Meditim mes frikës dhe errësirës

Më të lexuarat

SubhanAllah…
Pasha Zotin, rri me veten time dhe mendoj për këtë ngushticë të madhe në të cilën jemi dhe për atë që na pret me kërcënimin e pushtimit të Gazës. Dhe befas ndiej një dritë të madhe që shkëlqen nga larg, një dritë që nuk mund ta shpëtojë syri mes errësirës dhe që i gëzon zemrës sime mes frikës, brengës dhe pikëllimeve të grumbulluara.

E ndiej se Zoti ynë, Kujdestari ynë dhe i Dashuri i zemrave tona, i Lartësuari, dëshiron të na pastrojë, të na mësojë dhe të na zgjedhë me këtë sprovë të rëndë, e cila shtohet e rritet pa u dukur ndonjë shteg shpëtimi. Dhe ky është sekreti i kësaj fatkeqësie: që Allahu ta ngushtojë rrethin mbi zemrën e njeriut, t’ia mbyllë të gjitha dyert dhe hapësirat, përveç derës së Tij që nuk mbyllet kurrë. Deri sa të përzërë prej zemrës çdo kthim kah dikush tjetër veç Tij, çdo shpresë tek dikush tjetër, çdo mbështetje te diçka tjetër; derisa zemra të mos shohë askënd përveç Tij, të mos qetësohet me askënd tjetër, të mos i drejtohet askujt tjetër dhe të mos lidhet me askënd tjetër. Atëherë plotësohet bindja dhe teuhidi thesari më i madh që mund të fitojë njeriu i mençur në këtë botë dhe sprova shndërrohet në dhuratën më të madhe.

Fjala e Kuranit në kulmin e ngushticës

Allahu thotë:

“… derisa toka iu duk e ngushtë, megjithëse ishte e gjerë, dhe u bë e ngushtë për ta vetvetja e tyre, dhe menduan se nuk ka shpëtim prej Allahut, veçse tek Ai. Pastaj Allahu u pranoi pendimin, që të pendoheshin. Vërtet, Allahu është Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.” (et-Tevbe: 118)

Dhe gjithashtu:

“… derisa të dërguarit u dëshpëruan dhe menduan se ishin përgënjeshtruar, atëherë erdhi ndihma jonë dhe shpëtuam kë donim. Ndëshkimi ynë nuk i shmanget popullit mëkatar.” (Jusuf: 110)

Drita që lind nga errësira

O Allah… sa madhështore është të jetosh me këtë dritë, që është më e bukur se çdo gjë, edhe mes errësirës dhe frikës! Sa fitim i madh është ky, që asnjë humbje nuk mund ta peshojë! Zemra atëherë sheh me dritën e Zotit të saj, sheh shenjat e fitores dhe të përforcimit që të tjerët nuk i shohin dhe i ringjallet shpresa kur zemrat dobësohen, kur njerëzit humbin shpresën dhe rrugët mbulohen nga errësira. Shpirti qetësohet në mëshirën e Zotit të tij, në butësinë e Tij, në dhembshurinë e Tij, në mirëbesimin tek Ai dhe në kënaqësinë me vendimin e Tij, kur zemrat dridhen, shikimet lëkunden dhe njerëzit fillojnë të mendojnë për Zotin mendime të gabuara.

Vetë fakti i vetëdijes dhe ndjesisë së kësaj të vërtete të çmuar dhe imani i fortë në të që është ndër dhuratat më të mëdha të Zotit e sjell në zemër një qetësi dhe lumturi që përmbys frikën, brengën dhe pikëllimin. Dhe arritja e vetëm një rrezeje nga dritat e bindjes, teuhidit dhe afrimit me Zotin është më e dashur dhe më e vlefshme se e gjithë kjo botë dhe ç’ka në të. Kush e fiton këtë, nuk ka humbur asgjë; kush e humbet, nuk ka fituar asgjë.

Lumturia e vërtetë dhe e përhershme

E kuptova se kjo dritë është shpëtimi i vërtetë, edhe nëse bota ngushtohet aq sa të duket e padurueshme. Sepse kjo është lumturia e vërtetë:
• Nga aspekti sasior: është lumturia më e madhe, dritë që asnjë errësirë frike apo brenge nuk mund ta shuajë, sepse qendra e lumturisë është zemra, dhe zemra gjen lumturinë vetëm kur përmbush qëllimin për të cilin është krijuar njohjen dhe adhurimin e Krijuesit.
• Nga aspekti cilësor: është lumturi e përhershme, që nuk shuhehet. Çdo frikë dhe pikëllim rreth saj do të zhduket, qoftë edhe me vdekjen, por ajo lumturi mbetet e amshuar.

Siç tha Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë), kur u kërcënua me burg, vrasje dhe mërgim:
“Çfarë mund të më bëjnë armiqtë e mi? Xheneti dhe kopshti im janë në gjoksin tim, janë me mua kudo që shkoj. Nëse më burgosin, ai është vetmi për mua; nëse më vrasin, ai është shehidllëk; nëse më dëbojnë, ai është udhëtim.”

Lutje dhe mbyllje

O Zot, na mëshiro, ki mëshirë për dobësinë e zemrave tona dhe ndryshueshmërinë e tyre të shpejtë. Na përmbush me këto drita, ngulit-i në zemrat tona, forcoji dhe shtoji tek ne. Jep-na dije më të thellë dhe pjesë më të madhe prej tyre. Sepse në to ka ngushëllim për çdo humbje, shërim për çdo plagë, ndihmë për çdo vështirësi dhe shpërblim për çdo nder e mirësi. Dhe na çliro nga ngushticat tona, sepse falja dhe shpëtimi yt është më e gjerë për ne.

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

Rami bin Muhamed ad-Dali
E shtunë, 29 Safar 1447 h.
23 gusht 2025 m.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit