Autorja Margot Dadeemard sjell këto dy raste dhe pyet: Si mund të jenë këto tregues të “luftës civile të qetë” që përshkruan Jean-Paul Brighelli në librin e tij? Ai thotë: “Disa mësues janë përgjegjës për futjen e islamistëve në shkolla.” Shton: “Duke thënë ‘është e drejta ime’, nxënësit tani mund të pretendojnë se është e drejta e tyre të besojnë se toka është e sheshtë, ashtu siç është e drejta e tyre të besojnë se Sheriati islam është mbi ligjin e republikës.” Ai paralajmëron: “Fundamentalistët po hapin me durim rrugën e tyre në shkollat tona. Çdo gjë filloi me veshjet e vajzave, përmes rrjeteve sociale.”
Përveç kësaj, ka pasur edhe një fushatë të tërë demonizimi ndaj Vëllazërisë Myslimane në Egjipt, botën arabe dhe Europë, ku nuk akuzohej vetëm organizata me argumentet e saj, por Islami vetë, me përfshirjen, idetë dhe parimet e tij të larta. Fushata u zhvillua në pothuajse të gjitha mediat franceze, përveç shumë pak prej tyre që u treguan më objektive.
Edhe pse rastet e përmendura janë shumë të pakta – edhe nëse supozohet se të gjitha janë të vërteta – ato zmadhohen në të gjitha mediat dhe përdoren si justifikim për të miratuar ligje të padrejta.
Në të kundërt, nuk merret pothuajse asnjë vëmendje ndaj vargjeve të krimeve ndaj myslimanëve. Më 25 prill të kaluar, Olivier Hadzovic, 21 vjeç, hyri në një xhami në La Grand-Combe (Gard) dhe goditi me thikë Abubakr Cisse, 22 vjeç, 57 herë. Ai filmoi masakrën dhe tha: Jam unë që e bëra […] (dhe blasfemoi kundër Allahut – i Lartësuar është Ai mbi çfarë thonë kriminelët!). Një muaj më pas, Christophe Beljembi, 53 vjeç, shkoi në shtëpinë e fqinjit të tij Hicham Miraoui në Bougiers-sur-Argens (Var), për ta vrarë. Para se të qëllonte me armë, ai shpalli në një video: Sonte themi mjaft islamistëve në vendin tim.
Këto dy tragjedi nuk janë të izoluara. Myslimanët – ose ata që perceptohen si të tillë – janë gjithmonë objektiv për segmente të klasës politike dhe të mediave.
Autorët e studimit “Islamofobia… gjashtë muaj urrejtje” – Caroline Kook-Chaudorge, David Perotin, Marie Tourcan dhe Khadija Zarwali – shkruajnë: “Duke shqyrtuar shtypin, krahas paralajmërimeve të shoqatave dhe verifikimit të të dhënave tona, kemi regjistruar të paktën një incident islamofobik çdo dy ose tre ditë që nga janari. Megjithatë, sipas ministrit të Brendshëm Bruno Retailleau, përgjegjës për çështjet fetare, ‘islamofobia’ nuk është gjë tjetër veçse ‘një fjalë e shpikur nga Vëllazëria Myslimane’.”
Raporti është i mbushur me raste kriminale kundër myslimanëve, qoftë fizike apo verbale, të nxitura nga një propagandë e vazhdueshme anti-myslimane.
Pastaj doli raporti…
Raporti përbëhet nga 76 faqe, me 20 faqe të klasifikuara si të ndaluara për arsye sigurie – ose ndoshta lidhen me marrëdhëniet e jashtme të Francës (ose, pa ekzagjerim, për arsye “kryqtare”).
Sipas hartuesve të raportit, në Francë ekzistojnë gjithsej 139 “vende adhurimi” (xhami ose qendra islame) që i përkasin “Unioni i Myslimanëve të Francës”, të cilët konsiderohen si “dega kryesore e Vëllazërisë Myslimane” në vend.
Përveç këtyre, ka edhe 68 vende adhurimi të afërta me unionin. Kështu, këto vende të lidhura me Vëllazërinë përfaqësojnë 7% të gjithsej 2800 vendeve të regjistruara islame në territorin kombëtar dhe 10% të atyre të hapura gjatë periudhës 2010-2020 (45 nga 447).
Sipas raportit, kjo përfaqëson mesatarisht 91 mijë falës çdo të premte (dita e xhumasë për myslimanët).
Ndërsa myslimanët francezë kanë deklaruar lidhje me 53 shoqata, raporti thotë se 280 shoqata “të lidhura me lëvizjen” operojnë në fusha të ndryshme të jetës myslimane (jo vetëm fetare, por edhe bamirëse, arsimore, profesionale, rinore madje edhe financiare).
Krahas xhamive, raporti thekson gjithashtu praninë e fortë të Vëllazërisë Myslimane në shkollat franceze. Ai thotë se “sektori i arsimit duket si prioritet për degën franceze të Vëllazërisë”.
U identifikuan 21 shkolla të lidhura me Vëllazërinë, 18 në mënyrë direkte dhe 3 të afërta. Në total, rreth 4200 nxënës u ndikuan gjatë vitit shkollor aktual.
Raporti thekson se rreth këtyre institucioneve islame zhvillohen “ekosisteme islame”, që përfshijnë kurse mësimi të Kuranit, shoqata bamirësie, kulturore, projekte komunitare dhe aktivitete sportive. Këto shërbime, që kanë rrënjë në lagjet ku jetojnë shumica e myslimanëve të varfër, “plotësojnë nevojat e popullsisë”. Me forcimin e këtij sistemi, “normat shoqërore” si mbajtja e hixhabit, lënia e mjekrës dhe respektimi i agjërimit të Ramazanit janë bërë “të domosdoshme”, sipas raportit.
Raporti i kushton vëmendje edhe “rëndësisë së shtuar të influencuesve islamikë”, “davetxhinjve të gjeneratës së dytë” në rrjetet sociale, të cilët gjithashtu përbëjnë “kërcënim për kohezionin kombëtar”, sipas tekstit.
Në fund, autorët shprehin shqetësim për “suksesin e strategjisë së institucionalizimit dhe respektit” të ndjekur nga Vëllazëria në Francë, e cila synon “ndryshime graduale në rregullat lokale ose kombëtare që zbatohen për popullsinë, veçanërisht në sistemin e laikizmit dhe barazinë gjinore”.
Por, në të vërtetë, kjo nuk ka të bëjë vetëm me “Vëllazërinë Myslimane”, por me myslimanët në përgjithësi. Gjithçka që sjell raporti është veprimtari islame shoqërore, edukative dhe fetare të natyrës së pastër islame – si respektimi i Ramazanit, besimi në hixhab, apo lënia e mjekrës – që nuk janë të kufizuara vetëm tek një grup i caktuar.
Franca mbetet me probleme të cilat do t’i duhet t’i zgjidhë para se të vazhdojë luftën e saj ndaj Islamit…
(Vijon…)
Lexo pjesën e parë:
Pas “separatizmit”… frika franceze nga “infiltrimi islamik”!
