Nga shtatë nxënës të përkushtuar te një ushtri që ndaloi përparimin e Alfonso-s VI

Më të lexuarat

– Në mesin e shekullit të pestë hixhri, dhe me agimin e mijëvjeçarit të dytë sipas kalendarit gregorian, filloi të shkëlqejë ylli i Alfonso-s VI, si një prej prijësve më të zellshëm të luftërave të rikthimit të tokave, ndërkohë që trupi i Andaluzisë islame ishte brejtur nga korrupsioni e shpërbërja…

Në atë kohë të zymtë, një burrë i zellshëm, Abdullah ibn Jasin, u tërhoq për t’iu përkushtuar mësimdhënies së Islamit një grushti të rinjsh – vetëm shtatë veta! – duke i rritur me dritën e besimit dhe disiplinës.

Zoti e bekoi këtë pakicë të vogël, e i shtoi në numër dhe ndikim, derisa u shndërruan në një forcë të fuqishme: Murabitunët – ata që i dëbuan të krishterët, i mundën në betejën madhështore të Zalakës, dhe e nxorën Alfonso-n VI jashtë kufijve të Andaluzisë.

Është diçka që të mahnit, por jo diçka e panjohur në faqet e historisë!

– Ndërkohë që fuqitë më të mëdha të botës së atëhershme – Persia dhe Roma – përplaseshin mes tyre për territore dhe dominim, afër kodrës së Safas, një grup i vogël njerëzish – rreth dhjetë vetë – mblidheshin në shtëpinë e Erkamit, duke mësuar Kuranin dhe themelet e besimit, me përulje dhe bindje.
Dhe nuk kaloi shumë kohë, dhe viset që përgjakeshin nga perandoritë, ranë nën hijen e këtyre burrave.

– Kur francezët pushtuan Algjerinë dhe filluan të rrënonin fenë prej zemrave të popullit, në disa prej shtëpive modeste të vendit (Algjerisë) rriteshin dy fëmijë në gjirin e Islamit – Ibn Badisi dhe Beshir El-Irahimi – të cilët, me kohë, udhëhoqën një lëvizje të fuqishme reformuese që ua ktheu Algjerinë myslimanëve dhe ringjalli shpresën në zemrat e tyre.

Raste të tilla janë përsëritur shumë  në histori. Ndërsa urtësia e Zotit është edhe më e mahnitshme…

– Në kohën kur Faraoni shtërngonte kontrollin e tij nga frika prej fëmijëve të Beni Israilëve, Zoti e bëri të rrisë pikërisbt armikun e tij në shtëpinë e vet – Musain alejhi selam!

– Dhe në vitin kur Ebreha marshoi për të shkatërruar Qaben, lindi i Dërguari i Zotit ﷺ.

– Vetëm katër vjet pas rënies së Bagdadit, kryeqytetit të Kalifatit, lindi një nga dijetarët më të fuqishëm të historisë – Ibn Tejmije!

Historia ka një lëvizje të fshehtë, një ritëm të heshtur që nuk e ndjejnë pesimistët e as dembelët.
Nëse nuk ecën bashkë me ata që marshojnë për të ndriçuar rrugën, do të humbasësh qëllimin e jetës dhe në mëngjes njerëzit e lavdërojnë udhëtimin e natës…

“Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” Jusuf 21.

/Hoxha Fatjon Isufi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit