Tri betejat më të mëdha që u zhvilluan mes muslimanëve dhe romakëve, ku muslimanët arritën fitore vendimtare, janë:
1. Beteja e Jermukut – e cila ndodhi në vitin 13 hixhri. Në këtë betejë, muslimanët arritën një fitore madhështore, e cila përcaktoi përfundimisht fatin e Shamit. Pas saj, muslimanët e çliruan atë me lehtësi.
2. Beteja e Manzikertit (Malazgirtit) – e cila ka ndodhur në vitin 463 hixhri. Ajo përcaktoi fatin e tokave romake (të Azisë së Vogël), të cilat u morën përpara muslimanëve selxhukë, në të cilët depërtuan dhe i populluan ato.
3. Beteja e Miriocefalonit – ndodhi në vitin 572 hixhri. Kjo betejë shkatërroi përfundimisht shpresat e romakëve për të rimarrë Azinë e Vogël. Prej asaj kohe, ato troje kaluan nga feja e krishterë dhe qytetërimi heleno-romak, në Islam dhe qytetërimin islam.
Pasojat historike
Këto tri beteja përcaktuan fatin e muslimanëve dhe romakëve për shumë shekuj, madje përgjithmonë:
1. Jermuku i theu shpinën perandorisë romake dhe vendosi përfundimisht çështjen e Shamit, të cilin muslimanët e çliruan lehtësisht pas saj. Prej andej ata u nisën drejt Egjiptit, Berkas, Afrikës së Veriut dhe më pas Andaluzisë.
2. Manzikerti (Malazgirt) solli shfarosjen e ushtrisë romake, ku muslimanët arritën të zinin rob edhe vetë perandorin Romanos IV – rasti i parë në historinë e gjatë të përplasjes me romakët që një perandor bizantin bie rob në duart e muslimanëve. Kjo betejë hapi tërësisht portat e Azisë së Vogël përpara turqve selxhukë, të cilët u vendosën atje dhe e shndërruan atë në tokë islame. Ky ishte edhe hapi që përgatiti tërrenin për çlirimin e Kostandinopojës dhe shuarjen e shtetit romak (bizantin).
3. Miriocefaloni forcoi përfundimisht praninë e muslimanëve selxhukë në Azinë e Vogël dhe i shkatërroi çdo shpresë Bizantit për ta rimarrë atë nga duart e tyre. Selxhukët arritën të depërtonin deri në brigjet e Egjeut. Humbja e romakëve në këtë betejë garantoi sigurinë e krahut verior të frontit të Salahudinit, gjë që i mundësoi atij të përqendrohej në thyerjen e kryqtarëve në Hittin, në çlirimin e Palestinës dhe të xhamisë së shenjtë Aksa, pa pasur më frikë nga romakët që shpesh kishin qenë aleatë të kryqtarëve në periudhën e mëparshme.
Është për t’u habitur se burimet islame përmendin në hollësi Betejën e Jermukut dhe atë të Manzikertit, ndërsa për Miriocefalonin nuk bëjnë aspak fjalë. Lajmi për të ka ardhur vetëm nga burimet bizantine, dhe duket se arsyeja është se burimet islame në atë kohë ishin të përqendruara tek luftërat në Sham ndërmjet muslimanëve dhe kryqtarëve.
Shkruar nga Prof. Dr. Ali bin Muhamed Aude el-Ghamidi
