A është e pranueshme fetarisht të përdorim fjalën “mantra” për dhikrin dhe ajetet e Kur’anit?

Më të lexuarat

Meqë këto ditë shkrimet kanë qenë rreth filozofisë së vetëzhvillimit, kisha një pyetje lidhur me një fenomen që po e has shpesh kohët e fundit: cilësimi apo etiketimi i ajeteve të Kur’anit, duave ose dhikrit si “mantra”.
A lejohet kjo gjë?

Një shkëputje e vogël si shembull për atë që po pyes:

Mantrat Islame
“Bismilah është vetëm një nga fjalët që tashmë i përdorim shumë herë çdo ditë. Por dallimi mes fjalëve të zbrazëta dhe një mantre është qëllimi. Kur ti thua ‘Bismilah’ me qëllimin e plotë për të fshirë dyshemenë në emër të Allahut, ajo bëhet një mantrë.”?

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.

▣- Jo, nuk lejohet të quhen dhikret, ajetet ose duatë “mantra”. Islami nuk ka “mantra” dhe ky term nuk i përket gjuhës, besimit apo praktikave të fesë sonë.

▣- Çfarë janë mantrat dhe nga vijnë?
Mantra është një term që buron nga fetë lindore si hinduizmi dhe budizmi, që nënkupton një fjalë ose frazë që përsëritet vazhdimisht me synimin për të “aktivizuar energji të brendshme”, për të ndikuar në realitet, ose për të arritur një gjendje të caktuar mendore. Shpesh këto mantra nuk kanë kuptim të drejtpërdrejtë në ndonjë gjuhë, por konsiderohen si “vibracione me fuqi metafizike” sipas besimeve të tyre.

▣ Pse nuk quhen “mantra” dhikret dhe ajetet?
Dhikri (ذِكر) në Islam është përmendje e Allahut, dhe është një akt adhurimi i ndërtuar mbi Kuran dhe Sunet. Ai nuk është një teknikë psikologjike apo ezoterike.
Dhikri bëhet për të kërkuar kënaqësinë dhe afërsinë e Allahut, dhe jo për të “aktivizuar” ndonjë fuqi të brendshme apo për të balancuar “vibrime” siç besohet në filozofinë spiritualiste.
Në Islam, fjalët e dhikrit nuk kanë fuqi të pavarur, por veprojnë me lejen dhe mëshirën e Allahut, përmes bindjes dhe sinqeritetit të zemrës.

▣- Cili është rreziku i përzierjes së termave dhe koncepteve?
Rreziku me këtë përzierje është i dyfishtë:
1- Shpirtëror: Sepse deformon kuptimin e dhikrit si akt adhurimi dhe e largon nga forma që e ka përcaktuar Allahu dhe Profeti  ﷺ.
2- Konceptual: Sepse e redukton dhikrin në një teknikë vetëndihmëse ose autosugjestion apo terapie emocionale, që bie ndesh me natyrën e tij si akt adhurimi dhe lidhje me Zotin.

▣ Krahasimi i “Bismilah” me mantrat është gabim i madh. Bismilah thuhet për të kërkuar ndihmën dhe bereqetin e Allahut në çdo veprim, jo për të gjeneruar energji të brendshme apo për të ndikuar në univers përmes vibrimeve.
Ky krahasim është një përpjekje për ta paraqitur Islamin si “më modern” ose “më tërheqës”, por në fakt çon në humbjen e pastërtisë së teuhidit dhe në zëvendësimin e besimit me teknika New Age.

▣ Së fundi: Dhikri është adhurim i sinqertë që i drejtohet Allahut me fjalë të shpallura, dhe nuk mund të zëvendësohet apo krahasohet me asgjë që vjen nga një filozofi joislame. Përdorimi i termave si “mantra”, “fuqi e brendshme”, “energjia e universit”, “vibrime pozitive”, “çakra”, “universi të dëgjon”, janë pjesë e një filozofie të huaj ndaj Islamit, të ashtuquajturës New Age, që është përzierje e misticizmit lindor, spiritualizmit dhe ateizmit.
Islami është i plotë dhe ai nuk përzihet, nuk kopjon dhe nuk imiton filozofi të jashtme.
Na takon ne si myslimanë ta ruajmë dhe ta përcjellim fenë tonë të pastër dhe të mos i japim dhikrit dhe termave fetarë kuptime që nuk i ka pasur kurrë.

Dr. Adelina Kuçana

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit