Ushtarë izraelitë kanë pranuar se përdorimi i dronëve për të vrarë civilë palestinezë në Gaza ndjehet për ta “si të luash një videolojë”. Kjo praktikë, e dokumentuar nga media izraelite @972mag, përfshin modifikimin e dronëve të prodhuar në Kinë (EVO) – të destinuar për fotografi – për qëllime vdekjeprurëse, në kundërshtim me rregullat kineze të eksportit që ndalojnë përdorimin ushtarak të tyre.
Në vend që të përdorin dronë ushtarakë të sofistikuar që kërkojnë urdhër nga komanda qendrore, ushtria izraelite ka zgjedhur këtë metodë më të lirë dhe më të thjeshtë. Dronët pajisen me hedhës granatash dhe përdoren për të bombarduar civilë palestinezë në mënyrë të qëllimshme, veçanërisht ata që përpiqen të kthehen në shtëpitë e tyre në zona të shpallura të “spastruara”.
Ushtarët i kontrollojnë dronët përmes pajisjeve portative që ngjasojnë me një Nintendo Switch. “Ndjehet si një lojë,” pranoi një prej tyre, duke e përshkruar operacionin sikur të ishte një argëtim virtual, por në realitet viktimat janë gra, burra dhe fëmijë të pafajshëm.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo është një metodë e njohur e përdorur edhe më parë nga ushtria amerikane për të “çaktivizuar” ndërgjegjen morale të ushtarëve, duke i kushtëzuar të vrasin pa hezitim.
Sipas dëshmive të ushtarëve, shumica e viktimave ishin civilë të paarmatosur, që ndodheshin në distancë të sigurt dhe nuk paraqisnin kërcënim. Ata u vranë pa paralajmërim ndërsa po përpiqeshin të ktheheshin në shtëpi apo të kërkonin ushqim. Trupat e tyre u lanë në rrugë, ku u shqyen nga qentë endacakë.
Për më tepër, Izraeli ka shpikur “zona të ndaluara”, kufijtë e të cilave ndryshojnë vazhdimisht dhe nuk shpallen publikisht. Palestinezët që padashur kalojnë këto linja të padukshme vriten në vend, pa paralajmërim. Mes viktimave ishte edhe një fëmijë që po ngiste biçikletën.
Këto rrëfime të ushtarëve zbulojnë një realitet tronditës dhe dehumanizues, ku teknologjia shndërrohet në armë për masakra dhe krime lufte, nën një logjikë të pastër koloniale. /mesazhi
