Palestinezët akuzojnë Izraelin se po përpiqet të bllokojë negociatat indirekte
Negociatat indirekte që po zhvillohen në Katar midis Izraelit dhe Hamasit janë në prag të dështimit, thanë zyrtarët palestinezë për BBC-në, duke fajësuar Tel Avivin.
Sipas një zyrtari, Izraeli “bleu kohë” me vizitën e kryeministrit Benjamin Netanyahu në Uashington për takimin e tij me presidentin e SHBA-së Donald Trump. Vendimi i tij për të dërguar një ekip në Katar pa një mandat të fortë ishte një veprim i qëllimshëm për të vonuar bisedimet.
Bisedimet, shtoi zyrtari, mbeten të përqendruara kryesisht në çështjet e tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza dhe ofrimin e ndihmës humanitare në Rrip.
Delegacioni izraelit në Doha nuk përfshin zyrtarët më të lartë. Burime të tjera palestineze i thanë AFP-së se bisedimet po vonoheshin nga propozimi i Izraelit për të mbajtur trupa në zonë.
“Negociatat në Doha po përballen me pengesa dhe vështirësi komplekse për shkak të këmbënguljes së Izraelit, që nga e premtja, për të paraqitur një hartë tërheqjeje, e cila në fakt është një hartë për ripozicionimin dhe riorientimin e ushtrisë izraelite, jo një tërheqje e vërtetë”, tha një burim.
Një burim i dytë akuzon Izraelin për “vonimin dhe pengimin e marrëveshjes me qëllim vazhdimin e luftës shfarosëse”. /tesheshi.com/
