IRANI PO SHKON DREJT HUMBJES SË LUFTËS – Florian Leli

Më të lexuarat

Performanca e Iranit në luftën me Izraelin është nën pritshmëritë dhe lë shumë për të dëshiruar. Po duket për ditë e më qartë që propaganda e mullahëve iranianë ka qenë shumë më lartë se përgatitjet e vërteta për luftë. Kush e ka dëgjuar retorikën iraniane dhe shite në dy dekadat e fundit mund t’i jetë dukur se ka të bëjë me një superfuqi botërore e cila ka në dorë fatet e veta. Që një retorikë e tillë ka pasur hiperbolizime është lehtësisht e kuptueshme, por që ky hiperbolizim të ishte kaq i madh ndoshta po kuptohet vetëm në vitet e fundit, sidomos pas luftës në Gazë.

Shkurtimisht Irani po e humbet luftën lexues të nderuar. Mbase nuk më vjen mirë por ky është realiteti. Është e vërtetë që Irani ka kryer disa sulme serioze me raketa dhe i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale Izraelin, por vetëm kaq nuk është e mjaftueshme për fitimin e luftës. Ato dëme sado serioze të jenë janë vetëm dëme materiale të rekuperueshme dhe nuk janë objektiva strategjikë.

Në planin ushtarak Izraeli zotëron hapësirën ajrore të Iranit dhe godet me saktësi të lartë objektivat luftarakë dhe strategjikë. Kundërajrori iranian është shumë dobët.

Në anën tjetër Irani që zotëron rreth 3000-4000 raketa balistike dhe hipersonike (në rastin më të mirë 5000-6000 të tilla) ka shpenzuar 20-30% të arsenalit të tij. Përveç këtyre raketave Irani nuk zotëron asnjë letër në dorë ushtarakisht. Aviacioni ushtarak iranian është shumë i vjetëruar aq sa nuk e kanë marë mundimin as ta ngrejnë në ajër. Këmbësoria në këtë luftë nuk bën asnjë punë dhe grupet proiraniane në rajon rreth Izraelit janë të pafuqishme të bëjnë diçka.

Irani mund të durojë një muaj, ja dy të tillë dhe kur arsenali i raketave të mbarojë i bie të vëzhgojë vetëm shkatërrimet që Izraeli do të shkaktojë, ose do të detyrohet të pranojë humbjen pa arritur në një pikë të tillë. Ata e dinë shumë mirë që nuk kanë asnjë letër në dorë.

Askush nuk do t’i ndihmojë, arabët jo e jo por as Turqia dhe Pakistani. Mos mbani shpresa kot. Përse? Nuk e shpjegoj dot këtu me dy rreshta.

A do ketë pasoja? Patjetër. Humbja e Iranit do të ketë pasoja shumë negative dhe në varësi të dëmeve që do t’i shkaktohen Iranit do të jenë edhe rezultatet. Në rast të rrëzimit të regjimit aktual atëherë ai që vjen do të jetë një kukull në dorën e Amerikës dhe Izraelit mu në zemrën e Azisë dhe do të t’i kërcënojë të gjithë me Turqi, Pakistan, Afganistan etj. Uroj të mos ndodhë por po ndodhi do të jetë katastrofë.

Ka dallim me ndryshimeve të sistemeve nga faktorët e brendshëm dhe ndryshimeve të imponuara nga jashtë.

Prandaj vendet arabe dhe të rajonit duhet të ndërhyjnë për ta ndalur luftën sepse kjo është në të mirën e tyre, por _me sa besoj unë_ ata nuk kanë për ta bërë këtë dhe një pjesë e mirë e fajit i kthehet edhe vetë Iranit dhe mullahëve të tyre që për gati 5 dekada kanë mbjellur vetëm luftë përçarje dhe urrejtje me të gjithë vendet e rajonit dhe popullatat e tyre dhe prandaj tani gjenden të braktisur. Më vjen keq ta them por ky është realiteti. Irani tashmë po shkon drejt humbjes së luftës

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit