Jo çdo njeri që vendos një çallmë është shejh/hoxhë! Dr. Muhamed el-Berberi

Më të lexuarat

Në vitin 1986, isha në vitin e parë të universitetit dhe kishim si lëndë të detyrueshme “Letërsi kërkimore”. Atë e jepte si ligjërues i jashtëm i nderuari Prof. Dr. Fethi Ebu Isa, profesor i letërsisë dhe kritikës në Fakultetin e Gjuhës Arabe në Menufije në atë kohë.
Allahu e mëshiroftë! Ai zotëronte aftësinë për të formuluar fjali të fuqishme, për të thurur fjalët dhe për të gdhendur shprehjen.

Fjalët i dilnin nga goja sikur të ishin shigjeta që lëshohen nga harku – më të ëmbla se uji dhe më të buta se ajri. Ai fliste arabishten letrare me një rrjedhshmëri sikur të ishte rritur në mjedisin e Halilit (Ibrahimit) dhe Sibaujehit (gramatikanit të njohur arab). Fjalët e tij ishin si një paralajmërim bubullimtar që lëviz të fjeturit, zgjon të përgjumurit, gjallëron të plogështit dhe ringjall të vdekurit me dituri.

Nga fjalët e tij që më janë ngulitur në kujtesë, ka thënë njëherë në një prej ligjëratave të tij:

“Sikur Universiteti i Az’harit të ketë me se të krenohet në historinë e tij të gjatë – që nga themelimi e deri më sot – do t’i mjaftonte si nder lindja e Shejh filani dhe e përmendi me emër. Ai kishte një pendë që e ndiqte me bindje. Ai digjej së bashku me shkronjën nga sinqeriteti, shkruante me rrahjet e zemrës së tij, jetonte për fenë e tij dhe për hallet e umetit, këshillues dhe mbrojtës.”

Kaluan ditët dhe shehu i nderuar u largua drejt Zotit të tij, me një jetë të lavdëruar dhe një zemër të pastër.

Një dijetar i devotshëm

Dijetarët e devotshëm janë trashëgimtarët e profetëve, gëzimi i miqve të Allahut, kandila ndriçues dhe baza e ndreqjes së umetit – e cila nuk mund të qëndrojë e fortë dhe e bukur pa respektimin e këtyre njerëzve të virtytshëm. Allahu, Zoti i tokës dhe i qiejve, ka thënë:
“Me të vërtetë, ata që kanë frikë Allahun nga robërit e Tij, janë dijetarët.” (Fatir: 28)

“E kam njohur shejhun e lartëpërmendur dhe përmes tij kam njohur një njeri që jeton për Islamin dhe vetëm për Islamin – nuk ia shoqëronte askënd tjetër. Islami ishte për të fillimi dhe mbarimi, mëngjesi dhe mbrëmja, themeli dhe kulmi i ekzistencës së tij. Jetoi për të si ushtar, si roje e zgjuar, gjithmonë me armë në dorë. Çdo armik që afrohej për të hyrë në kështjellën e Islamit, ai bërtiste me sa zë kishte për të zgjuar të fjeturit dhe për të paralajmëruar të pakujdesshmit.”

Ai nuk vrapoi pas posteve për të cilat rendin shumë prej atyre që vishem me petkun e fesë.

Gjuha e këtij shejhu nuk u krijua që të lavdërojë ndonjë krijesë, por për të përmendur Allahun, për të lexuar Librin e Tij dhe për të thirrur në fenë e Tij.

Dora e tij nuk u krijua për të duartrokitur këtë apo atë, por për të mbajtur pendën si armë, që ia drejtonte tiranëve dhe me të ndriçonte rrugën për ata që kërkonin udhëzim në errësirën e devijimit dhe në kërkim të dritës në këtë botë të errët.

Dijetarët e këqij

Dijetarët e këqij vuajnë nga një ndarje e hidhur mes fjalës dhe veprës, mes teorisë dhe praktikës.
Ata as nuk ndreqin, as nuk lejojnë që të ndreqet.

Shembulli i tyre është si një shkëmb që qëndron në hyrje të një lumi: as nuk pi vetë, as nuk lejon të tjerët të pinë.

Çdo njëri prej tyre është më i dëmshëm se një mijë djaj dhe më i ndyrë se helmimi i gjarprit.

Prandaj, selefët kanë thënë për ta: miza e lakmisë dhe flutura e zjarrit – të tërhequr pas epsheve dhe të verbër ndaj pasojave.

Dhe mbetet pyetja:

Për të gjithë ata që pretendojnë të jenë dijetarë, që luftojnë për një copë të dynjasë dhe derdhin çdo pikë të turpit për famë apo poste:

– ata që e bëjnë të lejuar atë që është e ndaluar,
– e ndalojnë atë që është e lejuar,
– mohojnë të mirën dhe e pranojnë të keqen,
– armiqësojnë një të dashur të Zotit dhe shoqërohen me një armik të Tij,
– shtypin të pafajshmin dhe ndihmojnë të padrejtin,
– luftojnë dritën dhe përhapin errësirën e fitnes dhe devijimit…
…ndërsa vetë qëndrojnë në radhët e shujukëve dhe dijetarëve!

Qetësoni veten tuaj!

Sepse jo çdo njeri që vendos një çallmë është Shejh!

Përshtati Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit