Shtetet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit po përgatiten për të lançuar vizën e unifikuar të Gjirit
Nga Imad Murad – 8 korrik 2025, përditësimi i fundit: 16:08, me orën e Mekës
Doha – Në një hap që pritet të riformësojë hartën e turizmit në rajonin e Gjirit Arabik, shtetet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (KBGJ) po përgatiten për të lançuar vizën e përbashkët të Gjirit, e shumëpritur prej kohësh. Kjo vizë do t’u lejojë udhëtarëve nga e gjithë bota të vizitojnë 6 vende të Gjirit me një vizë të vetme, në një model të ngjashëm me vizën “Schengen” të Evropës.
Kjo iniciativë, e cila ka marrë mbështetje unanime nga shtetet e Këshillit dhe përkrahje ndërkombëtare, simbolizon një fazë të re të integrimit rajonal në fushat e turizmit, sigurisë dhe ekonomisë digjitale.
Viza pritet të sjellë një ndryshim cilësor në përvojën e vizitorëve, duke u mundësuar atyre të udhëtojnë lirshëm mes Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit, Bahreinit dhe Sultanatit të Omanit pa pasur nevojë të aplikojnë për viza të veçanta për çdo vend. Kjo do të ulë ngarkesën administrative, do të reduktojë kostot dhe do të zgjerojë mundësitë e eksplorimit kulturor e gjeografik. Iniciativa shihet gjithashtu si një instrument strategjik për ta pozicionuar Gjirin si një destinacion turistik të vetëm që konkurron me destinacionet më të mëdha botërore.
Ndërsa përgatitjet teknike dhe procedurale po intensifikohen për lançimin zyrtar që pritet para fundit të vitit 2025, lindin shumë pyetje rreth kushteve, kërkesave dhe mënyrës së aplikimit për këtë vizë. Në këtë raport, paraqiten pyetjet dhe përgjigjet më të rëndësishme mbi vizën e përbashkët të Gjirit, sipas deklaratave zyrtare dhe burimeve të besueshme.
⸻
Çfarë është viza e përbashkët e Gjirit?
Është një vizë turistike e unifikuar që i lejon mbajtësit e saj të hyjnë në të gjashtë vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (Arabia Saudite, Katari, Emiratet, Kuvajti, Bahreini dhe Omani) me një vizë të vetme, pa pasur nevojë për viza të ndara nga secili vend.
⸻
Kur do të lançohet zyrtarisht?
Sipas sekretarit të përgjithshëm të KBGJ-së, Jasim Al-Budaiwi, lançimi zyrtar do të ndodhë para fundit të vitit 2025, pas përfundimit të çështjeve ligjore dhe teknike. Vendet e Këshillit kishin miratuar këtë projekt në parim që në vitin 2023.
⸻
Cili është qëllimi i vizës së përbashkët?
• Promovimi i turizmit ndërmjet vendeve të Gjirit
• Ulja e procedurave administrative për marrjen e vizave për çdo shtet
• Kursimi i kohës dhe kostove për udhëtarët
• Prezantimi i Gjirit si një destinacion turistik i përbashkët për turistët ndërkombëtarë
⸻
Sa është vlefshmëria e vizës?
Edhe pse nuk është përcaktuar zyrtarisht, pritet që vlefshmëria të jetë nga 1 deri në 3 muaj, gjatë së cilës vizitori mund të lëvizë lirshëm midis shteteve të Gjirit.
⸻
Si do të aplikohet për vizë?
Aplikimi do të jetë plotësisht elektronik, përmes një platforme të unifikuar ose portaleve të ndërlidhura. Sipas deklaratave zyrtare, procesi do të zgjasë vetëm disa minuta, përmes një formulari të vetëm dhe ngarkimit të dokumenteve të kërkuara.
⸻
Cilat dokumente do të kërkohen?
• Pasaportë e vlefshme
• Formular i plotësuar elektronikisht
• Rezervim hoteli ose provë vendbanimi
• Plan udhëtimi që përfshin lëvizjen në të gjashtë vendet
• Sigurim shëndetësor që mbulon gjithë kohën e qëndrimit
• Provë financiare (si një llogari bankare)
• Biletë kthimi ose biletë udhëtimi për jashtë rajonit të Këshillit
⸻
Për çfarë qëllimesh jepet kjo vizë?
• Turizëm
• Vizita familjare dhe miqësore
• Mund të përfshijë edhe kategori të veçanta rezidentësh jo-qytetarë që banojnë në Gjirin Arabik
⸻
Kush mund ta marrë këtë vizë?
Në fazën e parë, vetëm qytetarët e vendeve të caktuara (pritet të përfshihen shtete të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë). Më pas, lista e vendeve pritet të zgjerohet, sipas rregullimeve të sigurisë dhe teknologjisë.
⸻
A përfshihen qytetarët e vendeve të Gjirit?
Jo. Qytetarët e vendeve të Këshillit tashmë kanë të drejtë të lëvizin dhe të jetojnë lirshëm në shtetet e tjera anëtare pa vizë. Viza është e destinuar për të huajt.
⸻
Cilat janë përfitimet për udhëtarët?
• Lëvizje e lirë pa kufizime midis vendeve të Gjirit
• Ulje të kostove nga shmangia e shumëfishtë e vizave
• Mundësia për një udhëtim të vetëm që përfshin disa shtete
• Aplikim i thjeshtë dhe i unifikuar në mënyrë digjitale
⸻
Kush do ta menaxhojë këtë vizë?
Menaxhimi do të bëhet nga ministritë e brendshme dhe autoritetet e pasaportave të vendeve anëtare, në bashkëpunim me autoritetet turistike. Po zhvillohet një platformë e përbashkët dhe sistem sigurie i ndërlidhur mes shteteve.
⸻
A është testuar sistemi?
Raportet tregojnë se vendet kanë përparuar ndjeshëm në aspektin teknik dhe janë dakordësuar për kuadrin ligjor e sistemin e përbashkët përmes takimeve të rregullta të ministrave të brendshëm dhe drejtuesve të pasaportave.
⸻
A janë shpallur tarifat?
Jo ende. Por pritet të jenë tarifa të unifikuara dhe të përballueshme, për të nxitur më shumë udhëtarë. Mund të ndryshohen në të ardhmen.
⸻
Si pritet të ndikojë kjo vizë në sektorin e turizmit?
• Rritje të turistëve ndërkombëtarë që vizitojnë rajonin
• Mbështetje për planet e diversifikimit ekonomik (larg nga nafta)
• Krijimi i imazhit të Gjirit si një “destinacion i vetëm turistik dhe kulturor”
⸻
A ka mbështetje ndërkombëtare kjo iniciativë?
Po. Organizata Botërore e Turizmit e ka lavdëruar nismën dhe e ka përshkruar si një hap që rrit tërheqjen e rajonit në hartën e turizmit botëror.
⸻
Çfarë roli do të kenë agjencitë turistike?
Agjencitë dhe operatorët turistikë në Gjirin Arabik kanë filluar të përgatisin paketa të reja udhëtimi që përfshijnë disa shtete në një turne të vetëm, duke përfituar nga lehtësia e lëvizjes që ofron kjo vizë.
⸻
A ka vizë një emër zyrtar?
Po. Quhet “Viza e Turneve të Mëdha të Gjirit” (GCC Grand Tours Visa), për të promovuar udhëtime që përfshijnë disa vende anëtare të Këshillit.
⸻
Cila është mesazhi kryesor i kësaj nisme?
Të forcojë bashkëpunimin rajonal, të nxisë integrimin turistik dhe të sigurisë dhe t’u ofrojë vizitorëve një eksperiencë të unifikuar udhëtimi për të zbuluar larminë kulturore dhe natyrore të vendeve të Gjirit.
⸻
Po për projektin e hekurudhës së Gjirit?
Ky projekt do të jetë një shtyllë logjistike themelore për suksesin e vizës së përbashkët. Ai pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve, turistëve dhe rezidentëve, përmes transportit modern, të sigurt dhe të shpejtë – duke e bërë vizën edhe më tërheqëse.
Ky projekt synon integrim më të madh ekonomik dhe social mes vendeve të Gjirit, ulje të kostove dhe kohës së udhëtimit, si dhe zvogëlim të varësisë nga rrugët tokësore.
Rruga e planifikuar do të jetë rreth 2117 kilometra e gjatë: nis në Kuvajt, kalon përmes Dammamit në Arabinë Saudite deri në Bahrein, më pas në Katar përmes pikës kufitare Abu Samra, duke lidhur gjithashtu Bahreinin me Katarin. Nga atje kalon në Emiratet (Abu Dhabi dhe Al Ain), dhe përfundon në Oman përmes qytetit Sohar.
⸻
Burimi: Al Jazeera
