Nga Dr. Faisal bin Ali al-Bu‘danij
Gaza është sot emri i një shkolle që mëson qëndrueshmëri. Një vend i vogël, por me një zemër të madhe, është shndërruar në simbol të durimit, krenarisë dhe nderit. Brenda saj jetojnë njerëz që, edhe pse mund të kishin zgjedhur rrugën e dorëzimit dhe kërkimin e sigurisë, preferuan të mbeten të patundur, pavarësisht mungesës së ndihmës dhe përmasës së vuajtjes.
Kjo tablo e jashtëzakonshme është një thirrje për të gjithë umetin. Popujt, dijetarët, mendimtarët, të pasurit, gazetarët, të rinjtë – secili ka detyrë të japë pjesën e vet. I pasuri me pasurinë e tij, dijetari me fjalën e tij, hatibi me minberin e tij, gazetari me penën dhe kamerën e tij, i riu me përpjekjen dhe lëvizjen e tij. Sepse kjo betejë nuk është vetëm e Gazës. Është beteja e gjithë umetit. Kush kthen shpinën sot, nesër nuk do të shpëtojë nga pasojat e saj.
Historia na mëson se dorëzimi nuk sjell nder. Shembulli i Granadës është i gjallë: kur Ibnul-Ahmer ia dorëzoi çelësat pushtuesve, ai hapi vetëm portën e më shumë poshtërimeve dhe humbjesh. Kështu është edhe sot: qëndrimi është më i mirë se dorëzimi, dëshmoria është më fisnike se poshtërimi.
Çfarëdo që të vijë pas Gazës, nuk do të jetë si më parë. Nëse Gaza qëndron, çështja palestineze do të mbetet e gjallë në ndërgjegjen e umetit dhe të botës. Do të ngadalësohet edhe treni i normalizimit me pushtuesin, pas krimeve çnjerëzore të kryera kundër popullit të saj. Por nëse ndodh rënia, atëherë nis një etapë më e rrezikshme: shuarja e së drejtës palestineze, zgjerimi i projektit të “Izraelit të Madh” në tokat e muslimanëve, destabilizimi i shteteve kufitare, nxitja e pakicave etnike e fetare, dhe zhdukja e shpirtit të rezistencës nga palestinezët, madje nga çdo musliman.
Prandaj, çështja e Gazës nuk është çështje partie, fraksioni apo rajoni. Është çështja e Islamit dhe e muslimanëve. Është beteja e identitetit dhe ekzistencës. Çdo vonesë në mbështetje është një plagë për të gjithë.
Fjala e Allahut
﴿وَاللَّهُ غَالِبٌ عَلَىٰ أَمْرِهِ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ﴾ [Jusuf: 21]
“Allahu është Mbizotërues mbi çështjen e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”
